Ditët para dhe pas prezantimit të opinionit të Komisionit Europian për statusin, u shoqëruan me një reagim të faktorit diplomatik në Tiranë. Në 29 maj, pak ditë para vizitës së Komisionerit Fyle në Tiranë, i cili deklaroi edhe qëndrimin e komisionit për të rekomanduar sërish dhënien e statusit, ambasadorët e disa vendeve, si Italisë, Polonisë dhe Çekisë, ishin të të njëjtit qëndrim ndërsa kritikuan klimën e ashpër politike në vend, si në rrugë, me dy greva të stisura urie, ashtu dhe në parlament.
Ne i kemi vlerësuar (madje mbivlerësuar) mendimet dhe këshillat e diplomatëve të huaj në Tiranë, duke i konsideruar ato si të shenjta për politikën tonë grindavece. Të bindur se mendimet e ambasadorëve nuk janë gjë tjetër veçse mendimet e qeverive që ata përfaqësojnë, kjo ka bërë që këto deklarata të merren edhe me më shumë seriozitet.
Por lajmet që vijnë nga Praga janë më shumë se shqetësuese. Dhe jo shqetësuese vetëm për fatin tonë, por shqetësuese se si shpërdorohet e drejta e votës së një vendi në kurriz të një vendi tjetër, në një komunitet kombesh tek i cili ne po synojmë me mish e me shpirt të shkojmë.
“Thashethemet” diplomatike për një qëndrim kundër të Çekisë ndaj statusit, për shkak të konfliktit administrativ që qeveria shqiptare ka me kompaninë shtetërore çeke CEZ, janë dëgjuar dendur javët e fundit. Me pak fjalë, Republika Çeke mund të ndikohet në votën e saj nga fakti se si do të shkojë fati i këtij konflikti. Dje, siç bënë të ditur media në Tiranë, agjencia zyrtare e lajmeve çeke, “CTK”, paralajmëronte se vota e Çekisë mund të jetë kundër. Ajo citonte burime zyrtare, sipas të cilave, Praga i ka dërguar sinjale Tiranës se Çekia është e gatshme ta bllokojë statusin e Shqipërisë për shkak të konfliktit me CEZ-in. Dhe kjo ndodh vetëm disa ditë para vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm dhe në kohën kur qeveria është duke diskutuar një marrëveshje (më shqip, një pazar gjobëvënësish) që Shqipëria t’i paguajë një shumë kompanisë për të shmangur procedurat në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Çekët e CEZ-it, që erdhën në Shqipëri me imponin qeveritar dhe u ngulën si pasojë e pazareve politike të Pragës dhe Tiranës pa qartësuar shumë kushte, tashmë po duan të dalin të fituar edhe me dështimin e tyre.
Ata e morën sistemin e Shpërndarjes me marrëveshjen për të investuar, ulur vjedhjet, rritur arkëtimet, ulur humbjet në rrjet etj. Por nga viti në vit, gjatë 3 vjetëve që ata e mbajtën në pronësi kompaninë, të gjithë parametrat u përkeqësuan. Humbjet u rritën, vjedhjet gjithashtu, madje u rritën vjedhjet e konsumatorëve në rrjet, si dhe vjedhjet e vetë kompanisë mbi qytetarët që paguanin. Në këto kushte, qeveria ishte e detyruar ta prishte kontratën dhe të rimerrte sistemin nën administrim. Por CEZ, një kompani që nuk është asgjë tjetër por vetë qeveria çeke, ose “CEZka republika”, siç e kanë etiketuar mediat, dhe që lëviz gjithë fijet e pushtetit dhe politikës në Çeki, pra CEZ është hedhur në sulm tashmë. Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se ajo kërkon 200 milionë euro nga qeveria shqiptare për të hequr dorë nga padia në gjykatën e arbitrazhit ndaj qeverisë shqiptare.
Në ndihmë të përpjekjeve të CEZ-it për të zhvatur ç’të mundë nga qeveria shqiptare, pasi e shkatërroi sistemin më keq nga sa e mori, është vënë vetë politika çeke. Dhjetë ditë më parë, ambasadorja çeke deklaroi se “klima e tensionuar politike mund ta dëmtojë marrjen e statusit”. Ndërsa dje, agjencia zyrtare e lajmeve çeke bënte të ditur se “Shqipërisë i është dërguar sinjal nga Çekia për statusin dhe se Praga është e gatshme ta bllokojë marrjen e statusit për shkak të konfliktit me CEZ”. A duhet ne ta besojmë vërtet ambasadoren Tomasova kur na jep këshilla për rrezikun që i kanoset statusit tonë? A duhet ta shikojmë ne shqiptarët atë si pjesë të trupës diplomatike që përfaqëson, sa vendin e saj, aq sa edhe politikën e Bashkimit Europian? Nëse lajmi që njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve çeke është i vërtetë, pa dyshim që jo. Nëse është dhe do të ndodhë kështu siç paralajmërohet, ambasadorja Tomasova nuk do të jetë përfaqësuese e Republikës Çeke, por e republikës së CEZ-it.
Jemi ende në kushtet e një lajmi dhe të disa informacioneve jozyrtare për qëndrimin e Çekisë, por nëse Çekia vërtet do të kushtëzojë votën për statusin nga fakti nëse do të plotësohen apo jo tekat zhvatëse të CEZ-it, atëherë vetë BE do të bëhet për të ardhur keq dhe një bashkësi aspak për t’u synuar, ndaj dhe sakrificat financiare që mund të bëjë Shqipëria nuk do të jenë të justifikuara.
Qeveria shqiptare kishte një marrëveshje me një kompani të huaj për sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare. Ajo nuk iu përmbajt marrëveshjes dhe kontrata u prish, për të mos rrezikuar futjen e vendit në kolaps. Qeveria çeke, sado e ngjizur të jetë me këtë kompani, duhet të dijë të ndajë të qenurit qeveri e një vendi anëtar i BE-së nga një qeveri që komandohet nga “CEZska republika”.
Ndërkohë, nëse do të jetë para këtij kushti gjobëvënës, qeveria shqiptare duhet të dijë të reagojë dhe të mos pranojë që statusin të blejë me ryshfete dhe pazare të shëmtuara.