Operacioni sekret ka dorëzuar dje Almir Rrapon në duart e FBI-së, për tu ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Nën masa të rrepta siguria autoritetet shqiptare kanë bërë shoqërimin e tij duke ua dorëzuar autoriteteve amerikane. Rrapo, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme i akuzuar për disa vepra penale nga drejtësia amerikane është nisur me linjë avioni nga aeroporti i Rinasit drejt SHBA rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Shoqërimi i tij
Ka qenë një operacion sekret dhe masa të rrepta sigurie, të cilat kanë bërë të mundur realizimin për ekstradimin në SHBA të Almir Rrapos. Duke iu nënshtruar rregullave të rrepta në lidhje me Almir Rrapon, autoritetet shqiptare kanë bërë shoqërimin e tij duke ua dorëzuar autoriteteve amerikane. Mësohet se operacioni për ekstradimin e tij është mbajtur sekret nga policia. Rrapo është nisur i shoqëruar nga agjentët e policisë me një linjë civile avioni. Pas njoftimit për ekstradimin e tij ka reaguar dhe avokati Ardian Visha. Ai ka thënë se depërtimi i tij në SHBA është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi duhej që më parë për këtë çështje të shprehej Gjykata e Strasburgut.
Ngjarja
Datën dy korrik në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë u arrestua zyrtari i Ministrisë se Jashtme, Almir Rrapo, ndaj të cilit ishte firmosur një urdhër -arrest nga autoritet e SHBA-ve. Ai akuzohej si pjesëtar i një bande kriminale dhe ndaj tij rëndonin akuzat e vrasjes, shantazhit, trafikut të drogës etj,gjatë kësaj kohe ai u mbajt në paraburgimin “Jordan Misja” në Tiranë. Me dy vendime të mëparshme, gjykata e Strasburgut ka urdhëruar pezullimin e ekstradimit të Almir Rrapos, drejt SHBA-ve. Pas vendimit të gjykatës së Tiranës, e cila vendosi për ekstradimin e të kërkuarit drejt Amerikës, Strasburgu vendosi të pezullonte ekstradimin deri në një afat prej 10 ditësh pasi të shprehej gjykata e Apelit. Po kështu më dy nëntor 2010 vendosi të zgjasë efektet e masës së pezullimit deri në një afat prej 15 ditësh pasi gjykata e Lartë të japë verdiktin e saj. Në lidhje me rastin Rrapo para pak ditësh avokati Sokol Puto është shprehur në media se ka një praktikë me shtetet e tjera, sikurse rasti Rrapo, pra kur mungon garancia për mos ekzekutimin e dënimit me vdekje nëse personi shpallej fajtor. Në të gjitha rastet shtetet kanë respektuar dhe zbatuar vendimin e Strasburgut, duke mos lejuar ekstradimin e shtetasve, pa marrë më parë këtë garanci.