Home Sport Argjentine – Shqiperi, yjet ngurrojnë të luajnë, duam pushime

Argjentine – Shqiperi, yjet ngurrojnë të luajnë, duam pushime

665
0

Bëhet fjalë për një nga ndeshjet më të mëdha në historinë e kombëtares shqiptare, por mesa duket nuk e vlerësojnë kështu të tillë. Miqësorja e 20 qershorit ndaj Argjentinës është tepër e veçantë për Shqipërinë, e cila përballet me një ekip amerikano-latin dhe një nga më të fortët në botë. Ndeshja e Buenos Airesit duhet të ishte shansi më i mirë për një pjesë të madhe të futbollistëve që të provojnë veten në këto nivele, por në fakt trajneri Josip Kuzhe duket se do të ketë shumë probleme për të bërë një skuadër të mirë për t’u përballur siç duhet me ekipin e Mesit. Arsyeja? Problemi më i madh është ai i pushimeve. Pas një sezoni strapacues, shumë prej lojtarëve shqiptarë kërkojnë të pushojnë. Ndërkohë, ka edhe shkaqe të tjera, që lidhen me presionin e klubeve ku futbollistët luajnë apo me dëmtimet. “Nuk kemi ende diçka gati. Dimë që shumë futbollistë kanë thënë do të vijmë, por duhet përpiluar njëherë lista dhe më pas të merren kontaktet dhe të konfirmohen”, sqaroi zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lirim Zalla.
Pushimet
Shkaku kryesor përse Shqipëria rrezikon të shkojë në Buenos Aires me një ekip gjysmak, janë pushimet e futbollistëve. Ato bëhen zakonisht në muajin qershor, duke qenë se në fillim të korrikut nisin fazat përgatitore. Kësisoj, shumë prej yjeve të Shqipërisë si Erjon Bogdani apo Lorik Cana, nuk do të jenë në Buenos Aires. Një gjë e tillë duket e sigurt edhe pse në Federatë shpresojnë ende se do të kenë një pjesë të mirë të futbollistëve kryesorë të skuadrës. Por, ndërsa Erjon Bogdani pret të bëhet baba, Cana është duke diskutuar në lidhje me të ardhmen, në një kohë që është edhe periudhë pushimesh.
Klubet
Miqësorja mes Argjentinës dhe Shqipërisë nuk luhet në një datë të lirë të FIFA-s apo UEFA-s dhe si rrjedhojë, klubet e huaja ku luajnë futbollistët shqiptarë, mund të bëhen pengesë për ta. Në fakt, 20 qershori, dita e ndeshjes, i përket kohës së pushimeve, por është e qartë se klubet kanë ndikime mbi të federuarit e tyre edhe në kohën kur ata janë me pushime. Udhëtimi për në Argjentinë dhe zhvillimi i një ndeshjeje me kombëtaren, do të jetë një impenjim ekstra për lojtarët. Gjithsesi, ky është edhe problemi më i vogël për Kuzhe në prag të sfidës me argjentinasit.
Dëmtimet
Një nga shkaqet e mungesës së disa lojtarëve, si përshembull Salihi apo Kapllani, janë edhe dëmtimet. Sulmuesi shkodran luajti me probleme në Bosnje, ndërsa durrsaku nuk u grumbullua fare për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar. Veç kësaj, ekziston gjithnjë frika se pas udhëtimeve të gjata e të lodhshme, mund të ketë gjithnjë probleme dëmtimesh. Aq më tepër, që lojtarët vijnë nga një sezon i gjatë e strapacues. Sidoqoftë, miqësorja me Argjentinën mbetet një luks për tifozët dhe vetë futbollistët e kombëtares kuqezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here