Home Politike Rama surprizon: “Referendum per mandatin tim”

Rama surprizon: “Referendum per mandatin tim”

136
0

rama-kryeministerMe një “Mea Culpa” për shkeljet e statutit të partisë, kryesocialisti Edi Rama ka bërë një propozim surprizë për mandatin e tij të parinovuar përmes zgjedhjeve në 4 vjet brenda partisë: Mbajtjen e një referendumi në të gjithë vendin, ku anëtariësia socialiste të pyetet nëse duan ose jo të ndërpritet mandati i Ramës si kryetar i partisë.

“Ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim, as ju as ne në Kongres. Ta vendosin me votë të lirë, të fshehtë, në përgjigje të pyetjes: Nëse mandati im duhet të ndërpritet. Sipas meje e mbështes me bindjen më të plotë rregullimin e statutit sipas modelit laburist. Mandati nuk kalohet me një votim shumice, nuk kalohet as në kongres. Se mandati im është marrë me një anëtar një votë dhe s’mund të kalohet në kongres. Statuti është bërë alibia, kurse qëllimi është rrëzimi i qeverisë, ndryshimi i programit të qeverisë për të cilën kanë votuar shqiptarët”, tha Rama.

Shefi i mazhorancës pranoi publikisht përgjegjësinë personale për shkeljet në status, siç është mungesa e mbledhjeve të Asamblesë dhe të Kryesisë, duke kërkuar ndjesën e çdo socialisti.

“Mea culpa. Është fakt që kjo punë duhej të kishte nisur më parë, 2 vjet e gjysmë më parë duhej të ishte trajtuar çështja e rinovimit të mandatit tim. Kjo Asamble dhe Kryesia duhej të ishin mbledhur, unë jam përgjegjësi kryesor. Sepse duke parë sa shumë kemi përfituar në këto 6 muaj pune serioze me partinë merre me mend sa do kishim fituar po të ishim kujdesur përditë për përtëritjen e partisë”

Por Rama u kujdes të bëjë edhe veçime nga kjo ndjesë.

“Kërkoj sinqerisht ndjesën e çdo pjesëtari të kësaj familje politike, dhe absolutisht të askujt tjetër, se askush tjetër nuk ka tagrin të më bëjë mua moralin e vlerave dhe të parimeve Demokratike. Duan s’duan kundërshtarët tanë të lodhur apo përgojuesit tanë të shumë. Të gjithë ata që nuk na duan kjo parti ka disa merita që nuk i ka asnjë organizatë tjetër politike në këtë Shqipërinë tonë”, – tha kreu i qeverisë.

Po ashtu, Rama, kërkoi ndjesë që nuk diti të bëjë detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri si të kreut të qeverisë. Por për këtë, Rama jep arsyen e tij: Gjendjen e vështirë në të cilën mori në dorëzim drejtimin e vendit si kryeministër, ndryshimi i të cilit ishte barrë e madhe – siç tha Rama – për të gjithë.

“Nuk kam qenë i aftë të gjej në rrugën pas zgjedhjeve vëmendjen, energjinë, kohën e nevojshme për ta bërë edhe këtë detyrë me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit, se kjo e dyta më pushtoi me pahir, në kushte shumë të rënda që morëm detyrën për të qeverisur vendin. Ashtu siç na pushtoi të gjithëve sipas peshës së barrës në kurriz. As unë nuk munda, nuk dita dhe nuk e bëra këtë detyrë siç duhej dhe do kisha dashur. Kur morëm në dorëzim çelësat e qeverisë u gjendëm në një gjendje të jashtëzakonshme”, – tha Rama.

Rama i pergjigjet Blushit per kritikat ndaj partise dhe qeverisjes
Edhe pse gjatë gjithë fjalës së tij nuk ja përmendi asnjëherë emrin, kryesocialisti Edi Rama foli ashpër përballë kritikave që deputeti Ben Blushi i bën jo vetëm partisë por edhe qeverisjes së majtë. Pa folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, Rama la të nënkuptuar se mund të shkohet edhe drejt përjashtimit të Blushit nga radhët e PS-së, kur tha se “Nuk ka sesi të bashkëjetojmë normalisht nëse ndahemi edhe për faktet, jo për opinionin”. Deklaratën e tij Rama e plotësoi me arritjet sipas tij të pamohueshme të qeverisë, në punësimin dhe jo vetëm.

“Nuk mundet një diskutim legjitim për statutin të kthehet në një debat hileqar, madje më fishkëlleni mua sa të doni dhe hallall jua bëj edhe retorikën për njeriun e vetëm që paska frikë të votohet. Por nuk mund të kemi fakte të ndryshme mbi qeverisjen, ky është një problem i madh që Shqipëria e ka me Saliun. Por ky problem nuk mund të importohet brenda në PS. Ku e kemi luksin që brenda nesh ta ndihmojmë përbaltjen e Berishës, për çfarë? Që të luftojmë qeverinë tonë sikur është e varfërisë? Për të sulmuar në mënyrë jo solidare dhe as parimore qeverisjen. Ku është parë kjo, ku ndodh kjo, në cilën parti demokratike të planetit? Nuk ka sesi të bashkëjetojmë normalisht nëse ndahemi edhe për faktet, jo për opinionin. Këto i thotë Saliu, nuk ka nevojë t’i dëgjojmë me njëri-tjetrin. Nuk ka demokraci e liri që këtë e lejon, por sigurisht këtë s’mund ta zgjidhim këtu”.

Sipas Ramës kritikat e vazhdushme të deputetit Blushi për shkeljet e statutit të PS-së, ajën thjesht alibi, pasi siç theksoi kryesministri – qëllimi është rrëzimi i qeverisë.

“statuti është bërë alibia, kurse qëllimi është rrëzimi i qeverisë, ndryshimi i programit të qeverisë për të cilën kanë votuar shqiptarët”, tha Rama.

Duke shprehur krenari për Partinë Socialiste dhe për procesin e zgjedhjes së delegatëve për Kongresin e PS-së, Rama i dha përgjigje dhe akuzave të deputetit Ben Blushi për futjen e kriminelëve në parti dhe për keqqeverisje duke e quajtur “përgojues” në radhët e PS-së.

“Armiqësitë duan të na baltosin si partia që solli më shumë kriminale në kuvend, por ne sollëm më shumë gra se të gjitha vitet e tranzicionit të marra së bashku. Sa për kriminelët mbetet vetëm keqardhja që është bërë zhargon, i një politike që mllefin e ka më të madh se turpin, gjuhën e ka më të gjatë se shikimi, . Problemi nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi, janë shpifjet e pafundme, denoncimet e paskrupullta ndaj çdo ideje që hap një rrugë të re. Çdo pune që sjell një produkt real më shumë. Nuk kundërshtohet ideja, por baltoset njeriu”, u shpreh kryesocialisti Rama.

Megjithatë, Rama dënoi incidentin që ndodhi ndaj deputetit Ben Blushi në Pallatin e Sportit në Elbasan, ku tha se fishkëllimat që salla lëshoi ndaj tij ishin të padrejta.

“Në këtë mjedisin tonë dëgjohesh dhe gjykohesh me durim si në asnjë organizatë tjetër. Në këtë mjedisin tonë ka edhe gjykatë, ka edhe mosmarrëveshje, por pastaj na vjen keq që ndodhin. Na vijnë vërshëllima nga stoli i rezervave, që natyrisht është diçka e pasjellshme. Më mirë të mos kishte ndodhur, por asnjë nga këto nuk e bën më të vogël vlerën e punës së madhe të qeverisë sonë”, shtoi kryesocialisti.

Kreu i qeverisë çeli mbledhjen e Asamblesë të Partisë Socialiste që mbahet në prag të Kongresit, kërkoi falje ndaj kujtdo që mund t’i ketë hyrë në hak, ku në disa momente mund të ketë gabuar gjatë qeverisjes në raport me kolegët e deputetë, por pa specifikuar emër.

“Kemi mësuar shumë në rrugën e kësaj përpjekjeve të përbashkët dhe nga njeri-tjetri dhe ato nuk janë mjaft për të mos gabuar ndonjëherë. Rëndësi ka që në përgjegjësinë e lartë të qeverisjes, të mos na yshtë në gabim vogëlsia e qenies sonë. Askush nga ne nuk e ka të mundur t’i shpëtojë zvogëlimit kudo e kurdoherë dhe unë jam i vetëdijshëm për këtë nëse jam treguar i vogël, i kërkoj ndjesë’, u shpreh Kryeministri Rama ndër të tjera.

Rama: Per 2017-en na duhet nje PS e reformuar
Rama tha se Partia Socialiste ka arritur rezultate të konsiderueshme në këto vite qeverisje, por në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës, ajo, sipas tij, duhet të marrë pjesë tërësisht e reformuar.

“Besoj fortë se në këta 30 muaj kemi treguar shumë për vlerën kombëtare të PS sepse kemi bërë për Shqipërinë e sotme dhe atë të gjeneratës tjetër. Kemi mundur të mësojmë shumë, edhe diçka mund të bëjmë më mirë dhe shumë më mirë. Një ndër këto mësime ka qenë se sa më shumë se përpara zgjedhjeve vendore të 2015-ës na duhet në rrugën drejt zgjedhjeve të 2017-ës, një parti socialiste e reformuar e ripërtërirë, e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale. Një PS aktive në komunikim me interesin qytetar, një rrjet social i shtrirë në gjithë territorin fizik. Ne do të vazhdojmë përpara të qeverisim me kurajo dhe vendosmëri duke fuqizuar si asnjëherë më parë forcën udhëheqëse të këtij transformimi, Lumi i baltës ndaj nesh do të vijë duke u shtuar. Parti politike dhe tribuna mediatike të rreshtuara qartë apo paqartë, individë me interesa bashkohen që të na shkurajojnë ndërkohë që ne do të qeverisim përpara me vendosmëri dhe duke e fuqizuar forcën udhëheqëse të këtij transformimi, PS-së, të cilës duhet t’i hapim sa më shumë krahët, t’i japim më shumë zë dhe zemër nga zemra e Shqipërisë që do rend dhe rregulli, paqe e siguri, që mësuesit ta meritojnë vendin e punës, që zanatet e diplomat ta meritojnë investimin e prindërve, legalizime falas dhe çertifikata të tokës bujqësore, qytete që ngjajnë si qytete dhe jo si humbëtira të një kohe që ka perënduar 25 vjet më parë. Qeveria jonë e aleancës për Shqipërinë Europiane e ka nisur rrugën që ka imponuar një rrugë dhe për PS-në që mori udhë në asamblenë e verës së shkuar kur vendosëm të rizgjidhemi duke u reformuar”, u shpreh shefi i mazhorancës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here