Katherine Johnson, një prej tre matematicienëve me ngjyrë të punësuara në programin hapësinor amerikan në vitet 1960-të, e që Hollivudi i ktheu në subjektin e filmit “Hidden figures”, ka parë t’i vihet emri i saj një ndërtese të NASA-s.
Agjencia Amerikane e Hapësirës e çeli qendrën më të re kërkimore në Hampton të Virxhinias duke e quajtur “Katherine G. Johnson Computational Research Facility” . 99-vjeçarja ndodhej aty për të prerë shiritin e përurimit e për t’u dhënë ca këshilla të rinjve në sallë.
“Bëni më të mirën tuaj, por duhet ta pëlqeni atë që bëni, ky është kushti. Nëse ju pëlqen ajo që bëni, do të keni rezultate shumë të mira, nëse nuk ju pelqen, epo turp t’ju vijë”, tha ajo.
Johnson ishte një e ashtuquajtur “kompjuter njerëzor” në qendrën kërkimore Langley të NASA-s, ku përllogariste trajektoret e fluturimeve të para të Amerikës në hapësirë. Ajo është gjithashtu një personazh qendror i librit “Hidden figures”, ndërsa në përshtatjen e bërë për ekranin e madh interpretohet nga Taraji P. Henson.
Qendra e re me sipërfaqe 3.500 metra/katrore do të mbështesë të gjitha misionet inovative kërkimore dhe zhvilluese të Agjencisë Amerikane të Hapësirës.