Ekzekutohet me armë zjarri një nga aksionerët në galeritë e kromit në Bulqizë. Gjin Nika është vrarë pas mesnatës, rreth orës 12:30 të së premtes tek Ura e Tapizës, mes Kamzës dhe Fushë-Krujës.
Nika është liruar pak javë më parë nga paraburgimi, pasi ishte arrestuar në Tiranë gjatë muajit janar, si i dyshuari kryesor për dy vrasje, një të ndodhur në Tiranë dhe një në Bulqizë.
Ekzekutimi i tij dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje. Nuk janë identifikuar autorët e këtij ekzekutimi, ndërkohë që policia është duke punuar për kapjen e tyre.
Gjin Nika dyshohej si autori i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën “Bajram Allaraj”, pak metra mbi tregun elektrik në kryeqytet.
Nika u vu në pranga nga uniformat blu vetëm pak ditë më pas si i dyshuari kryesor për këtë krim, i cili në atë kohë u fol se bëhej fjalë për konflikte në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë.
Gjin Nika ishte i dyshuar edhe për një ngjarje tjetër, ku janë përfshirë disa persona, të implikuar sërish me biznesin e kromit.