Krerë të lartë të shtetit, i kanë dhënë lamtumirën këtë të mërkurë kreut të Kishës Katolike Imzot Rrok Mirditës, i cili u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare nga një hemoragji cerebrale ditën e hënë.
Në homazhet e mbajtura në katedralen e Shën Palit në Tiranë kanë marrë pjesë presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ministra, deputetë, politikanë, qytetarë, përfaqësues të Kishës Katolike e të besimeve të tjera fetare.
Pasi nderoi arkëmortin e Imzot Rrok Mirditës dhe la mesazhin e tij në librin e kujtimeve, presidenti Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, u shpreh se kreu i Kishës Katolike, nuk përfaqësoi vetëm vlerat e katolicizmit në Shqipëri.
“Nuk përfaqësoi vetëm vlerat e katolicizmit në Shqipëri, por edhe një prej parimeve universale, atë të respektit ndaj harmonisë mes besimeve të ndryshme si dhe respektin e qytetarëve ndaj-njëri-tjetrit duke promovuar vlerat e paqes e mirëkuptimit. Sot ne lutemi për Imzot Rrok Mirditën dritë i pastë shpirti në paqe dhe parajsë,” tha presidenti Nishani pas homazheve.
Kryeministri Edi Rama ishte i pari që mbërriti në Katedralen e Shen Palit, i shoqeruar nga bashkeshortja Linda Rama. Pas homazheve, Rama la mesazhin e tij ne nderim te Imzot Rrok Mirdites, ne librin e kujtimeve.
Po ashtu në homazhe mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha. Pasi vuri një tufë me lule, në respekt të Imzot Rrok Mirditës, Berisha tha se “Me një përkushtim njerëzor e hyjnor ia doli së bashku me bashkëpunëtorët e tij të rindërtojë gur pas guri, vlerë pas vlere infrastrukturën morale e materiale të Kishës Katolike,” ndërsa shtoi se “frytet e punës së tij janë të pavdekshme”.
Berisha përfundoi fjalën e tij me lutjen që shpirti i Im Zot Rrok Mirditës, të gjej paqen e merituar.
Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe ai i Partisë Demokratike Lulzim Basha u përulën në nderim të Imzot Rrok Mirditës.
Homazhet në nder të kreut të Kishës Katolike nisën në orën 10.00 dhe pritet të përfundojnë në orën 13.00, ku më pas Imzot Rrok Mirdita do të përcillet për në banesën e fundit.
Kush ishte Imzot Rrok Mirdita?
Gjatë misionit të tij në krye të Kishës Katolike, imzot Rrok Mirdita u vu në shërbim të zhvillimit të harmonise fetare, rilindjes së besimit në të gjithë vendin dhe kapërcimit të vështirësive politike.
Mons. Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi),më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera.
U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic.
Në 1992 Papa Gjon Pali i II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për tu vendosur në Shqipëri duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.
Më 24 prill 1993 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon pali i II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së ba shku me Atin e Shenjtë.
Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali i II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti i XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka dhënë titullin Qytetar Nderi, duke vlerësuar ndihmesën e jashtakonshme të Arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike.
Po të njëjtin titull i jep edhe Kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.
Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu i ka akorduar “Urdhërin Nënë Tëreza” me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmedjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për nagazhimin në themelimin einstitucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”.
Në vitin 2010 presidenti i Republikes Bamir Topi i akordon urdherin Gjergj Kastrioti Skenderbeu, me 13 maj 2013 Akademia Ndekombetare Bonifaci 8 i akordon titullin Akademik Nderi.