Enti Statistikor i Kosovës ka shpallur rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë, duke hedhur poshtë të gjitha parashikimet e deritanishme për numrin e përgjithshëm të banorëve në Kosovë. Sipas regjistrimit të kryer në dy javët e para të muajit prill, Kosova ka saktësisht 1.733.872 banorë, pa përfshirë këtu pjesën veriore, ku komunat paralele serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe veriut të Mitrovicës kanë kundërshtuar me forcë regjistrimin
“Çështja e veriut vërtetë është një çështje problematike jo vetëm nga aspekti i regjistrimit, por Komiteti Drejtues në takimin e fundit ka bërë një deklaratë ku ka potencuar se në atë pjesë regjistrimi nuk mund të bëhet njëherë për njëherë, pa marrë parasysh të gjitha përpjekjet tona, nuk është garantuar bashkëpunimi i nevojshëm i popullatës që të kryet procesi i regjistrimit”-thotë Mahir Jagxhillar, Ministër i Administratës Publike.
Institucionet e Kosovës deri në regjistrimin e kryer në muajin prill gjithmonë kanë deklaruar se Kosova ka mbi 2.5 milionë banorë përderisa vetëm në Prishtinë, është menduar se jetojnë mbi gjysmë milioni. Por rezultatet e shpallura kanë befasuar shumëkënd, duke ngritur edhe dyshime mbi saktësinë e procesit në 34 komuna të Kosovës. Një shifër është veccanërisht befasuese, në Prishtinë jetojnë jo më shumë se 198.214 banorë. Por me gjithë dyshimet e hedhura nga përfaqësuesit e disa komunave, posaçërisht ata të Prishtinës, procesi është vlerësuar real nga vëzhguesit e Komisionit Europian.
“Monitoruesit ndërkombëtarë që kanë mbikëqyrur procesin vlerësojnë se procesi ka qenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe rezultatit e shpallura reflektojnë në mënyrë objektive situatën demografike në Kosovë“-tha Kjartan Bjornsson, nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së.
Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe ekonomive familjare, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha etnitë, është mbajtur më 1981, sipas të cilit Kosova kishte rreth 1,6 milionë banorë. Një regjistrim i ‘91-it, gjatë kohës së okupimit të Kosovës nga Serbia, i bojkotuar plotësisht nga shqiptarët e nxirrte Kosovën me 1.9 milionë banorë.