Ditë tragjike plot vdekje, zie, lotësh që mban kryefjalën miniera, ka qenë kjo enjtja e 7 nëntorit për zonat juglindore të vendit. 7 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e djeshme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit.
Në Pogradec, ngjarja është shënuar orëve të mesnatës në një minierë të braktisur në fshatin Beragozhd, kurse në Librazhd, ngjarja ndodhi pasditen e djeshme kur një masiv kromi në minierën e Gurrës zuri nën vete 2 punonjës.
POGRADEC, 5 VIKTIMA
Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit.
Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 28 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët.
Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë.
Policia dhe shtabi i emergjencave kanë mbërritur në vendngjarje ndërsa grupi i kërkim-shpëtimit ka mundur te nxjerre fillimisht nga galeria trupat e 2 prej të rinjve, Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjeç. Kërkimet u ndërprenë gjatë orëve të pasdites për shkak të pranisë së madhe të gazit në galeri, por rifilluan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në mëngjes u bë e mundur edhe nxjerrja e 3 trupave të tjerë, të Sazan, Arjan dhe Ledjon Hamollit.
Nxjerrja e trupave u vështirësua së tepërmi, jo vetëm për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash.
POGRADEC, GJENDEN TRUPAT E PAJETË TË 3 TË RINJVE
E premte/Ora: 07:33 – Grupet e kërkim-shpëtimit kanë mundur të nxjerrin nga miniera e Beragozhdit trupat e pajetë të 3 djemve të tjerë të cilët humbën jetën të asfiksuar në galeri, teksa përpiqeshin të nxirrnin skrap. Në orët e para të mëngjesit, janë nxjerrë trupat e 2 vëllezërve Sazan dhe Arjan Hamolli dhe trupi i kushëririt të tyre Ledjon Hamolli. Trupat e pajetë u transportuan fillimisht në morgun e Pogradecit, dhe në përfundim të procedurave të nevojshme ligjore do tu dorëzohen familjarëve të tyre, të cilët vuajnë një tragjedi të vërtetë, me 5 arkivole të rinjsh në të njëjtin fis.
BABAI I 2 DJEMVE TË VDEKUR: SHKUAN NË GALERITË E VDEKJES PËR KAFSHATËN E BUKËS
Ora: 07:20 – Mbrëmja të “pret” shpirtin në fshatin Beragozhdë. Heshtja, më e keqe se vetë vdekja. Të gjithë dyert e shtëpive janë të hapura, të gjitha në mort. Banorët kanë dalë në rrugë, nuk guxojnë të hyjnë brenda. Ata shpresojnë që ndonjëri prej pesë djemve të jetë ende gjallë. Në galeritë e vdekjes takojmë Xhevit Hamollin, babain e Ardjanit dhe të Sazanit. 65-vjeçari mezi mbahet në këmbë. Lotët i derdhen çurg faqeve.
Herë-herë ulet se nuk e mbajnë gjunjët. I shoqëruar nga vajza dhe djali tjetër i tij, enden përqark minierës me shpresën se mrekullia do të ndodhë, ndonëse është i vetëdijshëm për kobin që i ka zënë derën. “Më mirë të kisha vdekur dhe të mos përjetoja këtë që po ndodh. Nuk e dija se djemtë do të hynin në minierë, pasi nuk do t’i lija”, thotë Xheviti. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 65-vjeçari shprehet se dy djemtë e tij shkuan drejt vdekjes për copën e bukës. Si gjithë banorët e fshatit, ai kërkon të mbyllen minierat që po shkaktojnë tragjedi.
ZHVILLIMET TE ENJTEN
RINISIN KËRKIMET NË MINIERËN E BERAGOZHDIT
Ora 22:22- Ashtu siç ishte paralajmëruar rreth orës 22:22 grupi i kërkim- shpëtimit të minierave ka rinisur kërkimet për nxjerrjen e tre viktimave të mbetur brenda galerisë në minierën e Beragozhdit. Ecuria e kërkimeve po ndiqet edhe nga deputeti i zonës Ilir Xhakolli. Ai ka deklaruar se kërkimet do të zhvillohen në hyrje të minierës për shkak të nivelit të lartë të gazit karbonik dhe nëse nuk gjendet asnjë trup ato do të ndërpriten për të vazhduar sërisht nesër. Sipas grupit të kërkimit trupat e viktimave dyshohet të jenë në 30 metër thellësi.
BASHKËSHORTJA E HAMOLLIT: ARJANI ËSHTË GJALLË
Ora 18:30- Bashkëshortja Arjan Hamollit, 28-vjecarit njërit prej pesë personave që mbetën të bllokuar në minierën e Dardhasit në Pogradec pretendon se i shoqi është gjallë. Ida Hamolli ka deklaruar për grupin e shpëtimit se i ka telefonuar Arjanit dhe dikush nga ana tjetër i ka mbyllur telefonin.
Bashkëshortja këmbëngul që ai është gjallë dhe ka tentuar që të futet vetë në galeri, por është penguar nga policia. Ndërkohë nga grupi i kërkimit bëhet me dije se kërkimet për nxjerrjen e tre trupave nga miniera do të rifillojnë në orën 22:00 pasi të ulet niveli i gazit brenda galerisë. Cifti Hamolli kane nje femije te vogel te mitur, vetem 2 vjec.
MEI JAP DETAJE MBI OPERACIONIN PER NXJERRJEN E TRUPAVE
Ora 17:45- Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka dhënë detaje lidhur me aksionin për nxjerrjen e trupave të pa jetë që janë bllokuar në dy miniera në atë fshatit Gurrë në Librazhd dhe në Dardhas të Pogradecit. Kjo ministri bën me dije se janë nxjerrë nga miniera dy viktimat e Librazhdit dhe dy nga viktimat që humbën jetën në minierën e braktisur në Dardhas.
MEI bën me dije se do të vazhdojë operacioni për të nxjerrë nga miniera edhe tre trupat e tjerë, por për momentin aksioni është ndërprerë për shkak të nivelit të lartë të gazit. MEI thekson se aksioni do të rifillojë sapo niveli i gazit të ulet, ndërkohë që bëhet me dije se po futet edhe ajër nga jashtë për të ulur rrezikshmërinë.
te rinjte qe vdiqen ne miniere
Policia
Paraditen e sotme, Policia e Korçës zbardhi pjesërisht ngjarjen e tragjike.
“Ditën e djeshme, në minierën e Beragozhdit komuna Dardhas Pogradec, janë futur në galeri për të marrë hekura (Skrap) shtetasit: E.Hamolli, N.Hamolli, L. Hamolli (vellezer) dhe dy djemte e xhaxhait A.Hamolli dhe S. Hamolli (mosha e tyre eshte nga 23-28 vjeë. Ka mbërritur dhe grupi i shpëtimit të minierave, po punohet për nxjerrjen e trupave të pa jetë”.
Ngjarja e përsëritur
Nxjerrja e hekurit për skrap, e mbetur si e vetmja alternativë për të siguruar jetesën, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën më 28 tetor, një 24-vjeçari nga fshati i Beragozhdës ne Pogradec.
Ardian Hamolli mbeti i bllokuar për afro 12 orë në minierën e Beragozhdës për shkak të rrëshqitjeve të gurëve në zonën ku ai gërmonte.
Moskthimi i tij në shtëpi ka alarmuar familjarët të cilët lajmëruan policinë.
Kjo e fundit së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit nisën operacionin për nxjerrjen e të riut, i cili ka mundur të dalë vetë nga miniera.
Reagon Ministria
Ministria e Energjitikës dhe Industrisë ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Dardhas, ose i njohur ndryshe si fshati Beragozhd i Pogradecit ku 5 të rinj humbën jetën në një minierë duke kërkuar skrap.
Në një njoftim për shtyp nga ky dikaster bëhet e ditur se miniera rezulton pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh.
Komuna Dardhas shpall 2 ditë zie
Në shenjë nderimi për vdekjen e 5 të rinjve, Komuna Dardhas shpall dy ditë zie. Sot dhe nesër komuna do të mbajë zi për vdekjen e 5 djemve nga i njëjti fis që humbën jetën nga asfiksia në Beragozhd, brenda një miniere.
Komuna Dardhas: Të mbyllen minierat
Komunas Dardhas ka marrë përsipër shpenzimet për varrimin e të rinjve, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga miniera. Ndërkaq kjo komunë ka bërë thirrje që të mbyllen minierat e nxjerra jashtë aktivitetit zyrtarisht.
‘Mbyllni minierat përndryshe tragjeditë do të përsëriten”.
LIBRAZHD-TJETËR AKSIDENT NË MINIERË, 2 PUNËTORË I MBULON NJË MASIV KROMI
LIBRAZHD-Ora 14:20-Pas lajmit të kobshëm se 5 të rinj kanë mbetur të vdekur në një minierë të braktisur në Pogradec, një tjetër aksident shënohet në një tjetër minierë në Librazhd.
Dy punëtorë të minierës së kromit në fshatin Gurrë janë zënë përposht nga një masiv mineral kromi duke gjetur vdekjen. “News 24” mëson se bëhet fjalë për inxhinier Drini Bogdani dhe punëtori Haxhi Danga.
Kryetari i Komunës në Qukës konfirmon se kanë vdekur të dy punonjësit e minierës, Drini Bogdani dhe Haxhi Danga, banor i një fshati të komunës së Qukësit.
Rreth orës 15:40 janë nxjerrë nga miniera e Gurrës dy trupat e viktimave që humbën jetën mëngjesin e sotëm. Aksioni për nxjerrjen e trupave u krye nga policia dhe zjarrëfikësja.
MINIERA E GURRËS, KONSTATOHEN SHKELJE TË RREGULLAVE TË SIGURISË
Detaje të tjera janë zbuluar mbi minierën e Gurrës ku ditën e sotme humbën jetën dy persona. Nga hetimet janë konstatuar se firma kishte disa muaj që nuk i paguante punëtorët, si dhe shkelje në rregullat e sigurimit.
Sipas informacioneve të fundit në momentin e aksidentit në minierë kanë qenë katër persona. Aurel Yzo vëllai i administratorit të minierës dhe Jani Leka ishin në zonën dalëse të galerisë në momentin kur një masiv dheu vuri poshtë inxhinier Drini Bogdanin dhe punëtorin Haxhi Danga.
Miniera e Gurrës është hapur në qershor të vitit 2009 dhe në të së fundmi punojnë 15 punëtorë.