Kodi i ri i Etikës për prokurorët parashikon sanksione. Këtë e ka shprehur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë diskutimeve për Kodin e ri të Etikës, në kuadër të misionit TAIEX të Bashkimit Europian. Prokuroria Shqiptare ka përfunduar draftin e ri të Kodit të Etikës së Prokurorëve, në të cilën janë parashikuar parimet bazë të sjelljes së prokurorëve gjatë ushtrimit të funksionit, por edhe jashtë orarit zyrtar.
Sipas kryeprokurorit, Kodi aktual nuk funksionon, pasi nuk ka fuqi detyruese.
“Kodi i ri i Etikës përcakton parimet bazë të sjelljes, të cilat ndalojnë veprimet në kundërshtim me interesat publike. Kodi, natyrisht, nuk mund të zëvendësojë procedurën që ndjekin prokurorët në zbatim të ligjit. Por qëllimi i tij është dhënia e rekomandimeve të detyrueshme për prokurorët në veprimtarinë e tyre. Ky Kod nuk mund të konsiderohet si një përshkrim i plotë i normave të sjelljes. Gjithsesi, detyra e tij është që të përshkruajë ato parime themelore të normave etike, të cilat duhet të bëhen dominuese në veprimet dhe sjelljen e Prokurorëve.
Dokumenti i ri bazohet në gjashtë parime bazë, të cilat ndikojnë pozitivisht në rolin e prokurorit, si gjatë ushtrimit të detyrës, ashtu edhe jashtë saj: Pavarësia, Paanësia, Objektiviteti, Iniciativa, Dinjiteti dhe Bashkëpunimi. Ndër risitë më të rëndësishme në draftin e ri mund të përmendim normimin e sjelljes së prokurorit jashtë orarit zyrtar. Prokurori, pavarësisht rrethanave dhe kushteve, duhet të jetë i aftë që të reflektojë dinjitet moral dhe profesional”, tha kryeprokurori Llalla.
Aktualisht në vendin tonë ekziston një Kod Etike i miratuar në vitin 2005 nga Shoqata e Prokurorëve, por sipas kryeprokurorit “nuk përmbush kërkesat për ruajtjen dhe forcimin e integritetit moral të prokurorëve”.
“Tashmë është përfunduar drafti i Kodit të ri të Etikës së Prokurorëve, një dokument i hartuar me asistencën e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OPDAT, të cilët i falënderojmë. Po ashtu, një falënderim i veçantë u shkon edhe partnerëve të Bashkimit Europian, për organizimin dhe ofrimin e ekspertëve në këtë këtij takim. Kodi i viti 2005 nuk përmbush kërkesat për ruajtjen dhe forcimin e integritetit moral të prokurorëve. Për këtë arsye, u vlerësua shumë e nevojshme që të ridimensionohej ky akt dhe të përfshihej në aktet nënligjore, me fuqi detyruese, të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm”, u shpreh kryeprokurori.
Duke u ndalur tek mungesa e besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë në vitet e fundit, u shpreh se Kodi i ri ka parashikuar krijimin e një strukture të posaçme, Inspektorin e Etikës.
“Kjo njësi do të komunikojë drejtpërdrejtë me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të marrë të gjitha hapat e nevojshme për të përmirësuar performancën e prokurorëve. Ju garantoj se disa prej masave mund të jenë shumë të ashpra. Por, mendojmë se është e nevojshme për të forcuar integritetin e prokurorëve në ushtrimin e detyrës, sidomos jashtë saj. E ritheksoj etikën jashtë orarit zyrtar, pasi për opinionin publik, ky është momenti kur prokurori shmanget nga disa prej parimeve bazë të sjelljes funksionale dhe ligjore”, theksoi kryeprokurori.
Ndërkaq, Llalla tha se “janë vetëm një numër i kufizuar prokurorësh që veprojnë në kundërshtim me normat e etikës. Por, efekti i veprimeve të tyre ndikon në të gjithë trupën e prokurorëve që ushtrojnë me korrektesë dhe dinjitet detyrën”.
Prokurori i Përgjithshëm Llalla theksoi se përmirësimi i standardeve është i nevojshëm për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.