Home Politike Miratohet buxheti dhe paketa e re fiskale

Miratohet buxheti dhe paketa e re fiskale

672
0

qeveria Qeveria miraton buxhetin e ri për vitin 2014 dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Edhe pse mbledhja është zhvilluar ditën e djeshme, në faqen zyrtare të qeverisë dhe gjatë paradites së sotme nuk kishte asnjë informacion mbi këtë mbledhje.

U desh një postim në “Facebook” i zv/kryeministrit Niko Peleshi që të mësohet lajmi mbi miratimin e buxhetit dhe paketës fiskale. Postimi i Peleshit më shumë kishte të bënte me konfirmimin e projektit të qeverisë së mëparshme për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Por dhe ministri Veliaj konfirmoi sigurimin e 1.8 miliardë lekëve për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën ekonomike.

Ndërkohë “News24” siguron dhe disa të dhëna mbi buxhetin e ri, ku totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë në vlerën 459.5 miliardë lekë, nga të cilat 280 milionë euro do përdoren për faturat e prapambetura ndaj biznesit.

Edhe pse komuniteti i biznesit insistoi për shtyrjen e paketës së re fiskale, qeveria miratoi dje ndryshimet e taksave dhe vendosi që të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2014.

Që në fillim të vitit 2014 ndryshon tatimi mbi pagën. Ndryshimi fiskal nuk prek më shumë se gjysmën e individëve që kanë pagë nën 30 mijë lekë në muaj. Favorizon, pra takson më pak, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 130 mijë lekë në muaj dhe penalizon rreth 11 mijë persona që kanë një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj.

Në paketën e votuar dje, është vendosur përjashtimi nga TVSH prej 10% e të gjitha ilaçeve dhe shërbimeve shëndetësore. Kjo pritet të përkthehet me një ulje të çmimit të ilaçeve dhe do të shkojë në favor të atyre që përdorin medikamente, apo janë të sëmurë. Këto janë dy ligjet pozitive, pra që sjellin më shumë të ardhura për qytetarët.

Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur të rrisë taksën e shtëpive, për të gjithë pronarët që kanë një banesë të ndërtuar para vitit 1993. Aktualisht në Tiranë dhe qytetet e mëdha ky tatim ishte 15 lekë/ m2, dhe nga 1 janari bëhet 30 lekë/m2. Ndryshimi prek të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Një apartament prej 70 m2 në Tiranë paguante 1050 lekë në vit si taksë për ndërtesë. Nga 1 janari do të paguajë 2100 lekë në vit, pra dyfishin. Nga ana tjetër, kush ka një shtëpi të dytë, do të paguajë dyfishin e asaj që paguan aktualisht. Ndërsa për shtëpitë në zonat turistike taksa nga 200 lekë/ m2 shkon në 400 lekë/m2.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here