Një oficer i krimeve të Drejtorisë së Policisë së Durrësit ka mbetur i plagosur rreth orës 1:00 pas mesnatës së të shtunës në zonën e Kënetës, ndërsa kishte shkuar për kontroll në një banesë ku dyshohej se fshihej një grabitës. Agron Halilaj, 42 vjeç me gradë nënkomisar ka marrë 2 plumba, ndërsa bashkë me efektivë të tjerë kishin shkuar në shtëpinë e 32-vjeçarit Gazmir Marku, i cili dyshohej se kishte kryer një grabitje disa orë para. Mësohet se një banor i lagjes 15 kishte denoncuar tentativën për grabitje në lokalin e tij rreth orës 22:00 të së shtunës. Denoncimi në numrin 129 bëri që një patrullë e policisë dhe inspektori i krimeve Halialj të nisnin punën në drejtim të identifikimit të autorëve. Në bazë të dëshmive, autor i dyshuar i tentativës për grabitje rezultoi 32-vjeçari Marku. Patrulla me 3 punonjës policie është afruar pranë banesës së Gazmir Markut, ku në derën e oborrit të kësaj banese ka marrë kontakt me babain e tij. Në këtë moment, pa paralajmërim, në një distancë të afërt, 32-vjeçari ka qëlluar me breshëri me një armë zjarri automatik në drejtim të efektivëve të policisë. Më pas Marku është larguar në rrugicat e zonës informale, duke iu fshehur dhjetëra efektivëve, që për më shumë se 18 orë kanë bërë krehjen e zonës. Nënkomisar Halilaj është dërguar me urgjencë në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për 2 plumbat e marrë në krah. Aktualisht sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Në ndjekje të autorit janë vënë në mënyrë të menjëhershme shërbime të Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës, mbështetur edhe nga forcat RENEA, të cilët kanë vijuar me krehje të territorit. Vetëm disa orë pas ngjarjes, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, efektivi i plagosur ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash para banesës së të kërkuarit kur ai ka qëlluar pa asnjë lloj ngacmimi dhe pa paralajmërim.
Agron ku je plagosur?
Kam marrë dy plumba, një në dorën e majtë ku qëndron edhe vështirësia më e madhe sepse më ka tejshpuar kockën e dorës. Në krahun e djathtë, plumbi ka hyrë e ka dalë në mish dhe nuk ka problem të mëvonshëm. Mjekët më thanë që vështirësia qëndron në dorën e djathtë, sepse do dojë disa muaj që të shërohet. Fatmirësisht u mbyll vetëm me këto dy plagë.
Kur ndodhi ngjarja?
Pas mesnatës unë shkova në mbështetje të grupit të gatshëm në një banesë. Ishim tre persona, në zonën informale të kënetës. Shkuam për kontroll, sepse dyshohej që personi në fjalë ishte pjesëmarrës në një tentativë grabitjeje. Shkuam për të verifikuar e për të bërë kontroll shtëpie.
Si u plagosët?
Ne nuk kishim hyrë ende në shtëpi. Ishim jashtë derës së avllisë. Kërkuam të zotin e shtëpisë dhe po prisnim të na hapnin derën. Pa hyrë brenda, autori u afrua dhe kishte mbërthyer një kallashnikov duke qëlluar ndaj grupit të policisë. Në fakt nuk ishim përgatitur që do të përballeshim me armë zjarri. Policët janë shtrirë barkas në atë moment dhe kanë qëlluar ndaj agresorit. Ishin shumë afër me të, por nuk e merrnim dot me mend që mund të shtinte ndaj nesh.
Po më pas çfarë?
Unë di që plumbat vërshëllyen, mua më zunë dy plumba, që fatmirësisht pa rrezik për jetën.
Po autori?
Autori ka marrë makinën që kishin në shtëpi dhe është larguar me shpejtësi. Mua më sollën në spital kolegët. Isha ende i nxehtë dhe nuk e dija ku më kishte marrë plumbi.
Po autori a ka mbetur i plagosur?
Nuk e di ç’të them. Atë do të kapin kolegët dhe do ta vënë para drejtësisë. Për më tepër që unë jam inspektor policie dhe nuk më lejohet që të flas më shumë për shkaqe hetimore.
A keni një apel, një dëshirë?
Dua të them se kam shpëtuar mirë nga kjo ngjarje. Mezi pres të takoj familjarët e mi. Shpresoj që Vitin e Ri ta kalojmë mirë së bashku dhe kjo është jetë e dytë që dua ta gëzoj me djemtë. Por ka edhe një gjë tjetër, qytetarët duhet ta dinë që punonjësit e policisë përballen çdo ditë me krimin, janë ata që sigurojnë rendin dhe qetësinë.