Home Politike Meta kunder shkaterrimit te armeve kimike ne Shqiperi

Meta kunder shkaterrimit te armeve kimike ne Shqiperi

515
0

ilir-metaKreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi dje në emisionin “Top Story” të gazetarit, Sokol Balla në ‘TCH’ se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.
Z.Meta, mendoni se në këto dy muaj keni humbur apo keni fituar në opinioni publik?

Absolutisht, rezultati do të jetë më i thellë se më 23 qershor për dy arsye. Ju e nisët këtë emision me një tension të krijuar për shkak të emisionin “Fiks Fare” që kishte lidhje me zgjedhjet në Korçë. Kjo është një çështje që po merret prokuroria dhe unë përfitoj nga rasti të shpreh qëndrimin tim që prokuroria duhet mbështetur nga të gjithë, të bëjë punën e saj dhe ta zbardhë deri në fund këtë çështje. Por nuk janë bërë zgjedhje të pjesshme vetëm në Korçë, janë bërë dhe në Karbunarë, dhe në komunën më të madhe të Shkodrës, në Rrethina madje dhe në kohën kur ishte qeveria e mëparshme në pushtet, nuk kishte ardhur qeveria e re në mos gaboj, apo u bënë dhe në Komunën e Dardhasit në Pogradec, në Qarkun e Korçës dhe rezultatet ishin të këtij niveli 75-80%.

Nuk mendoni se ajo që ne pamë për zgjedhjet në Korçë e zbehu atë rezultat të thellë që u arrit atje?
Nuk dua atë hyj dhe të bëj gjykime për emisionin “Fiks Fare”. E rëndësishme është që për Partinë Demokratike “çakalli” u kthye në punë. Unë besoj që media ka të drejtën e saj të bëjë investigime, t’i paraqesë ato, por jam i bindur që drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Ky ka qenë edhe qëndrimi i kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste dhe mendoj që të gjithë ne bashkohemi me këtë qëndrim.

Le të rikthemi tek zgjedhjet në Korçë dhe tek pamjet që na solli emisioni “Fiks Fare”? Si mendoni ju, ishte apo jo blerje e votës?
Nuk mundem që ta gjykoj, sepse të jem i sinqertë me ju, nuk i kam parë pamjet e emisionit. Gjithsesi, unë kam një qëndrim shumë të qartë: prokuroria ka gjithë mbështetjen ta zbardhi këtë çështje dhe në rast se kemi të bëjmë me blerje vote, të vërë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që mund ta kenë realizuar këtë gjë.

A keni folur me z.Rama për këtë çështje?
Jo, nuk kam pasur mundësi që të flas për këtë çështje.
Z.Meta, nuk do të ishte më e ndershme nga mazhoranca, që ta merrnit ju iniciativën të parët dhe të anulonit zgjedhjet në Korçë dhe t’i ribënit ato?
Nuk mund ta bëjë mazhoranca sepse jemi në kushtet e shtetit të së drejtës, ku ka rol KQZ-ja, ka rol Kolegji Zgjedhor.

Opozita ka paralajmëruar një protestë simbolike ditën e hënë përpara Kryeministrisë lidhur me ngjarjet e Korçës. A po acarohet situata politike për të cilën ju jeni munduar personalisht këto muaj që ta qetësoni?
Këtë këngën e blerjes së votës ata e kanë kënduar edhe pas 23 qershorit, kur bënë zgjedhjet brenda partisë së tyre. Ju e dini që ata që humbën akuzuan palën tjetër, pala tjetër palën tjetër e kështu me radhë. PD do të bëjë miting. Është e drejtë e tyre që të bëjnë miting. Madje do t’i referofsha edhe analistit Artan Hoxha, sipas të cilit, kjo është një parti që ka lindur në miting dhe natyrisht që bërja e mitingjeve nga ana e opozitës është edhe një mënyrë për të fituar vëmendje, për protagonizëm, për të shprehur pikëpamjet e saj, sepse natyrisht nuk është i mjaftueshëm vetëm Parlamenti një herë në javë apo edhe dy-tri herë duke përfshirë komisionet gjatë një jave. Por e rëndësishme është që PD i qëndron angazhimit të saj për të kontribuar në marrjen e statusit të vendit kandidat. Në rast se nuk do të ketë kamera në Parlament, nuk do të shihnit ju ashtu skenash me hedhje lekësh, etj., por do të shikoni një klimë tjetër. Por kur ka kamera në vend që të merren me problemin duan të japin mesazhe drejt militantëve për t’u thënë atyre qëndroni të fortë, sepse ne do t’u mbrojmë fort, etj.

Z.Meta, seriozisht e keni me lajmin më të ri që mund të vijnë armët kimike të Sirisë në Shqipëri?
Ekziston një deklaratë e ministrit të Jashtëm që jemi kontaktuar nga SHBA-të, por nuk ka një vendim. Ne jemi vend anëtar i NATO-s. Është një vend i angazhuar për luftën kundër terrorizmit dhe ka dhënë një kontribut të spikatur në këtë drejtim, madje edhe përpara 11 shtatorit. Kjo është një nga arsyet pse jemi anëtar i NATO-s prej disa vitesh. Ne jemi aktivë në të gjitha përpjekjet të cilat kanë të bëjnë me paqen, me demontimin, eliminim e armëve kimike e kështu me radhë. Unë nuk mund të flas këtu në emër të qeverisë dhe as të Ministrisë së Jashtme, e cila është pika e parë e kontaktit në raportet midis dy vendeve dhe dy qeverive. Unë mund t’ju them se nuk ekziston një vendim i tillë. Unë mund t’ju them me bindje të plotë që ky vendim do të jetë transparent, do të jetë në interes të vendit dhe në fund fare fjalën e fundit do ta thotë Parlamenti. Kështu që mos të mjaftohemi me gjykime dhe paragjykime të nxituara.

A do t’i pyesni qytetarët për shkatërrimin e armeve kimike në Shqipëri?
Unë nuk jam ekspert as i armatimit, as i çarmatimit dhe as i mjedisit. Ashtu sikurse ndaj të njëjtin mendim me ju, që nuk kam besim se ne i kemi këto kapacitete, sepse përderisa vende të tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara nuk pranojnë se i kanë këto kapacitete, nuk mund të vazhdojmë më me teorinë që dy luanë ka bota. Absolutisht jo! Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka detyrimet e saj dhe do të marrë ato përgjegjësi që janë në gjendje të mbajnë supet e saj. Nuk mund të marr përgjegjësi, të cilat nuk i mbajnë supet e saj.

Z.Meta a jeni konsultuar ju si partnerë të qeverisjes në lidhje me aksionet e fundit nga Ministria e Brendshme dhe nga vetë ministri Tahiri, për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe a i mbështesni ato?
Ne mbështesim forcimin e ligjit përmes respektimit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës. Ajo që po ndodh është një rizgjim jo vetëm i policisë, por dhe i gjithë agjencive ligj zbatuese për të imponuar respektimin e ligjit, për të luftuar evazionin, për të luftuar korrupsionin, për të luftuar krimin dhe në këtë drejtim absolutisht që ky angazhim ka mbështetjen tonë të plotë.

Z.Meta a keni një koment për marrje në ndjekje penale ndaj Shpëtim Gjikës?
Nuk kam asnjë koment.

Është e vërtetë që keni deklaruar se LSI-ja do të shkojë 25 deputetë?
Kjo është një deklaratë e mikut tim dhe kolegut tuaj z.Lesi.
Në fakt z. Kadeli ju kërkoi të bashkohej, ju e pranuat direkt, apo u konsultuat dhe me z. Rama?
Z.Kadeli kërkoi të bashkohej me grupin parlamentar të LSI-së, unë besoj se kaq është e mjaftueshme për t’u bashkuar me “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”.

A do pranonit në grupin tuaj parlamentar edhe deputetë socialistë që janë të pakënaqur me partinë e tyre?
Nuk besoj se ka deputetë të pakënaqur së pari. Dhe së dyti, i qëndroj bindjes se nuk është i rëndësishëm numri i deputetëve. E rëndësishme është mbarëvajtja e qeverisë dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të atyre që ne përfaqësojmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here