Nëse drejtësia do të ishte me votë popullore, guvernatori i Bankës së Shtetit, Ardian Fullani, do të ishte të paktën në burg. Prej disa ditësh, kur doli në skenë vjedhja e paprecedent në historinë e bankës së një shteti, një valë zemërimi ka shpërthyer tek qytetarët. Në kafene, në rrugë, në shtëpi dhe mbi të gjitha në rrjetet sociale ku bëhet sot kuvendimi më i madh popullor, flitet me mllef, sarkazëm dhe urrejtje kundër guvernatorit- sheik dhe krejt politikës që ka qepur gojën për këtë skandal. Ka disa arsye që shkaktojnë këtë zemërim: E para, është se ato para që janë vjedhur, janë paratë e të gjithë shqiptarëve dhe kur vjen puna tek paratë, njerëzit janë shumë më të ndjeshëm se, fjala vjen, për liritë dhe të drejtat e tyre apo standardet e demokracisë. E dyta, mënyra se si është bërë vjedhja.
Për katër vjet me radhë një njeri (të paktën) ka dalë çdo ditë me thesin plot nga magazina e parave, që duhej të ishte kasaforta më e sigurt e shtetit shqiptar. Pra është dëshmi e një shkrehjeje të paimagjinueshme të shtetit, pikërisht në vendin ku duhej të ishte siguria maksimale. Shkurt, nuk ka se çfarë të ndodhë më, më shumë se kaq. E treta, heshtja e politikës që po e mbulon këtë skandal. E katërta, dhe më acaruesja, është informacionet që marrin qytetarët përmes mediave për jetën e shfrenuar të familjes Fullani. Fotot e djalit të guvernatorit që kërcen tallava me 500 euro në ballë dhe reklamimi i orëve të shtrenjta janë një tallje e madhe me tërë popullin e thjeshtë. Prokuroria nuk ka bërë të ditur deri tani nëse ka elementë të veprës penale tek guvernatori apo këshilli mbikëqyrës i bankës dhe gjasat janë që të mos rezultojë kështu kurrë. Por faktet e deritanishme tregojnë se Banka e Shtetit është drejtuar më keq se një magazinë plehu kimik në kohën e kooperative bujqësore të komunizmit.
Së fundmi, punonjësit e arrestuar thanë para gjykatës se ata nuk kishin një rregullore për vendin e punës dhe detyrat që kishin në mënyrë specifike. Kjo mund ta bëjë edhe më të rëndë situatën në bankë, ndërkohë që po forcohen dyshimet që kjo punë (në fakt për hajdutët kishte qenë realisht një punë) të jetë bërë edhe para katër vitesh, sikurse daton vjedhja që po hetohet. Duhet të pritet nëse hetimet do të shtrihen edhe më herët në kohë, por informacionet e deritanishme jozyrtare, lënë të kuptosh për një kaotizëm të begatë rregullash e procedurash, për abuzimet në këtë institucion. Edhe nëse këto dyshime nuk vërtetohen, mjafton ajo që është tashmë publike, që drejtuesi i këtij institucioni dhe këshilli mbikëqyrës të firmosin nga një copë letër, nga ato që në Perëndim quhen “Dorëheqje” dhe të ikin, nga sytë këmbët, mbuluar me turpin më të madh të karrierës së tyre zyrtare e profesionale. Në vitin 2004, Ernst Welteke, presidenti i Bankës Qendrore Gjermane, qëndroi në një hotel gjatë një samiti ndërkombëtar dhe tarifën prej 7,600 eurosh ia kishte paguar një bankë e nivelit të dytë në Gjermani. Drejtori kishte marrë edhe familjen, e cila përfitoi nga qëndrimi falas në hotel për tri ditë. Sapo kjo u mësua nga mediat, qeveria gjermane e shkarkoi menjëherë atë. Aktualisht ne jemi në kushtet kur nuk e dimë nëse Fullani ka përfituar ndonjë pako me para, por ama ne jemi në kushtet kur kasaforta e Bankës së Shtetit ishte vjedhur rregullisht për të paktën katër vjet me radhë.
Dhe këtu, përtej mllefit popullor që ka shpërthyer në rrjetet sociale, guvernatori Fullani nuk ka pse të presë rezultate të mëtejshme të hetimit. Ai duhet të largohet nga drejtimi i bankës, pasi ai është së paku përgjegjës për kaotizimin në mënyrën se si është drejtuar ajo. Fullani krijoi një mburojë njerëzore rreth vetes, duke rekrutuar në administratën e tij thuajse private, gra, motra, kunata, kunetër, vajza e djem të kastës politike që drejtoi vendin për 8 vjet, dhe për 10 vjet të mbretërimit të tij në Bankën e Shtetit, abuzoi në mënyrë të paprecedent me buxhetin e saj. Vetë opozita e djeshme socialiste ka bërë publike shpërdorimet skandaloze me dietat e udhëtimit dhe ushqimit të administratës dhe stërvitjes së ekipit të volejbollit të femrave të bankës, sikur të ishte Dinamo e viteve ’80, në kohën e Ela Tases. Mediat publikuan ditët e fundit edhe foto të familjarëve të tij që demonstrojnë luksin e shfrenuar të jetesës, që tingëllon si një tallje me popullin, të cilin e vjedhin dhe i bëjnë edhe karshillëk. Fullani personifikon racën e zyrtarëve të babëzitur.
Të atyre që nuk ngopen as me pushtet, as me para, as me prona, dhe si i tillë ai nuk mund të dorëhiqet kurrë. Opozita është këmbë e kokë brenda në kazanin e Fullanit, nga interesat private me motrat, fëmijët, kunatat e kunetërit e punësuar në “ndërmarrjen” e tij, deri tek Hotel Dajti, që është si një varr i hapur. Ndaj dhe heshtja e saj është e justifikuar. Por është detyrë e qeverisë socialiste dhe kryeministrit Rama të ndërmarrin nismën për shkarkimin e tij, pasi, në të kundërt, mllefi kundër Fullanit sot do të jetë mllef kundër qeverisë dhe kosto politike për të nesër. Në fund të fundit, populli një vit më parë votoi në masë Edi Ramën dhe projektin e tij kundër korrupsionit; ai asnjëherë nuk ka votuar për Fullanin.
“Gazeta Shqiptare”