Home Politike PS, Xhafaj: Do t’i shkojmë deri në fund çështjes së zgjedhjeve për...

PS, Xhafaj: Do t’i shkojmë deri në fund çështjes së zgjedhjeve për Tiranën

1428
0

Partia Socialiste është e vendosur që t’i shkojë deri në fund çështjes së zgjedhjeve për Tiranën, të cilën e ka konsideruar një masakër elektorale që në krye të herës – kështu shprehet sekretari për çështjet ligjore i kësaj force politike, Fatmir Xhafaj. “Ne do t’i shkojmë deri në fund, në mënyrë që të identifikojmë në çdo hap gjurmët dhe autorët e këtij krimi që nuk do të ketë kurrë amnisti. Të gjithë do të përgjigjen për krimin elektoral që janë duke bërë”, tha ai.

Për PS, vendimi i KQZ për ankimimin e fundit të saj ishte diçka e pritshme. “Vendimi i djeshëm i KQZ është kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar. Nuk mund të ndodhte ndryshe sepse kjo KQZ nuk mund të vendoste ndryshe. Ajo është një shumicë kamikaze e vendosur për të çuar deri në fund urdhrat e Berishës. Vendimi i djeshëm ishte vula e një procesi të manipuluar. Nuk ishte rastësi fakti që relator i paraqitjes së kërkesës ankimore në shqyrtimin e KQZ ishte Ristani, i cili ka marrë përsipër ta drejtojë ekzekutimin e këtij procesi të kundërligjshëm. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe veçse ta mbyllte ai këtë proces të urdhëruar politikisht dhe të shkruar praktikisht nga klani i Berishës. KQZ përmes Ristanit dhe shumicës kamikaze e kundërshtoi ankimimin tonë jo për thelbin, por për procedurën, gjë që ishte pjesë e një skenari të orkestruar”, tha Xhafaj.

Sipas Xhafës, Basha kërkon që në këtë mënyrë të përfitojë një mandat të vjedhur. “Lulzim Basha, i akuzuar për megakorrupsionin e Durrës-Kukës, bashkautor në urdhërimin e masakrës kriminale të 21 janarit, tani kërkon që përmes procedurave ekstraligjore të zbatuara në një proces administrativ në KQZ, të përfitojë një mandat të vjedhur. Kjo që ka ndodhur dhe po ndodh është e turpshme dhe e papranueshme”, u shpreh Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here