Home Sport Masa largon replikat: Alonson e lashë vetë të kalonte

Masa largon replikat: Alonson e lashë vetë të kalonte

760
0

Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga Çmimi i Madh Gjermanisë, replikat mbi fitoren e Ferrarit kanë qenë të shumta. Për të larguar zhurmën ka folur dje piloti brazilian i Ferrarit, i cili është kritikuar ashpër edhe media e vendit të tij. Masa deklaroi dje prerë dhe pa ekuivoke se Fernando Alonson e la të kalonte vetë duke shtuar se nuk kishte marrë asnjë urdhër nga drejtuesit e skuadrës. Sipas Masës, Alonso ishte tepër i shpejtë dhe ai nuk mund ta mbante pas. Ndërkohë pas garës, drejtuesit e skuderisë kokëkuqe janë thirrur për të dhënë shpjegime nga komisarët e pistës, ndërsa Ferrari është gjobitur 100 mijë dollarë për urdhrin e dhënë. Po ashtu, skuderia e Maranelos do të japë llogari edhe para Këshillit Botëror të FIA-s për parakalimin e Alonsos.
Çfarë ndodhi?
Fernando Alonso ka triumfuar në Çmimin e Madh të Gjermanisë, gara e 11-të e Botërorit të Formula 1. Piloti spanjoll i Ferrarit ka lënë pas shokun e tij të skuadrës Felipe Masa dhe pilotin e Red Bull Sebastian Fetel, por gara është pasuar nga polemika të shumta për shkak të një urdhri të skuderisë Ferrari që Alonso të kalonte Masën. Ishte xhiroja e 49-të e garës, braziliani ishte duke ecur në limite me spanjollin pas shpine, ndërkohë që Fetel ishte duke ngritur rrezikshëm ritmin. “Fernando është më i shpejtë se ty, a mund ta konfirmosh thelbin e këtij mesazhi?”, ishte pyetja e dalë nga bokset e Ferrarit për Masën. Piloti brazilian nuk u përgjigj, por disa kthesa më pas ngadalësoi dhe lejoi Alonson të kalonte. Një manovër, e cila tashmë quhet e ndaluar nga FIA, që pas parakalimit të famshëm të Shumaker ndaj Barrikelos. Menjëherë pas garës, bosi i Red Bull Kris Horner ka qenë tepër i ashpër. “Makinat Ferrari ishin të papërmbajtshme, por mbeta i shokuar nga parakalimi i Alonsos, – deklaroi ai. – Tani çdo gjë varet nga FIA, por urdhrat e skuderisë janë të ndaluara”, shtoi Horner. Fernando Alonso i pyetur për këtë u përgjigj se nuk e dinte fare se çfarë ndodhi, ndërsa Felipe Masa u mjaftua me një koment të shkurtër: “Sot ishim të shkëlqyer, fituam si skuadër”.
Forma e Ferrarit
Pavarësisht kësaj, Ferrari ka qenë në një formë të jashtëzakonshme në pistën e Hokenhaimit. Dy makinat kokëkuqe morën kryesimin që në start. Fetel i zuri rrugën Alonsos dhe harroi Masën, që kaloi i pari, ndërsa spanjolli menjëherë zuri vendin e dytë. Ky klasifikim qëndroi në xhiron e 49-të, kur Alonso parakaloi shokun e tij të skuadrës me një manovër jo shumë të rregullt. Në fund, spanjolli mori vendin e parë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës dhe nga Sebastian Fetel. Vendi i katërt i ka takuar Ljuis Hamilton, ndërsa menjëherë pas tij u rendit piloti tjetër i MekLaren Xhenson Baton. Pas kësaj gare, Botërori i Formula 1 vazhdon të kryesohet nga Hamilton me 157 pikë, i ndjekur nga Baton me 143 dhe dy makinat Red Bull të Veber e Fetel me nga 136. Ndërkohë Fernando Alonso ndodhet i pesti me 123 pikë.

Mediat spanjolle: Ibra është në shitje
Sipas mediave iberike, Zllatan Ibrahimoviç mund të lërë Barcelonën nëse vjen një ofertë e përshtatshme nga Mançester Siti apo Milani. El Mundo Deportivo, shumë prabë klubit katalanas, shkruan se vetë suedezi ka përjashtuar një transferim të mundshëm te Mançester Siti, por nuk mund të bëjë të njëjtën gjë në rast të një oferte konkrete të përshtatshme nga gjigandët kuqezi të serisë A, Milani. Por e përditshmja sportive italiane Corriere dello Sport thekson se klubi i sheikëve arabë mund të ofrojë më tepër se italianët. Nga ana tjetër, flitet se në betejën për Ibrën mund të futet edhe Hoze Mourinjo i Realit i cili është në kërkim të zëvendësuesit ideal të Raulit. Ky i fundit vendosi të vazhdojë karrierën te gjermanët e Shalke 04.

Baloteli-Siti, arrihet marrëveshja
Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer marrëveshjen që e çon sulmuesin në Premier Ligë sezonin e ardhshëm. Firma është vetëm çështje orësh. Sipas kësaj marrëveshjeje, lojtari do të përfitojë 3,8 milionë euro në sezon dhe do të nënshkruajë për pesë vite. Ndërkohë, në arkat e Interit do të shkojnë 35 milionë euro. Përpara nisjes në Shtetet e Bashkuara, për super Marion është organizuar një festë lamtumire nga miqtë e tij në një nga lokalet e Milanos. Siç raporton e përditshmja sportive italiane La Gazzetta dello Sport, në fund të festës 20-vjeçari u ka dhënë të pranishmëve adresën e tij të re: “Shihemi në Mançester”. Me shumë mundësi brenda ditës së mërkurë gjithçka do të jetë zyrtarisht e përfunduar në SHBA, ku Interi dhe Siti po zhvillojnë fazën përgatitore.

Besart Berisha poker me Arminian
Besart Berisha ka shkëlqyer në ndeshjen miqësore që ka zhvilluar skuadra e Arminia Bielefeldit në fundjavë. Sulmuesi shqiptar ka shënuar 4 gola në fitoren 10-1 kundër skuadrës së Kategorisë së Katërt, Pasauer Krasuausval. Shqiptari ka qenë i papërmbajtshëm dhe ka hapur serinë e golave që në minutën e 12-të të takimit. Më pas, ai ka shënuar edhe tre gola të tjerë (35’, 50’ 70’). “Berisha është në formë të shkëlqyer. Ai shënoi katër gola fantastikë në pozicione ekstremisht të vështira dhe dha një asist. Berisha është një lojtar me karakter të vështirë, por shumë i talentuar. Unë mendoj se ai duhet të bëhet shembull edhe për të rinjtë, që kanë ardhur kohët e fundit në ekip”, ka thënë trajneri, Kristian Zige, pas miqësores. “Një profesionist duhet të jetë gjithnjë gati për të shënuar gola”, ka thënë pas ndeshjes vetë Berisha. Tekniku i Arminia Bilefeld tashmë është vënë para përgjegjësisë. Sulmuesi shqiptar po bën paraqitje shumë të mirë në këtë fazë përgatitore. Ndaj numri një i stolit do të duhet t’i gjejë një vend në formacionin bazë, gjë që i ka munguar ish-sulmuesit të Kombëtares sonë në edicionin e kaluar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here