Muaji shtator starton me një “luftë” klanesh brenda Partisë Demokratike, ky secili synon të “vjedhë” një post partiak, duke i lënë ministrat vetëm me poste qeverisëse. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se shtatori do të jetë muaj rrokade si për ndryshime në qeveri, ashtu edhe për ristrukturimin PD-së. Po mbushet rreth 8 muaj që nuk është mbledhur Këshilli Kombëtar i PD-së, gjë që ka shtuar edhe zërat kritikë brenda kësaj force.
Ndarja e posteve
Ndarja e posteve partiake nga ato ekzekutive pritet që të shkaktojë edhe zhurmën e radhës në politikën shqiptare. Këtë sesion të ri, të pas pushimeve, eksponentët demokratë do të kërkojnë një ndarje të qartë midis posteve ekzekutive dhe atyre partiake, çka do të thotë që një ministër të mos jetë i ngarkuar edhe më një post partiak, ashtu sikurse funksionon aktualisht. I vetmi që nuk preket nga ky debat është Astrit Patozi, i cili do të vijojë të jetë Nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar, pa pasur angazhime qeverisëse. Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli, e cila është edhe Kryetare e Kuvendit, pozicion i cili do të diskutohet në rast se do të merret një vendim për këtë çështje. Ridvan Bode është funksionari tjetër i lartë i PD-së, i cili largohet automatikisht në rast se statuti i PD-së do të ndryshojë. Ridvan Bode vazhdon të jetë ministër i Financave në kabinetin qeveritar, i vetmi që nuk ka lëvizur nga ky dikaster, që prej vitit 2005. Një tjetër funksionar që preket në rast se statuti ndryshon është edhe Ferdinand Poni, i cili krahas zëvendësministrit të Brendshëm është edhe Sekretar për Pushtetin Lokal në PD. Ditët e fundit ka pasur shumë zëra që kërkojnë njëherë e mir ndryshimin e statutit në PD. I pari që ka hedhur këtë propozim prej shumë kohësh ka qenë ish-deputeti Aleksandër Biberaj, i cili ka kërkuar që të votohet me parimin “ një anëtar, një votë”. Me pas ndryshime në statut kanë kërkuar edhe deputetët, Aldo Bumçi, Edi Paloka, Fatos Beja, Jemin Gjana, etj. Emri i kryeministrit, sigurisht që nuk do të përfshihet në këtë ristrukturim. Këtë muaj pritet që të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar, i cili është lënë në harresë edhe pse Kongresi është mbledhur në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndryshimet në qeveri
Përveç ndryshimit të strukturave të PD-së, kjo forcë do të përballet edhe me ndryshime në ekzekutiv. Pritet që nga kabineti qeveritar të ketë spastrime dhe emërime të reja. Emrat që do të lëvizin nuk janë përcaktuar ende saktësisht, por burime nga PD bëjnë të ditur se lapsi është drejtuar tek ministri i Kulturës, Ferdinant Xhaferri, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ministri i Punës, Spiro Ksera, ndërkohë që në diskutim është edhe emri i ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishanit. Ndërkaq, pritet që në kabinetin qeverisës të përfshihet edhe Partia për Drejtësi dhe Unitet.
Kush rrezikon
I vetmi që nuk preket nga debati për ndarjen e posteve, është Astrit Patozi, i cili do të vijojë të jetë Nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar, pa pasur angazhime qeverisëse.
Megjithëse është në një pozicion mëse të sigurtë në Partinë Demokratike, i diskutueshëm do të jetë edhe emri i nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, e cila është edhe Kryetare e Kuvendit.
Ridvan Bode, largohet automatikisht nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm në PD, në rast se statuti i PD-së do të ndryshojë. Kjo për faktin se Bode është ministër Financash në kabinetin qeveritar.
Një tjetër funksionar që preket në rast se statuti ndryshon është edhe Ferdinand Poni, i cili krahas zëvendësministrit të Brendshëm është edhe Sekretar për Pushtetin Lokal në PD.
Sekretariati në PD
1. Ridvan Bode
Sekretar i Përgjithshëm
2. Astrit Patozi
Nënkryetar
3. Jozefina Topalli
Nënkryetare
4. Ilir Rusmali
Sekretar për Çështjet Ligjore
5. Ferdinand Poni
Sekretar për Pushtetin Lokal
6. Besnik Mustafaj
Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë
7. Ilir Bano
Sekretar i Burimeve Njerëzore
8. Flamur Noka
Sekretar Organizativ
9. Gent Strazimiri
Sekretar për Partneritet
10. Edmond Spaho
Sekretar për Ekonominë