Gjatë stinës së verës mund të ndodh rishfaqja e problemeve me kolitin spastik. Koliti spastik ose sindroma e zorrës së irrituar është ndër patologjitë më të shpeshta që haset rëndom në punën e përditshme të mjekëve gastroenterologë. Kjo sëmundje përfaqëson një çrregullim të mirëfilltë të motorikës normale të zorrës, si pasojë e gjendjeve emocionale, dietës (intolerancës ndaj disa ushqimeve si ushqimeve të skuqura, alkoolit, qumështit, çokollatave, lëngut të domates, kafesë etj.), hormoneve të tubit tretës, toksinave të mikrobeve të ndryshme.
Stresi emocional, sipas specialistëve, është një ndër faktorët kryesorë që shkakton tek personat që vuajnë nga koliti në fazën akute të sëmundjes kontraksione të zorrës, 10 herë më të fuqishme se në personat e shëndoshë. Përdorimi pa kriter i kondicionerit, temperaturat e larta dhe mbi të gjitha ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes ndikojnë në shfaqjen e problemeve të kolitit spastik.
Mjekët rekomandojnë që personat që vuajnë nga këto probleme të ndjekin një stil jete të shëndetshme, të shmangin abuzimet me ushqimet dhe korrentet e ajrit për të shmangur rishfaqjen e shenjave të kolitit spastik. Sipas mjekëve, shpeshherë gjatë kësaj stine janë të shpeshta rastet e acarimit të simptomave. Arsyeja qëndron te klima, mënyra e ushqyerjes dhe gjendja psikologjike, të cilat mendohet të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie. Kështu korrentet e ajrit, abuzimi me ventilatorët dhe kondicionerët bëhen shkaktar i kolikave abdominale. Po ashtu, negativish ndikojnë edhe ushqimet dhe pijet e ftohta, që krijojnë spazma në aparatin tretës me pasojë probleme për kolitin spastik.
Nga ana tjetër, i nxehti tenton të ulë dhe ngadalësojë lëvizjen intestinale që ndikon në shfaqjen e problemeve me kolitin që karakterizohet me kapsllëk të alternuar me diarre. Po ashtu një nga faktorët kryesorë që ndikon në shfaqjen e problemeve është abuzimi me menynë. Gjatë stinës së nxehtë konsumohen ushqime të skuqura, me erëza, ushqime të nxehta, fast-foode dhe të pasura me kalori. Të gjitha këto ushqime ndikojnë në gjithë aparatin tretës, duke sjellë probleme dhe për kolitin. Përveç kësaj, disa fruta dhe perime, që janë tipike për stinën ndikojnë në acarimin e kolitit spastik, të tilla si: mollët, kumbullat, domatja, etj.
Simptomat e sëmundjes
-Dhimbje barku
-Kapsllëk ose diarre
-Fryrje e barkut
-Gurgullima të zorrëve
-Rëndimi në stomak
-Ndjenjën e rremë të defekimit
-Të përziera apo të vjella
-Ushqimet që nuk duhen konsumuar
-Ushqimet e skuqura
-Alkooli
-Qumështi
-Çokollata
-Lëngu i domates
-Kafeja
-Lëngjet e gazuara
-Lakrat
-Mollët
-Kumbullat
-Bizelet
-Fasulet
-Duhani
Sëmundjet e zorrëve
Produktet ushqimore paraqesin faktor të rëndësishëm në bartjen e sëmundjeve ngjitëse të zorrëve. Rëndësi më të madhe kanë produktet me prejardhje shtazore, që mund të paraqesin mjedis ideal jo vetëm për qëndrimin e agjentit, por edhe për shumimin e tij. Vera llogaritet si stinë në të cilën numri i sëmundjeve ngjitëse të zorrëve rritet. Nga ky grup i sëmundjeve më të shpeshta janë: enterokoliti akut (zemra), helmimi me ushqim, dizenteria, hepatiti virusal A, salmonelozat, etj. Sipas numrit të të infektuarve, sëmundjet e zorrëve zënë vendin e parë në rangimin e sëmundjeve infektive. Arsyet për shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund të jenë të ndryshme, por në të shumtën e rasteve janë agensët infektivë si bakteret, viruset dhe parazitët. Megjithatë shkaqet e infektimit mund të jenë edhe kimike, nutritive, metabolike dhe psikogjene.K ëto sëmundje shfaqen gjatë gjithë vitit, por dukshëm më shpesh hasen në muajt e verës.
Sëmundjet ngjitëse të zorrëve veçanërisht janë të shpeshta tek foshnjat dhe tek fëmijët e moshës parashkollore, duke përbërë mbi 60 për qind të sëmundjeve ngjitëse të zorrëve në përgjithësi. Sëmundje më e shpeshtë ngjitëse e zorrëve është enterokoliti akut, zemra që dominon ndaj sëmundjeve të tjera me gjithsej 70 për qind të rasteve. Sëmundjet ngjitëse të zorrëve përcillen nëpërmjet ujit, ushqimit dhe kontaktit të drejtpërdrejtë. Uji ka rol të rëndësishëm në shfaqjen dhe përcjelljen e sëmundjeve ngjitëse të zorrëve.
Produktet ushqimore paraqesin faktor të rëndësishëm në bartjen e sëmundjeve ngjitëse të zorrëve. Rëndësi më të madhe kanë produktet me prejardhje shtazore, që mund të paraqesin mjedis ideal jo vetëm për qëndrimin e agjentit, por edhe për shumimin e tij. Mënyra e tretë e përcjelljes së sëmundjes ngjitëse të zorrëve është nëpërmjet kontaktit. Kjo mënyrë është shumë e shpeshtë dhe e pranishme dhe mund të shkaktohet nëpërmjet kontaktit direkt dhe indirekt.
Salmonela
Ditët e nxehta, paralajmërojnë shtimin e rasteve me sëmundjen e salmonelës. Shkaktarë është një mikrob që shumohet në temperatura të larta. Me termin salmonelozë përfshihen të gjitha infeksionet që shkaktohen nga bakteret e gjinisë së salmonelave, të cilat paraqesin forma klinike të ndryshme duke filluar me baktereminë, siç ndodh me ethen tifoide, paratifon dhe infeksione me lokalizime jashtë zorrës, si: në kocka, zemër deri në rastet kur infeksioni është i lokalizuar vetëm në tubin tretës, duke shkaktuar enterokolit. Këto janë sëmundje infektive, që shkaktohen nga bakteri i salmonelës. Salmonelat janë baktere gramë negative. Shumica e tyre ngordhin në temperaturën 55 gradë celsius për një orë, ndërsa në 60 gradë për 15-20 min. Por në disa raste ato mund t’u rezistojnë temperaturave të larta, sidomos kur janë në mjedise që përmbajnë proteina si: mishi, veza etj.
Shumica e salmonelave ngordhin në pH acid. Salmonelat mbijetojnë në akull për një periudhë të gjatë kohe.
Rreziku ekziston gjatë gjithë vitit, por në fakt probabiliteti për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës, për shkak të faktit që ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet dhe përhapet më shpesh gjatë ditëve të nxehta, favorizuar kjo dhe nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Veç këtij fakti, mungesa e higjienës në gatimin e ushqimeve, apo akulloreve, pijeve të ftohta, bën që kjo sëmundje të jetë mjaft e shpeshtë gjatë stinës së verës.
Fakti që salmonela është një mikrob që mund të gjendet kudo, e bën të pamundur mbrojtjen komplet prej saj. Gjithsesi rekomandohet shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, respektimi i një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Kujdes duhet treguar në përgatitjen e ushqimeve si akulloret, vezët dhe mishi, që thamë që është terren i përshtatshëm për vendosjen e salmonelës. Gatimi duhet të bëhet në temperatura të larta. Rekomandohet gjithashtu trajtimi me kujdes i çdo episodi diarreik që zgjat në kohë, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet e mundshme që mund të shfaqen.
Shenjat
-Diarre e ujshme
-Të vjella ose të përziera
-Dhimbje koke
-Dhimbje stomaku
-Këputje trupi
-Temperaturë
-Mungesë oreksi
-Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh
Diarretë infektive
Diarretë infektive mund të hasen në çdo moshë. Rëndësia e tyre lidhet me rrezikun e dehidratimit që mund të ndodhë sidomos te fëmijët dhe të moshuarit. Ato mund të shfaqen në formë sporadike apo endemike. Diarretë infektive janë të lidhura pothuajse vetëm me çrregullimin e sekretimit dhe të thithjes. Ato më shpesh janë akute dhe më rrallë subakute dhe kronike. Sëmundje që shfaqet me dalje jashtë të shpeshta e si ujë, heqja e shpeshtë e barkut. Para një shekulli diarreja ka qenë sëmundja më e përhapur kryesisht tek të rriturit, kjo për shkak të keq ushqyerit dhe mënyrës së jetesës. Diarreja është sëmundje infektive që duhet kuruar medoemos.
Diarreja shkaktohet nga bakteret, viruset dhe parazitët. Larja rregullisht e duarve parandalon diarrenë. Afro 2 milionë fëmijë në botë vdesin çdo vit nga diarreja. Varfëria, kushtet e këqija higjienike dhe uji i ndotur i përdorur për të pirë shikohen si shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje. Por një studim i ri i kryer në Pakistan tregon se larja rregullisht e duarve pakëson rastet e vdekjes, madje edhe në situata të rënda. Në familjet ku larja e duarve kryhej rregullisht, rastet e diarresë u pakësuan 50 për qind. Studimi tregon se simptomat shfaqen si pasojë e pirjes së ujit të ndotur, apo keq ushqimit. Me gjithë këto kushte të vështira, në vetvete burim sëmundjesh, gjatë studimit u vu re se vetëm si rrjedhim i larjes rregullisht të duarve, rastet e diarresë u pakësuan dukshëm.
Simptomat
-Jashtëqitje të shpeshta për gjatë gjithë ditës
-Zverdhje të lëkurës në të gjithë trupin
-Ethe dhe në disa raste edhe temperaturë
-Jashtëqitja në të gjitha rastet është në trajtën e ujit.