Home Politike Akuza e fortë e Topit:”Politika e pasinqertë, vepron sikur na ka jetën...

Akuza e fortë e Topit:”Politika e pasinqertë, vepron sikur na ka jetën në dorë”

598
0

Bamir Topi në cilësinë e kreut të Shtetit ka shpalosur një fjalim të ashpër ndaj politikës shqiptare duke e cilësuar situatën një tallje me qytetarët. Ai përfitoi nga ceremonia e dekorimit të disa prej figurave që janë spikatur ditën e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, për të dhënë një mesazh për klasën politike. Mesazhi ishte ilustruar me elementë të debatit aktual politik, si bllokimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore, përdorimi i gjuhës së ulët, taksat apo ballafaqimi i drejtpërdrejtë i programeve, për të bërë thirrje për një debat në funksion të qytetarit.
Deklarata
Protagonistët e vërtetë të rrëzimit të diktaturës janë sfumuar nga politika. Presidenti bëri këtë deklaratë gjatë dekorimit të 10 prej protagonistëve të 20 shkurtit ‘91 , të cilët kontribuuan në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha. “Sinqerisht, jemi në momente shumë të rëndësishme, kur vërtet njeriu ndonjëherë ndihet i pa-orientuar, kur debatet e vogla, pa substancë, ngrihen dhe dominojnë të gjithë qenien tonë, të gjithë ambientin familjar, ambientin shoqëror. Unë do të dëshiroja që, edhe nga ky mjedis, të cilin ju siguroj që e vlerësoj shumë, duke ju njohur personalisht, duke qenë pothuajse i informuar për të gjitha linjat jetësore të gjithsecilit, dhe nga ky buron vlerësimi për ju, secili në pozicionin e tij, por, sikurse thashë të gjithë së bashku, për të rritur standardet e demokracisë! Është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve. Është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë. Por, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin. 8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor”, tha Topi.
Debati politike
“Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore. Dhe projektet madhore i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëz me vizion. Prandaj, kjo është e arsyeshme që, edhe nisur nga predispozita të tilla, ne kemi nevojë që, edhe ju të jeni të pranishëm, pikërisht për t’i kërkuar politikës këtë. Edhe propozime të tjera, që janë shumë të arsyeshme, sikurse i paraqitëm. Gjithsesi, unë padashur që t’i jap një natyrë tjetër, por më shumë, i nxitur pozitivisht nga ato propozime, unë mora fjalën dhe në fakt, kjo fjalë shkon, në pjesën më të madhe për të vlerësuar të gjithë përkushtimin tuaj, karrierën tuaj, karrierën e njerëzve të thjeshtë, por që sot kanë lënë një emër të madh”, deklaroi Presidenti.

Moisiu: Nuk ka garanci për zgjedhje të ndershme
Ish presidenti i vendit, Alfred Moisiu ka shprehur shqetësimin se nuk ka asnjë garanci për zgjedhje të ndershme. Gjatë tryezës së përbashkët të organizuar nga Forumi Civil, Moisiu ka theksuar se sugjerimet e forumit për proces të drejtë e zgjedhje të ndershme kanë ndeshur në murin e “betontë të mungesës së dëshirës për të bërë atë që duhet”. Sipas tij, mungesa e kohës që deklarohet është vetëm një justifikim. “Nuk po shoh asgjë të re që të na japë shpresë që nuk do përsëriten situatat e shkuara. Nuk po kuptojmë dhe nuk shpjegojmë dot se ku qëndron optimizmi që çdo gjë do shikojë mirë. Asnjë nga kushtet nuk ka ndryshuar. Ku është garancia?”- ka thënë Moisiu. Ai ka kërkuar bashkëpunim nga ndërkombëtarët në mënyrë që zgjedhjet vendore të kapin standardet e kërkuara. “E kam vështirë të besoj se zgjedhjet do jenë të ndershme, sepse po shoh që akoma mbretëron lajtmotivi që ta mbajmë pushtetin me çdo kusht, ose ta rrëzojmë me çdo kusht. Nuk ka garanci për të besuar mbi ndershmërinë e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka lëvizur në mentalitetin e politikës shqiptare”- tha ai.

Ish të përndjekurit reagojnë për regjistrimin e popullsisë
Ish të dënuarit politikë te Shqipërisë, në themel të programit dhe të veprimtarisë së tyre, kanë pasur dhe kanë çështjen kombëtare. Shumë nga shokët tanë, shkuan përpara skuadrave të pushkatimit duke brohoritur për Shqipërinë të pavarur, të lirë e demokratike, të bashkuar e të përparuar. Regjimi komunist na dënoi sepse e deshëm Shqipërinë si gjithë Evropa dhe sepse donim që të ishim pjesë e saj, me të drejta të barabarta, duke ruajtur dinjitetin dhe identiteti tonë kombëtar. Ne përshëndesim dhe mbështesim nismën e Kreshnik Spahiu, që më një referendum mbarë popullor të anulohet ky lloj regjistrimi djallëzor, i kërkuar me urgjencë nga qarqet shoviniste greke. Shqiptarët duhet të ndihen të zotët e këtij vendi të mos pranojnë  urdhra nga Athina. Ne i bëjmë thirrje politikanëve dhe shtetarëve tanë, që të jenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe çdo marrëveshje me ta, të bëhet mbi baza të drejta e me interes të ndërsjellë. Qeveria të largojë sa më parë konsullin grek me qëndrim në Korçë, si person “non grata” mbasi ai e ka sfiduar dy herë shtetin tonë: me shashkat ultrancionaliste që hodhi si me rikthimin e tij në krye të detyrës si konsull i Greqisë.

Aleanca Kuq e Zi në Kishën e Laçit
Aleanca Kuqezi zhvilloi dje takime me qindra besimtarë katolik pranë Kishës së Shën Andonit. Aleanca Kuqezi diskutoi me besimtarët katolik për çështjen e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare si dhe aspektet antikushtetuese të këtij procesi. Gjatë takimit qindra besimtarë katolik nënshkruan peticionin kundër regjistrimit mbi bazë të vetëdeklarimit etnik dhe fetar. Peticioni kundër regjistrimit të popullsisë pa kritere objektive dhe mbi baza etnike ka filluar të nënshkruhet në Vlorë, Elbasan, Pogradec, Tiranë, Fier, Korçë etj. Sipas dispozitave Kushtetuese një nismë ligjore mund ta ndërmarrin edhe 20 000 qytetarë me të drejtë vote. Nismëtar i këtij peticioni u bë juristi i njohur Kreshnik Spahiu i cili nënshkroi i pari peticionin në sheshin e flamurit të qytetit të Vlorës. Po dje Aleanca Kuqezi zhvilloi një tubim me studentë dhe qytetarë të qytetit Kurbinit në kuadër të kësaj fushate ndërgjegjësimi të popullsisë për problemet dhe tensionet etniko-fetare që mund të shkaktoj ky regjistrim, i cili nuk i përmbahet as standardeve Evropiane dhe as parimeve të Kushtetutës shqiptare.

Taulant Balla padit penalisht lëvizjen “Zgjohu”
Partia Socialiste ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për krerët e lëvizjes “Zgjohu” me akuzën e përdorimit të burimeve financiare të dyshimta në një fushatë publicitare që siç tha deputeti Taulant Balla është e mbështetur në mashtrime dhe në gjuhën e urrejtjes ndaj opozitës. “Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh prej muajsh me një organizatë  të ashtuquajturës së shoqërisë civile që ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma të pallogaritshme parash, në një fushatë me mashtrime publike dhe gjuhë urrejtje kundër PS dhe kundër opozitës së Shqipërisë. Ndërsa vetë drejtuesit e kësaj organizate nuk dinë dhe nuk japin shpjegime se nga burojnë këto shuma të pallogaritshme parash për të mbështetur këtë fushatë publicitare, që e përsërisë, me gjuhë urrejtje dhe mashtrime kundër opozitës”, është shprehur Balla. “Vetëm në muajin shkurt kjo organizatë ka shpenzuar në fushatën publicitare kundër opozitës, 500 milionë lekë. 500 milion lekë të shpenzuara me spote publicitare, me gjuhë urrejtje, mashtrime kundër opozitës. Ku është KKRT? Ku është KQZ-ja? Të cilat nuk duhet të lejojnë një organizatë të tillë të përdori fonde, para për këtë fushatë jo ligjore publicitare. Kush është burimi i këtyre parave? Këto para nuk asnjë burim tjetër, përveçse burim kusarie, para të pista që po përdoren në një fushatë publicitare të pandershme. Prandaj sot në emër të Grupit Parlamentar të PS, unë dorëzova një kallëzim penal përkundrejt drejtuesve të kësaj organizate, të cilët duhet të japin llogari se nga burojnë këto para të pista, të cilat po sponsorizojnë një fushatë të pandershme publicitare, jo ligjore”, theksoi Balla. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi nga Prokuroria të zbardhë këtë skandal në të cilin janë të implikuar krerët e lëvizjes “Zgjohu”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here