Dy ish-komando të ushtrisë greke dyshohet të kenë ushtruar torturat më të rënda ndaj të dënuarit shqiptar Ilia Kareli (Kudret Kume), dhunë, e cila çoi në vdekjen e tij më 27 mars të këtij viti. Mediat greke kanë publikuar fotot nga qelia në Nigritas ku ndërroi jetë 42-vjeçari, ku ishte transferuar pasi vrau një gardian në burgun e Malandrinos ku edhe vuante dënimin.
Për plot dy orë e gjysmë, Kareli është bërë viktimë e torturës nga 15 gardianë, të cilët tashmë janë vënë para drejtësisë greke dhe kanë pranuar dhunën ndaj shqiptarit.
Dëshmi rrënqethëse të cilat përfshinë edhe vetë drejtorin e burgut, i cili nuk bëri asgjë për të ndalur torturat që cuan në vdekjen e Ilia Karelit, por përkundrazi, i përgëzoi ata si “punonjës të mirë”.
Në një nga fotot duket qelia ku u masakrua Kareli, ndërsa në fotot e tjera dallohen njollat e gjakut në mur.
Ndërkaq, për një moment shfaqet mbulesa e gjakosur, me të cilën u mbështoll 42 vjeçari, ndërsa më tej duken rrobat që kishte veshur Kareli kur u gjet pa jetë. Para dhunës makabre, gardianët e kanë pështyrë dhe ofenduar Karelin, derisa i dhanë goditjet fatale.
Në një tjetër fotografi dallohet edhe pjata e gjellës që kishte kërkuar shqiptari një natë para se të ndërronte jetë. Ai është rrahur me grushte, shqelma dhe gardianët improvizuan një kamzhik me gjatësi rreth 50 cm.
Kareli u godit në pjesë të ndryshme të trupit, mbrapa, në këmbë, sidomos në thembra, gjoks, bark dhe kokë, ndërsa i janë hedhur kova me ujë, teksa e rrihnin, duke e bërë kështu torturën më të dhimbshme.
TE MARTEN GARDIANET PARA GJYKATES
Ditën e martë pritet të dalin para gjykatës të akuzuarit e prokurorisë greke për t’u njohur me akuzuar e ngritura në lidhje me skandalin që tronditi sistemin e drejtësisë greke. Mediat greke bëjnë të ditur se nga 15 gardianët që ndodheshin në turn natën e torturave ndaj Karelit, vetëm një prej tyre nuk ka ushtruar dhunë, madje sipas dëshmive dhe pretendimeve të vetë gardianit, ai e ka ruajtur të dënuarin shqiptar që të mos e dhunonin të tjerët.