Home Politike Shabani: PD-PS të ikin nga retorika dhe ti drejtohen Prokurorisë

Shabani: PD-PS të ikin nga retorika dhe ti drejtohen Prokurorisë

664
0

Politika shqiptare duhet të heqë dorë nga akuzat që bëhen nga selitë e partive, por t’i drejtohen Prokurorisë. Përfaqësuesi i “Transparency International Albania”, Endrit Shabani në një intervistë për “Tirana Observer” shprehet se ka ardhur koha që drejtësia të thotë fjalën e saj. Shabani u sugjeron deputetëve që të heqin dorë nga imuniteti dhe të jenë të hapur para drejtësisë. Ndër të tjera Shabani ka theksuar dhe nevojën për më shumë transparencë në vend që të luftohet korrupsioni.
Cili është qëllimi që kërkohet heqja e imunitetit të deputetëve? A mos rrezikon kjo një shantazh ndaj deputetëve të opozitës por dhe atyre që janë zëra kundër në mazhorancë duke qenë se ende institucionet e drejtësisë nuk kanë besueshmërinë e mjaftueshme?
Qëllimi që i ftojmë deputetët të heqin dorë nga imuniteti është që organet e drejtësisë të kenë mundësi të bëjnë punën e tyre. A është kjo një rrezik për opozitën? Në dijeninë time deputetët e akuzuar për korrupsion i përkasin të dyja kampeve politike, kështuqë nuk e mendoj këtë.
Në gjykimin tuaj, akuzat që palët politike po bëjnë ndaj njëra-tjetrës nëse nuk ia adresojnë Prokurorisë, a duhet kjo e fundit që vetë të ndërmarrë hetim për çdo akuzë publike?
Po, sipas Kodit Penal ka vepra të cilat ndiqen kryesisht, pra pa qenë nevoja për të bërë kallëzim. Por megjithatë do të ishte shumë e rëndësishme që partitë politike të vënë në dispozicion të Prokurorisë të gjitha faktet që tundin përpara mediave.
Ju pak ditë më parë, keni dhënë një deklaratë të fortë për sistemin shëndetësor në vend, kjo u shoqërua me një dorëheqje të drejtorit të QSUT-së, çfarë duhet bërë ndryshe në këtë sistem dhe a ka përgjegjës të cilët duhet të japin llogari?
Ka shumë gjëra që duhen bërë ndryshe si në shëndetësi, ashtu edhe në institucione të tjera të vendit, por ajo që ne kërkuam nga QSUT ditë më parë ishte që ky institucion të rrisë transparencën përsa i përket shërbimeve që ofron spitali publik dhe çmimeve që duhet të paguajnë qytetarët. I kërkuam gjithashtu edhe që të informojë qytetarët për rrezikun që i kanoset shëndetit të tyre nga djegia e mbeturinave spitalore, e cila kryhet pranë zonave të banuara. Nëse këto rekomandime do të ndiqen, besoj se do të ulej mundësia e abuzimit dhe korrupsionit në shëndetësi.
Të gjitha akuzat tashmë bëhen për korrupsionin, a ka “Transparency International” një recetë se si luftohet ky fenomen?
Në vend të recetës ne do të sugjeronim që të rritet transparenca. Korrupsioni është si ai myku që zhvillohet më shumë aty ku nuk bie drita e Diellit.

TIA: Partitë të fillojnë reformën zgjedhore

Akuzat e ndërsjellta të politikanëve që vijnë nga dy kampet më të mëdha politike në vend duhet të verifikohen nga organet gjyqësore, dhe të mos mbesin vetëm deklaratat politike. Por për të kaluar në hetim dhe verifikim të këtyre akuzave, deputetët duhet të heqin dore nga imuniteti, çka kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës së Shqipërisë. Përfaqësuesit e “Transparency International Albania” i kanë kërkuar deputetëve që të depozitojnë në prokurori çdo informacion për shkelje të ligjit dhe të heqin dorë nga imuniteti i tyre. “Të japin shembullin pozitiv duke hequr dorë nga imuniteti parlamentar dhe bashkëpunojnë me institucionin e drejtësisë”, tha përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani. Me 8 maj të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet vendore në vend. Sipas përfaqësuesve të TIA-s është domosdoshmëri që të plotësohen të gjitha standardet demokratike dhe të respektohen rekomandimet e OSBE-ODIHR të publikuara më 14 shtator të vitit 2009. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është një kusht për vendin tonë, i cili është fare pranë heqjes së vizave.

Akuza dhe kundërakuza mes PD dhe PS
Deputetët demokratë hodhën sërish akuza ndaj opozitës, përkatësisht ndaj Edi Ramës, dhe deputetit Ilir Beqja. Deputetja Mesila Doda, ka kërkuar nga drejtësia që të zbardhë me shpejtësi korrupsionin me lejen e ndërtimit. “Megjithëse kanë kaluar javë prej denoncimit publik për mega-aferën korruptive të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ende nuk kemi patur asnjë përgjigje prej tij. Edi Rama është i vetmi kryetar bashkie në botë, i akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në organet zyrtare si ideatori dhe përfituesi i 100 milion eurove të qytezës pranë liqenit të Tiranës, dhe si gjobëvënës i 20 për qind të qytezës me 350 kate ndërtim, i cili ende hesht sepse nuk ka guxim të mohojë”, tha Doda.
Po dje, deputeti tjetër demokrat, Flamur Noka, ka kërkuar ndërprerjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.  “Dorëheqja do të ishte minimumi që mund të bënte një deputet i përgjegjshëm, që do të kishte respekt për veten dhe për zgjedhësit e vet”, tha Noka, njëri nga nënshkruesit e kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të deputetit Beqja. Më vonë, reagoi edhe Partia Socialiste, me anë të anëtares së Asamblesë Kombëtare, Megi Ajtyresa, duke theksuar se deputetët demokratë janë vetë të korruptuar. “Dalin gjithfarë deputetësh që veç emrin e kanë deputet e me përfaqësuesit e popullit s’ndajnë asgjë dhe hedhin baltë pa fund për të mbuluar aferat e tyre korruptive dhe lidhjet mafioze. Del hajduti e bërtet kapeni hajdutin a thua se i madh e i vogël në Shqipëri nuk e di se kush po e zhvat këtë vend”, tha ajo.  Ajtyresa shtoi se gjysma e qeverisë duhet të shkojë në prokurori për të dhënë llogari për vjedhjet e grabitjet që po dalin çdo ditë në dritë. “Të dashura zonja e të dashur zotërinj fytyra e vërtetë e Sali Berishës dhe e familjes në pushtet ka dal sheshit dhe tani shqiptarët e kuptojnë pse Saliu i vodhi zgjedhjet: i vodhi zgjedhjet për të vjedhur shqiptarët”, vijoi Ajtyresa.

Opozita vijon akuzat ndaj ministres së Integrimit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here