Goditet një grup kriminal që merrej me trafik të armëve dhe municioneve luftarake nga Shqipëria drejt Kosovës, në të cilin bënin pjesë edhe dy punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se “me datë 12.02.2014 nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, u bë arrestimi në flagrancë i gjashtë shtetasve pjesëtarë të këtij grupi kriminal. Në pranga u vunës shtetasit: Fadil Hysni Sula, 53 vjeç, lindur dhe banues në Bushtricë të rrethit të Kukesit, me detyrë Inspektor në Drejtorinë Rajonale të Kufirit e Migracionit Kukës, i dyshuar si organizatori i këtij grupi kriminal.
Liman Sadik Gjici, 47 vjeç, lindur e banues ne fshatin Bushtricë të rrethit të Kukësit, i dyshuar si ndihmësi i organizatorit kryesor të këtij grupi.
Hamdi Isuf Matja, 52 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë, me detyrë magazinier armatimi në Repartin 100, pranë Ministrisë se Punëve te Brëndshme, në rolin e furnizuesit kryesor me armë e municione te organizatorëve të këtij trafiku.
Lorenc Qemal Zyli, 34 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku. Erjon Ferdinandit Zisko, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Skënderbegas të Gramshit, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.
Abedin Shefqet Plaku, 53 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.”
Mësohet se arrestim i këtyre shtetasve u mundësua pas një hetimi intensiv disa mujor, të bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur.
Operacioni për kapjen e këtyre shtetasve u finalizua në dalje të tunelit të Kalimashit, teksa pjesëtarët e grupit kriminal ishin duke transportuar një sasi armësh dhe municionesh luftarake.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 12780 fishekë automatiku e pistoletë, 4 armë automatike dhe një sasi e konsiderueshme, pjesë armësh të çmontuara.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, nga dokumentimi i deritanishëm i aktivitetit kriminal të këtij grupi rezulton se vetëm magazinieri i Repartit 100 i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka furnizuar grupin kriminal, me 100.000 mijë copë fishekë.