Gjykata e Apelit ka liruar tre gardistët e akuzuar për vrasjen e 4 demonstruesve në 21 Janar. Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj, ndodheshin në qeli pas masës së sigurisë së vendosur nga gjykata e Tiranës, “arrest me burg” për 30 ditë, vendim i cili u shqyrtua dje nga Apeli. Tre gardistët akuzohen se qëlluan me armë në 21 Janar Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda, dhe Aleks Nika, i cili vdiq më vonë në një spital të Turqisë. Nënoficerët kanë kundërshtuar akuzat dhe kërkojnë lirimin nga gjykata e Apelit.
Seanca
Gardisti Ahmetaj së bashku me kolegët e tij Sadik Çela dhe Mark Nikolli nuk pranuan akuzat dhe i kërkuan Gjykatës së Apelit shfuqizimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë të Tiranës për masën e sigurisë arrest me burg 30 ditë. Gjykata kishte dhënë 30 ditë arrest për t’i dhënë kohë Prokurorisë të paraqiste provat nxjerrë nga hetimet, por këto prova nuk u paraqitën duke nxjerrë.Tre gardistët e njësisë speciale, u arrestuan më 10 shkurt si të dyshuar se kishin qëlluar me armë më 21 janar, ku për pasojë gjetën vdekjen katër demonstrues: Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda.I vetmi që gjendet në qelitë e burgut nën masën e sigurisë “arrest me burg” është shefi i shtabit të njësisë speciale, majori Agim Llupo, nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe tejkalim kompetencash.
Llupo akuzohet për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi nga Gjirokastra.
Prokuroria zgjeron hetimet, thirren ushtarët
Pas vënies në dispozicion organit të akuzës edhe të 25 armëve të tjera të tipit MP5, tashmë institucioni i Gardës së Republikës do të duhet të përballet sërish me procedurën e marrjes në pyetje nga grupi hetimor, por kësaj here jo krerët e saj, por oficerët e thjeshte të nivelit zbatues. Kur kanë kaluar 43 ditë nga demonstrata e Partisë Socialiste organi i akuzës kërkon të zbardhë urdhrat e lëshuara për hapjen zjarr ndaj demonstruesve. Nëpërmjet marrjes në pyetje të oficerëve të thjeshtë Prokuroria e kryeqytetit mund të hedhë dritë ndoshta të një prej pikave kyç të hetimit i cili po asistohet dhe nga prokurorë të Shteteve te Bashkuara. Pas dështimit të opsionit mbi serverin qendror të cilin institucioni i Gardës nuk e dispononte, tashmë grupi hetimor krahas zbardhjes së tabulateve telefonike pritet të marrë në pyetje dhe oficerët e thjeshtë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në demonstratën e 21 Janarit. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se dëshmitë e tyre do të shërbejnë dhe si metodë ballafaqimi për të dhënat e disponuara nga Garda në organin e akuzës.
Ligori: Lirimi i gardistëve, turp për Berishën
Partia Socialiste ka reaguar dje pas lirimit të tre gardistëve të ngjarjes së 21 Janarit. Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Shegushe Ligori ka theksuar se lirimi i gardistëve është një turp i madh dhe për këtë fajin e ka kryeministri Sali Berisha. “Sot me urdhër të Saliut mbetën të lirë tre ekzekutorët gardistë të 4 viktimave të pafajshëm. Ky është një turp dhe për këtë turp e ka fajin Saliu” theksoi Ligori. Ajo gjithashtu theksoi se Berisha është përgjegjës jo vetëm për 4 viktimat e 21 janarit por edhe për tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. “Berisha është përgjegjës jo vetëm për vrasjet e 21 janarit por edhe Gërdecin, vrasjen e kryekomunarit Veseli dhe vrasjen politike të deputetit Fatmir Xhindi. Ai mban mbi supe 32 jetë njerëzish por sado të fshihet nuk mund t`i shpëtojë dot drejtësisë” theksoi Ligori.
Deputetet e PS ndajnë ftesa në Durrës, për protestën e 8 Marsit
“Në datën 8 mars ne të gjitha gratë do protestojmë për të drejtat tona, në orën 11 në Bulevardin Dëshmorët e kombit jeni të ftuar të protestoni për gjithcka ndaj këtij regjimi totalitar, jeni të ftuara të protestoni për gjithcka që na ka mbnytur, korrupsioni, rritja e çmimeve dhe padrejtësitë që i bëhen të gjitha grave tona”. Kështu u shpreh gjatë fjalës së saj deputetja socialiste Klodiana Spahiu teksa ndante ftesa për gratë në qytetin e Durrësit. Ndërsa deputetja tjetër Ermonela Felaj para se të dorëzonte ftesat e saj iu kujtonte grave se “Është shumë e rëndësishme që në datën 8 të gjitha gratë e Shqipërisë, më shumë se kurrë të protestojnë ndaj një qeverie, e cila i injoron njerëzit në Shqipëri. I konsideron njerëzit sikur nuk kujtojnë, sikur nuk dëgjojnë, sikur nuk shohin. Besoj që ju do jeni atje bashkë me ne, në orën 11:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”,- theksoi Felaj.
Xhaçka: Rritja e çmimit të bukës, zeron rritjen pensioneve
Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka ka denoncuar rritjen e çmimit të ushqimeve dhe veçanërisht asaj të bukës, një nga artikujt bazë për shqiptarët. Xhaçka theksoi rritja e bukës e kjo e shoqëruar edhe me rritjen e energjisë e zeron rritjen pensioneve dhe ndikon direkt në xhepin e shqiptarëve. Sipas saj ky është një fakt që tregon se ekonomia nuk është rritur. “Vetëm në 14 muajt e fundit na rezulton që buka është rritur me 200 lekë. Kjo rritje zeron plotësisht atë që u deklamuan me aq bujë, rritjen e rrogave dhe pensioneve pa përfshirë fare artikujt e tjerë të konsumit”,- tha Xhaçka. Duke u nisur nga rritja e çmimeve, deputetja socialiste mori shkas të ftojë të gjitha gratë në protestën e 8 Marsit.