Albana Vokshi, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, vërtet mund të ndihet e fuqishme. Jo vetëm sepse në krah asaj i dolën kryeministrat e dy shteteve, i Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe para gjyqtarit të Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren ajo ka vazhduar me sjllje arrogante. E pavarësisht të gjithave, ajo arriti në fund ta pezullojë vendimin e kësaj gjykate.
Express ka siguruar aktvendimin e gjykate e cila në faqen e parë fillon me dënimin e shqiptuar prej 250 euro ndaj deputetes Vokshi, e gjetur përgjegjëse për akuzën “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, pasi ka ofenduar rëndë policët kufitarë të Kosovës.
Por, ky aktvendim tash është ndryshuar, sepse në faqen e tretë gjykata e shfuqizon vendimit të vet, duke e pezulluar atë pa dhënë ndonjë arsyetim të veçantë.
Në fillim, në aktvendimin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prizren, gjyqtari Nazim Vllaço pasi e dënon Albana (Sadik) Vokshin me 250 euro, jep edhe shpjegimet përkatëse përse e ka marrë këtë vendim.
Në dokument shkruan se Vokshi ka ofenduar policin e pikës kufitare të kalimit në Vërmicë, Bujar Shala, i cili ka qenë duke e kryer detyrën e tij zyrtare.
“Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë”, citon aktvendimi i Gjykatës fjalët e deputetes, Albana Vokshi.
“Kafshë je ti dhe do shihemi, se ti kujton se mund t’ia kalosh lehtë me mua, unë jam deputete”, vazhdon më tej citati i deputetes Vokshi.
“Ti qenke kafshë, jeni mësuar ju me serbët andaj silleni në këtë mënyrë”, i referohet më tej citati Albana Vokshit, e cila në këtë mënyrë ka biseduar me policët kufitarë të Kosovës.
Kështu, sipas gjykatës, me këtë veprim, Vokshi ka kryer kundërvajtjen nga neni 5, pika 3, të Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike.
“…Prandaj, dënohet me 250 euro. E pandehura është e obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktvendimit, në të kundërtën gjoba do të zëvendësohet me dënim burgimi në atë mënyrë që për çdo 15 euro të gjobës të mbahet nga një ditë burg…”, thuhet në këtë aktvendim.
Por, menjëherë në faqen e dytë të këtij aktvendimi, versioni i fundit i siguruar nga Express pezullohet procedura kundërvajtës kundër të pandehurës Albana Vokshi nga Tirana, Republika e Shqipërisë.
“….gjatë procedurës është konstatuar se nuk ka kryer kundërvajtjet e cekura si më lart për të cilat me kërkesë i vihet në barrë…” thuhet në këtë dokument, i cili gjithashtu është i nënshkruar nga gjyqtari Nazim Vllaço, i njëjti i cili në fletën paraprake e dënon deputeten Vokshi.
Ngjarja sipas Gjykatës
Sipas dokumentit zyrtar, gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv të aktvendimit është vërtetuar në bazë të deklaratës të së pandehurës, Albana Vokshi dhe deklaratës së dëshmitarëve-zyrtarëve policorë, Bujar Shala, Bekim Morina dhe Mjellma Shala, e posaçërisht në bazë të procesverbalit mbi ballafaqimin e të pandehurës dhe dëshmitarit Bujar Shala.
Në dokumentin e gjykatës shkruan se e pandehura Albana Vokshi, në deklaratën e vet të cilin e ka dhënë në prezencë të avokatit të saj, Orhan Rekathatit, përveç të tjerave ka theksuar se në ditën kritike rreth orës 13 ka qenë në cilësinë e bashkudhëtares me veturën e udhëtarëve të tipit “Peugeot” me targa shqiptare TR 1938 R.
“….Vetura drejtohej nga motra e saj, Mimoza Vokshi dhe në vendin e kontrollimit të dokumenteve ka dalë nga vetura dhe me sjelljet e saj të pahijshme dhe arrogante ka ofenduar zyrtarin e policor të Policisë Kufitare, Bujar Shala me fjalët ‘Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë'”, thuhet në këtë dokument.
Në këtë pjesë janë të përfshira të gjitha shprehjet e thëna nga ajo, të njëjta me ato të arsyetimit të aktvendimit të gjykatës.
Gjykata vlerëson se deklaratat e dhëna nga dëshmitarët rastit, policët Bujar Shala, Bekim Morina dhe Mjellma Shala, në tërësi janë identike në pjesën që ka të bëjë me atë se e pandehura Albana Vokshi, në orën kritike të asaj dite ka ofenduar rëndë me shprehjet që në të gjitha rastet përmbajnë fjalën “kafshë”.
“Pranë kësaj deklarate, në tërësi kanë mbetur edhe gjatë ballafaqimit me të pandehurën edhe dëshmitari Bujar Shala”, thuhet dokumentin zyrtar të gjykatës.
“…Duke vlerësuar deklaratën e të pandehurës dhe deklaratën e dëshmitarëve, është konstatuar se e pandehura ka kryer kundërvajtjen nga neni 5 pika 3 e Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike dhe pas administrimit të të gjitha provave është shpallur përgjegjëse…”, shkruan në dokument.
Madje aty përmendet edhe një fakt tjetër. “…Si rrethanë rënduese është marrë parasysh qëndrimi i saj (Albana Vokshit) jo korrekt dhe i vrazhdë ndaj dëshmitarit-personit zyrtar, Bujar Shalës gjatë procedurës gjyqësore..”, thuhet në fund të arsyetimit të gjyqtarit, pasi ka marrë vendimin për dënimin e deputetes me 250 euro.
Politika
Kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, i ka kërkuar ndjesë Sali Berishës, Kryeministrit të Shqipërisë, lidhur me incidentit e ndodhur me Albana Vokshin, deputete e Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike.
Pavarësisht se gjykata ka konstatuar se deputetja Vokshi ishte shkaktare e tërë kësaj tollovie, Kryeministri Sali Berisha, doli hapur në mbrojtje deputetes së PD-së.
Kreu i ekzekutivit shqiptar fajësoi Kosovën për atë që ndodhi. “Ky ka qenë akt i papërgjegjshëm dhe vetëm kaq. Kryeministri i Kosovës më ka telefonuar mua po atë natë. Ka paraqitur ndjesën e tij, më ka kërkuar t’ia përcjell deputetes Vokshi ndjesën e tij për aktin dhe garantuar se do të nxirren të gjitha përgjegjësitë.
Më tutje kjo është kaq dhe vetëm kaq dhe absolutisht asgjë tjetër. Një gjë që ndodh, por ka një qeveri që qëndron tërësisht në pozicionet e duhura”, ka thënë Sali Berisha.
***
Nisja e hetimeve
Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë në shqyrtim dosjen “Vokshi” në Gjykatën Komunale të Prizrenit.
“Nuk mund të japë asnjë prononcim pa lejen e kryetarit lidhur me çështjen ‘Vokshi’. Kjo dosje po hetohet nga dy inspektorë të Inspektoratit Policor të ardhur nga Prishtina”, deklaroi gjyqtari i Gjykatës Komunale të Prizrenit, Gani Kastrati.
Shefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Enver Rrustemi ka konfirmuar se inspektori është inkuadruar në hetime të rastit të deputetes për shkelje të mundshme të policisë.
“Ka nisur hetimi dhe pritet pas grumbullimit të fakteve dhe analizimit të tyre dalja me raport. Në bazë të situatës ex-officio kanë nisur hetime. Po ashtu, ka qenë kërkesë e ministrit Bajram Rexhepi që të hetohet ky rast”, ka thënë ai.
Ndërkaq, të mërkurën pasdite kaluar në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës një duzinë qeveritarësh në detyrë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, të cilët janë takuar në Kukës me homologët nga Shqipëria.
Ministri i Brendshëm në largim, Bajram Rexhepi drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të kufirit, Shaban Guda janë takuar në Kukës me ministrin shqiptar të Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, drejtorin e Policisë së Shqipërisë, Hysni Burgaj, drejtorin e policisë kufitare, Pëllumb Nako etj.
Takimi është mbajtur “top sekret”. I vetmi që është përshëndetur fizikisht me përfaqësuesit e medieve ka qenë drejtori i përgjithshëm i policisë së Shqipërisë, Hysni Burgaj. “Ishte vetëm një takim privat”, ka deklaruar shkurt Burgaj.
Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi e ka konfirmuar takimin me autoritetet e rendit të Shqipërisë, por ka mohuar të ketë qenë takimi i fokusuar në rastin e deputetes Vokshi.
Të dielën në mesditë, policia kufitare në Vërmicë ka ndaluar deputeten e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi për fyerje ndaj policit dhe për moszbatim të urdhrave të personit zyrtar.
Mediat kosovare per incidentin
UPDATE- Mediat kosovare i kanë shkuar më tej incidentit të ndodhur pak ditë më parë ne pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Vërmicë mes policit kufitar dhe deputetes se PD-së Albana Vokshi.
Gazeta Express ka zbardhur disa nga fjalët me të cilat deputeja Vokshi i është drejtuar policit kufitar.
E bindur se të gjitha rrugët duhet t’i ketë të hapura, shkruan Express, sepse është deputete e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi ishte nisur për një vizitë private drejt Kosovës.
Por, pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Vërmicë, mesditën e së dielës, ajo ka dashur ta kalojë pa dhënë shumë llogari se kush është dhe pa i respektuar disa procedura ligjore.
Në këtë moment, kishte plasur sherri. “Ju s’dini gjë”, i është drejtuar Vokshi, deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë, policit kufitar të Kosovës.
Fyerjet e saj kanë vazhduar edhe më tej. “Ti qenke kafshë”, i ka thënë ajo policit në mesditën e së dielës që shkoi, në zonën kufitare.
Deputetja Vokshi ndodhej e shoqëruar edhe me dy persona të tjerë dhe donte të hynte në territorin e Republikës së Kosovës, pa u legjitimuar.
“Do ta shikoni ju se kush jam unë”, kishte vazhduar më tej deputetja Vokshi, kur kishte parë se polici kufitar, as që e kishte ndërmend të vepronte ndryshe, për aq kohë sa ajo nuk kishte përfillur disa procedura.
Këto dhe shumë detaje të tjera se çfarë ka ndodhur atë ditë, janë të shkruara në aktvendimin e lëshuar një ditë më vonë nga Gjykata Komunale e Prizrenit, e cila zyrtaren shqiptare, e ka gjetur fajtore në dy pika.
E para është për fyerje ndaj policit në kryerjen e detyrës së tij zyrtare dhe e dyta është për moszbatim të urdhrave të personit zyrtar.
Kështu, Gjykata ka vendosur që deputetja Albana Vokshi të shpallet fajtore dhe për këtë arsye, ajo është dënuar me një shumë prej 250 eurosh.