Home Sport Bjellorusi – Shqipëri 2-0, humbja e pare

Bjellorusi – Shqipëri 2-0, humbja e pare

1421
0

Në një ambient të akullt dhe me shumë pak shikues në stadiumin “Dinamo” të Minskut, Bjellorusia i shkaktoi humbjen e parë Shqipërisë (2-0) në përballjen e katërt të tyre në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, por të tretën direkte midis tyre, me Bjellorusinë që ka tani dy fitore (4-2, në Tiranë për Euro 2008 dhe 2-0 për Euro 2012) dhe një barazim (2-2, në Minsk për Euro 2008).

Shqipëria humbet pas një serie pozitive prej tetë ndeshjesh, një humbje e hidhur ndaj një rivali direkt për katër vendet e para, e që do të përballemi sërish, më 26 mars 2011, në ndeshjen e parë të vitit 2011. Shqipëria tani rrëshqiti në vendin e tretë, me pesë pikë pas katër ndeshjesh, por me Bjellorusinë në vendin e dytë, tani në kuotën e 8 pikëve.

Shqipëria luajti pa tre titullarët Lorik Cana (i dëmtuar), Debatik Curri (i dëmtuar) dhe Erjon Bogdani (i pezulluar), çka u ndje sidomos mungesa e Canës në mbrojtje, një lider i repartit difensiv dhe një organizator i shkëlqyer i prapavijës shqiptare.

PJESA E PARE

Trajneri Xhemal Mustedanagiç e nisi takimin me Beqajn, Dallkun, Vangjelin, Telin, Agollin, Lilën, Duron, Bulkun, Likën, Skelën (kapiten) dhe sulmues të vetëm Hamdi Salihin.

Ishte Bjellorusia ajo që tentoi portën tonë, me një gjuajtje nga larg në minutën e 3-të me anë të Martinoviç, por pa asnjë problem për veteranin Arjan Beqaj, që e zotëroi qetësisht topin.

Shqipëria luajti paksa e tërhequr në fillim të takimit, duke synuar edhe frenimin qysh në mesfushë të bjellorusëve, por duke ngacmuar portën e mbrojtur nga portieri-kapiten, Juri Zhvenov, me anë të një gjuajte të largët nga Vangjeli. Gjithsesi, në harkun e minutave 5 dhe 6, Bjellorusia fitoi dy goditje këndi, por pa krijuar ndonjë problem për mbrojtjen tonë.

Në minutën e 10-të, pas një faulli të Ervin Bulkut ndaj Tigorev në afërsi të zonës, Kulçiu ekzekutoi fort, Beqaj e bllokoi i pasigurt topin, që i rikthyer te Vitali Rodionov nuk fali nga një distancë e afërt.

Goli i shtatë i Bjellorusëve i shënuar në portën e Shqipërisë, duke futur në këto llogari edhe gjashtë golat e shënaur nga bjellorusët në dy takimet e vlefshme për eliminatoret e Euro 2008-s.

Në minutën e 15-të një goditje pa forcë e Ansi Agollit nga distanca nuk krijoi asnjë problem për kundërshtarët, që të mbështetur edhe nga tifozeria e tyre, por dhe më të ambientuar me temperaturën e ftohtë në Minsk, rrezikuan shpesh në drejtim të portës sonë.

Në njëzet minutat e parë, Shqipëria luajti e hapur dhe e pasigurt në mbrojtje, duke e ndjerë fuqishëm mungesa e kapitenit Lorik Cana, i cili ishte një digë e vërtetë në barazimin kundër Bosnjës. Sa për statistikë, Kolaçev në minutën e 20-të realizoi goditjen e 5-të në drejtim të portës sonë, kundrejt asnjë gjuatje të kuqezinjve në drejtim të Zhvenovit.

Goli i bjellorusëve dhe loja pa forcë e Shqipërisë, solli nervozizëm te kuqezinjtë, që reflektoi me kartonin e panevojshëm të Gilman Likës pas një faulli Kisljakut.

Në mintën e 31-të, mbrojtësi Igor Shitov goditi traversën tonë, teksa gjithçka erdhi pas një pasigurie të theksuar të mbrojtjes sonë dhe një nxitimi të portierit Arjan Beqaj. E pabesueshme dhe shumë e çuditshme loja e përfaqësueses sonë, gati një skuadër amatore pëprara bjellorusëve, të cilët thuajse e kanë zotëruar plotësisht mesfushën nga dhe ku nisen aksionet e ideuar nga trajneri gjerman Bernd Shtange.

Në minutën e 36-të, Shqipëria u shfaq për herë të parë rrezikshëm ndaj Bjellorusisë, kur Salihi pasoi për Klodian Duron, mesfushori goditi nga rreth 17 metra në të djathtën e sulmit tonë, por kapiteni Zhvenov grushtoi në daljen e tij duke shmangur rrezikun.

Ansi Agolli lëshoi një diagonale nga jashtë zone në të 39’, por portieri Zhvenov ishte i vëmendshëm, duke bllokuar lehtësisht topin. Gjithsesi, një sinjal që Shqipëria po “ngrohej” në të ftohtin bjellorus.

Katër minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, Ervin Skela u ndëshkua me karton të verdhë për një mbajtje me dorë të Pulitos në harkun e gjysmëfushës së Bjellorusisë. Mund të shmangej. Kartoni i dytë i verdhë për Shqipërinë pas atij edhe të Gilman Likës, për një faull amator.

Pjesa e parë ishte e tëra nën dominimin e Bjellorusisë, me një epërsi të dukshme ndaj kuqezinjve, në një prej ndeshjeve të tyre më të dobëta në transfertë, shumë larg prezantimit të tyre të fundit në Minsk, në barazimin 2-2 më 2 shtator 2006.

PJESA E DYTË

Asnjë ndryshim në formacionin e Shqipërisë, por dhe as te Bjellorusia, që u ndëshkua shumë shpejt me kartonin e saj të parë të verdhë: Malosh, për një faull ndaj Andi Lilës.

Edhe fillimi i fraksionit të dytë ishte i zbehtë për kuqezinjtë, duke luajtur pa forcë dhe fantazi. Trajneri Mustedanagiç në minutën e 60-të hodhi në fushë mesfushorin e avancuar Gjergji Muzaka – autor i golit të barazimit në minutën e 87-të në Rumani (1-1) – në vend të mesfushorit shkatërrues Ervin Bulku, jo në një nga ditët më të mira të tij e që kishte shpenzuar më shumë energji.

Në të 62’, mesfushori Timofei Kalaçev goditi nga larg, por topi u devijua nga autori i golit Vitali Rodionov, ndërsa sfera kaloi mbi shtyllën horizontale.

Momenti më i mirë i Shqipërisë erdhi në minutën e 68-të, kur Hamdi Salihi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes bjelloruse, por sulmuesi i Rapidit të Vjenës, i dalluar për nuhatjen e tij dhe si një “vrasës i zonës së vogël”, nuk mundi të mposhtë portierin Zhvenov për të relizuar golin e barazimit për Kombëtaren tonë.

Ndihmësi i Josip i Kuzhesë, Mustedanagiç, reflektoi duke parë më shumë në drejtim të sulmit, duke hedhur në lojë Elis Bakajn në vend të Gilman Likës në të 76’.

Një minutë më pas, erdhi edhe goli i dytë i Bjellorusisë, kur pas një gabimi të Skelës, zëvendësuesi Sergei Krivets, i sapo hyrë në lojë shënoi me kokë, duke shënuar golin e dytë për bjellorusët.

Mustedanagiç provoi dhe kartën e fundit duke hedhur në lojë sulmuesin Edmond Kapllani në vend të Ervin Skelës të rënë nga forca fizike. Shqipëria tani me katër lojtarë ofensivë: Salihi, Kapllani, Bakaj dhe Muzaka.

Minuta e 90-të solli edhe ndëshkimin me kartonin e kuq të Armend Dallkut nga gjyqtari danez Rasmusen pas kartonit të dytë të verdhë. Një humbje që djeg, e që duhet të provokojë edhe një reflektim e analizë të Kombëtares, që tashmë edhe pas sëmundjes së Josip Kuzhesë, duket se në ndeshjet e pranverës së ardhshme e që nis sërish kundër Bjellorusisë do të jetë më një trajner të ri.

BJELLORUSI-SHQIPERI 2-0

Shenues: Rodionov 10′ ,  Krivets 77′
Karton i kuq: Dallku 89′

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here