Home Ekonomi Ilacet dhe vizitat ne spital: 10% TVSH

Ilacet dhe vizitat ne spital: 10% TVSH

730
0
Në ligj par-ashikohet që TVSH-ja të mos jetë 20 për qind, por 10 për qind. Ligji, që është pjesë e paketës fiskale të vitit 2010, pritet të kalojë në Qeveri dhe më pas në Kuvend për të hyrë në fuqi në fillim të vitit 2011. Ligji parashikon gjithashtu edhe aplikimin e TVSH-së 10 për qind, pra përgjysmimin e tatimit për shërbimin shëndetësor. Kjo lëvizje prek direkt shërbimin shëndetësor shtetëror dhe privat. Në ligj theksohet se “aktualisht këto shërbime ofrohen në normën standarde të TVSH, në masën 20%”. Përgjysmimi i TVSH në 10 për qind pritet të ulë shpenzimet për kurim apo analizimin e sëmundjeve si në spitalet dhe klinikat shtetërore, për ata që nuk janë të siguruar, por edhe në ato private. TVSH për ilaçet
Sipas teorisë dhe praktikës ekonomike, në kushte normale tregu, kërkesë dhe ofertë, çdo taksë apo tatim i ri mbi produkt do të pasqyrohet menjëherë te konsumatori. Në rastin e TVSH-së, aplikimi dhe pagesa e saj bëhet pikërisht nga hallka e fundit, që është konsumatori. Për këtë arsye, futja e ilaçeve në skemën e pagimit të TVSH-së e bën të pashmangshme rritjen e çmimit të tyre. Normalisht, pas fillimit të zbatimit të ligjit, të gjithë farmacitë do të shesin më shtrenjtë, të paktën 10 për qind ilaçet. Dhe bëhet fjalë për të gjithë llojet e ilaçeve, të prodhuara apo të importuara, të rimbursueshme, për pensionistët dhe ata që paguajnë sigurime, apo jashtë skemës së rimbursimit.
Argumentimi i relacionit
“Synimi i aplikimit të TVSH-së në masën 10% nga të përjashtuara, nuk do të sjellë rritje të çmimit të barnave në treg, qoftë të rimbursueshme, qoftë jo të rimbursueshme, sepse vendosja e TVSH për barnat do të synojë në sistemimin e mënyrës së faturimit të çmimeve reale të barnave në Shqipëri”. Edhe pse e habitshme, logjika e relacionit pranon që në rastin e uljes së TVSH për shërbimet shëndetësore, do të ketë ulje të çmimit, ndërsa në rastin e vendosjes së TVSH për ilaçet nuk do të ketë rritje të çmimit. Sipas relacionit, në bazë të analizës së tregut të barnave, për shkak se këto janë të përjashtuara dhe nuk kreditojnë TVSH në blerje, është identifikuar se për të kapur çmimet më të larta në treg dhe për të përfituar maksimalisht nga skema e mësipërme e fitimeve, firmat prodhuese bëjnë faturim të barnave në nivelin më të lartë të mundshëm. “Për arsye se përqindja e fitimit nga skema e mësipërme është në atë nivel që mund të suportojë lehtësisht edhe TVSH-në në masën 10%, është analizuar se ky projektligj nuk do të sjellë rritje të çmimit të barnave, por vetëm rregullim dhe mirëkontrollin të tregut të barnave në Shqipëri”. E thënë ndryshe, grosistët dhe farmacistët shqiptarë fitojnë aq shumë aktualisht, sa do të heqin dorë nga një pjesë e fitimit, për të mos rritur çmimin dhe të paguar TVSH-në në shtet. Një logjikë pak optimiste kjo, që vetëm koha do të tregojë sa mund të jetë e vërtetë.
TVSH për klinikat e spitalet
Ndryshe nga ilaçet, për TVSH në shërbimin shëndetësor Qeveria pret uljen e çmimit. Dhe logjikisht, përgjysmimi i TVSH nga 20 në 10 për qind pritet të sjellë uljen me të paktën 10 për qind të çmimeve të analizave, apo kurimit në klinikat dhe spitalet shtetërore e private. Sipas relacionit të ligjit, aktualisht TVSH-ja për të dy sektorët ka qenë 20 për qind. Pra, kur dikush kryente analizat shëndetësore në klinikën apo spitalin privat, paguante 20 për qind të faturës për shtetin. Pas votimit të ligjit, kjo shifër do të jetë 10 për qind. Normalisht, direktiva e BE për TVSH-në thekson se shërbimet shëndetësore janë të përjashtuara nga TVSH-ja. “Shtetet anëtare përjashtojnë nga TVSH-ja shërbimet mjekësore, shërbimet spitalore, kujdesin shëndetësor si dhe veprimet e lidhura me to”. Shqipëria duket se hapin e parë po ndërmerr përgjysmimin e TVSH-së. Në relacion theksohet se “miratimi i këtij ligji do të shoqërohet me kontrolle në terren nga administrata tatimore, për të siguruar zbatimin korrekt të tij në faturimet që do të bëjnë qendrat shëndetësore, me synim uljen reale të çmimit të shërbimeve shëndetësore në masën 10% të barrës së TVSH tek pacienti. Kjo është ngushtësisht e lidhur me reformën e shkurtit të këtij viti që profesionet e lira, përfshirë institucionet e sistemit shëndetësor, janë të përfshira në skemën e TVSH-së për qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë”.
TVSH për shëndetësinë, vetëm 150 mijë USD
Në bazë të të dhënave nga administrata tatimore, TVSH-ja e paguar nga sistemi shëndetësor gjatë 2009 është 15.429.563 lekë, ose rreth 150 mijë dollarë. Sipas të dhënave, rimbursime nuk ka pasur për arsye se këto kërkesa janë kompensuar në bazë të ligjit të procedurave tatimore, me detyrime të tjera tatimore. “Për këtë arsye, efekti negativ në të ardhurat nga TVSH-ja nuk është i konsiderueshëm”, theksohet në relacionin e ligjit të ri. Me një logjikë të thjeshtë, nga ulja e TVSH-së në 10 për qind efekti negativ mesatar në tatime do të jetë rreth 75 mijë USD në vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here