Home Aktualitet SHIU: Trafikantet e droges marrin informacione nga ushtria

SHIU: Trafikantet e droges marrin informacione nga ushtria

577
0

anije-luftarakeUshtarë profesionistë që janë pjesë e rradhëve të ushtrisë shqiptare dhe që kanë qënë në këto struktura, i shërbejnë grupeve kriminale, që trafikojnë drogën drejt Italisë dhe që kanë monopolin e kontrabandës në ujërat detare.

Alarmi vjen nga Shërbimi Informativ Ushtarak, i cili gjatë hetimeve operative, në kohë të ndryshme ka konstatuar se ushtarë të rekrutuar kundrejt pagesës në Flotiljen Detare të Jugut, kanë spiunuar tek grupe të caktuara kriminale, duke i informuar rreth lëvizjeve të anijeve të Policisë Shqiptare dhe Guardia Di Finanza në ujërat detare.

Bëhet fjalë për kapjen e pikave kyçe të vëzhgimit të hapësirës detare në zonën e jugut, ku efektivë të ushtrisë sinjalizojnë grupe kriminale rreth lëvizjeve të anijeve në det, orë pas ore. Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se pikat më të lakmuara të trafikantëve të drogës, janë ishulli i Sazanit, pika e vëzhgimit në Himarë, Ksamili, Porto Palermo dhe pika e vëzhgimit në Zvërnec Vlorë.

Pikërisht nga këto pika arrihet të monitorohet i gjithë trafiku detar në zonën e jugut, aty prej nga niset fluksi më i madh i gomoneve të ngarkuara me armë dhe drogë. Një situatë e tillë tregon se trafikantët jo vetëm që monitorojnë lëvizjet e policisë në tokë, por janë të informuar me detaje dhe për lëvizjet në det.

Funksionimi i rrjetit
Gjatë hetimeve operative në vite të ndryshme Shërbimi Informativ Ushtarak, ka mbajtur në vëzhgim dhe përgjim dhjetëra raste të ushtarëve profesionistë, që janë futur mes rradhëve të ushtrisë dhe që u është ngarkuar detyra e vëzhgimit të trafikut detar.

Sipas të dhënave gjithçka fillon nga oficerët dhe gjeneralët, që kanë drejtuar flotiljet detare në jug të vendit, të cilët kryejnë rekrutimet e ushtarakëve, kundrejt pagesës. Në disa raste, oficerë dhe gjeneralë kanë marrë shuma të konsiderueshme lekësh, kundrejt plotësimit të dëshirës së “ushtarit”, për të qënë në pika të caktuara vëzhgimi.

Gjithçka është mjaft e organizuar, si në tokë, ashtu dhe në pjesën e detit. Njerëzit që janë pjesë e këtyre grupeve kriminale dhe që janë financuar prej tyre për të qënë me “detyrë ushtarake” në pikat e vëzhgimit të trafikut detar, informojnë nëpërmjet telefonave, bashkëpunëtorët e tyre në terren, rreth lëvizjeve të anijeve policore në det. E gjitha kjo skemë inkurajon anëtarët e grumeve kriminale, për të marrë veprime të kontrolluara në teren, duke sistemuar lëndën narkotike, pranë bregut të detit dhe nxjerrjen e gomoneve në lundrim në det të hapur.

Sinjalizimi bëhet dhe në rastet kur mjeti transportues vjen nga Greqia apo dhe Italia, ku vëzhguesit e ushtrisë kanë informuar bashkëpuntorët, për mbëritjen e gomones që do të marrë mallin. Spiunët në shumë raste tregojnë me imtësi koordinatat e vendodhjes së mjeteve lundruese të policisë shqiptare dhe asaj italiane, dhe nëse këto të fundit ndodhen në vijë të largët, atëherë kryhet dhe nisja nga bregu i gomoneve të trafikantëve të ngarkura me drogë dhe armë.

Prerja e lidhjeve
Në disa raste Shërbimi Informativ Ushtarak, ka arritur të dyshojë rreth veprimeve të ushtarëve që ishin caktuar në pikat e monitorimit të trafikut detar. Sipas burimeve, menjëherë është kërkuar transferimi i këtyre “ushtarëve” në reparte të tjera, ku nuk kanë kaluar shumë kohë dhe pjesa më e madhe e tyre kanë dhënë dorëheqjen duke u larguar nga rradhët e ushtrisë.

Si argumentim për dorëheqjen e tyre, është bërë transferimi në zona të izoluara dhe larg vendbanimit, e nisur nga këto kushte ata janë larguar. Por ndryshe pasqyrohet situata nga ana tjetër, pasi pas largimit nga ushtria sërisht këta individë vijojnë të jenë pjesë e grupeve kriminale që veprojnë në zonat jugore, duke trafikuar drogë drejt Italisë dhe Greqisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here