Home Aktualitet Gara per bashkine e Tiranes: Ja pikat e dobeta te Rames dhe...

Gara per bashkine e Tiranes: Ja pikat e dobeta te Rames dhe Bashes

548
0

Një mandat i katërt në Bashkinë e Tiranës është ajo që po e preokupon më shumë në këto momente Edi Ramën. Lideri i opozitës për të qenë i qetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të kërkojë dhe një herë se në 28 qershor nuk ka humbur, por thjesht votat i janë vjedhur. Rama përballë Bashës ka avantazhet e veta, të cilat do të jenë përcaktuese në garën e cila shihet si ndër më të fortat në historinë e pluralizmit. Rama e nis këtë garë me bonusin që i japin punët e kryera gjithë këto vite dhe e deri te eksperienca e tij për të drejtuar fushata spektakolare.

Avantazhet e Ramës

*Punët e bëra në Bashkinë e Tiranës

Të majtë apo të djathtë, të rritur apo të vegjël, bien dakord që Edi Rama e ka ndryshuar rrënjësisht qytetin e kioskave mbi Lanë. Në vitet e para por dhe në vijimësi Rama ka transformuar Tiranën në mënyrë rrënjësore. Në rast se sot vendos të largohet nga kjo bashki, padyshim që kjo dekadë për Tiranën do të njihet si epoka “Rama”. Kur mori drejtimin e bashkisë së kryeqytetit, Rama lëshoi batutën e cila sa për të qeshur ishte dhe e vërtetë. Ai tha se në godinën e bashkisë kishte aq televizorë sa dhe te dyqanet e “Samsung”-ut. Kjo tregon se ai institucion u kthye në një kantier të madh që ndryshonte çdo ditë qytetin.

*Qenia lider i gjithë opozitës

Shumë e shohin si disavantazh faktin që Rama është në krye të opozitës njëkohësisht me bashkinë. Por në të vërtetë kjo e bën atë dhe më të fortë. Rritja e profilit politik e bën Ramën që të jetë një personazh më i fortë se Basha, i cili në të vërtetë është nën hijen e Berishës. Këtë fakt Rama do ta kthejë në një betejë personale me kryeministrin duke u munduar të minimizojë sa më shumë figurën e Bashës. Po të vihet re, në këto kohë nga Partia Socialiste s’ka mbetur një ministër pa u akuzuar, ndërkohë që Basha është kursyer jashtëzakonisht shumë. Shumë vrasje pa autorë apo edhe krime të tjera do të ishin të pajtueshme që PS-ja të sulmonte ministrin e Brendshëm.

*Akuzat ndaj Bashës për korrupsion dhe vrasjen e 4 demonstreusve

Përpos gjithë fjalëve apo akuzave që hidhen lart e poshtë për korrupsion ndaj politikëve, Lulzim Basha ka qenë i pandehur në Prokurori dhe vetëm kalimi i afateve e shpëtoi ministrin për të mos u përballur me gjykatën. Ky fakt nuk do të mbetet pa u vënë në dijeni nga Edi ama dhe të vetët në zgjedhjet e ardhshme lokale që priten të jenë në pranverën e 2011-s. Socialistët nëse vendoset përfundimisht që Basha do të jetë kandidati i së djathtës, pa dyshim që do hapin arkivat e tyre për të rinisur akuzat dhe sulmet ndaj Lulzim Bashës.

*Qeverisja e vendit në këto vite

Pesë e vitet e fundit, qeverinë qendrore e ka pasur e djathta, por kjo për Edi Ramën nuk ka dashur t’ia dijë hiç. Ai ka mbajtur bashkinë e kryeqytetit në kuotat që e kishte kur në pushtet ishin socialistët. Për qytetarët, një pushtet i përqendruar vetëm në dorën e Berishës do të ishte me të vërtetë i frikshëm. Kështu që Rama ka si avantazh atë që quhet balancim të pushtetit, pasi dhe opozita është e përfaqësuar në një farë mënyre. Gjithashtu, konsumi që demokratët kanë pasur në qeverisje, është një tjetër faktor që ndikon në favor të Edi Ramës, i cili do të bëhej kryebashkiaku i vetëm i Tiranës që merr katër mandate, dhe ndër të paktët në botë.

*Eksperienca në organizimin e fushatave

Edhe pse në pamje të parë duket si një element jo shumë i rëndësishëm, organizimi i fushatës është arma më e fortë në duart e Ramës. Të gjithë kemi parë fushatat spektakolare që Rama ka bërë qysh në krye të herës kur kandidoi për herë të parë. Duke nisur nga elementi më i thjeshtë, Rama punon personalisht për të mos lënë asnjë detaj mangët. Për zgjedhjet e ardhshme ai do të ketë dhe konsulencën e një kompanie amerikane, e cila ka një eksperiencë të gjatë në organizimin e fushatave elektorale. Ramës përveç Tiranës do t’i duhet të organizojë dhe koordinojë fushatën në të gjithë bashkitë dhe komunat e vendit.

Avantazhet e Bashës

Lulzim Basha po bëhet gati për të qenë sfidanti i Edi Ramës për karrigen e të parit të Tiranës. Në kokën e Berishës thuajse është mbyllur çështja se kush do të kërkojë të heqë hegjemoninë e Edi Ramës në Tiranë. Ministri i Brendshëm, po harton dhe strategjinë se si do të fitojë Bashkinë e Tiranës. Gazeta “Tirana Observer” në një raport sjell pesë pikat ku Basha ka avantazh përballë kandidatit socialist. Duke filluar nga liberalizimi i vizave dhe deri te koalicioni me LSI-në, janë disa nga pikat që Basha do të shfrytëzojë përballë Ramës.

*Liberalizimi i vizave

Lulzim Basha është ministri i Brendshëm, dhe si i tillë heqja e vizave në fund të vitit i atribuojë atij një nga meritat kryesore të vendimit të Bashkimit Evropian. Në zgjedhjet lokale, refreni kryesor i Bashës do të jetë padyshim vendimi i evropianëve për të lëvizur të lirë shqiptarët në zonën e vendeve Shengen. Pa dyshim që ministria e Brendshme ka bërë një punë evidente në këto muaj për luftën ndaj krimit, por dhe në pajisjen e qytetarëve me mjete identifikimi, si karta dhe pasaporta biometrike. Heqja e vizave edhe pse është një proces i vonuar në raport me vendet e rajonit, sërish do të përdoret si një avantazh përballë qytetarëve nga ana e qeverisë.

*Konsumimi i Ramës në bashki

Edhe pse më tepër është një disavantazh i Ramës se një avantazh i Bashës, konsumimi i kryebashkiakut aktual është një tjetër pikë që i vjen në favor kandidati demokrat. Edi Rama ka në krye të Bashkisë së Tiranës për më shume se 10 vjet dhe si çdo proces që ka ciklin e vetë të fillimit të kulmit dhe të rënies, sigurisht dhe për kreun e Bashkisë së Tiranës, tash trajektorja është në rënie. Lulzim Basha është një figurë e re në këtë garë dhe padyshim do të shfrytëzojë këtë pikë për t’u kërkuar qytetarëve të Tiranës që ta provojnë njëherë si të parin e tyre.

*Menaxhimi i tre ministrive

Përpos të gjitha problemeve dhe debateve që janë bërë gjatë këtyre viteve, mund të thuhet se tre ministrit kryesore të një qeverie kanë kaluar në dorën e Bashës. Fillimisht Basha ishte ministër i Punëve Publike dhe Transporteve. Më pas ishte shefi i diplomacisë në ministrinë e Jashtme, dhe aktualisht është ministër i Brendshëm. Drejtimi i këtyre tre dikastereve e bën Bashën një figurë mjaft të rëndësishme në qeverinë Berisha. Duke qenë se në krye të bashkisë pjesën më të madhe e ka si menaxher, Basha duke kaluar në tre ministri ka fituar eksperiencën e nevojshme për të qenë qytetari i parë i Tiranës.

*Basha si “pinjollë” i Berishës

Emri i tij është i lidhur ngushtë me atë të Berishës. Ky i fundit i ka mbrojtur gjithmonë krahët, dhe tani, Basha është pothuajse produkt i tij. Berisha i dorëzoi çelësat e ministrisë së Brendshme duke e spostuar në krye të një institucioni kyç, i cili qëndron me një këmbë në sigurinë e rendit publik dhe me një këmbë tjetër në atë të pushtetit lokal. Dy detyra të reja që Basha duhet t’i menaxhojë me shumë kujdes dhe këtu nuk ka vend për gabime. Në fakt tashmë asnjë në PD nuk e fsheh faktin që Basha është pinjolli i Berishës dhe shumë herë ai është hipotetizuar se do të jetë pasardhësi i tij i denjë në krye të demokratëve.

*Koalicioni me LSI-në

Një tjetër avantazh dhe me një rëndësi jetike është dhe koalicioni me LSI-në e Ilir Metës. Në zgjedhjet e shkuara Meta mbështeti dhe Ramën dhe rezultati ishte i qartë më shumë se 22 mijë vota më shumë se kandidati demokrat. Në këto zgjedhje votat e majta të LSI-së do të jenë në favor të kandidatin të djathtë për shkak të koalicionit mes PD-së dhe LSI-së të nënshkruar një vit më parë. Votat e LSI-së edhe në rastin se nuk do të jepen Bashës të paktën do t’i hiqen Ramës, çka përbën një moment shumë të rëndësishëm për garën.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here