– Eshtë arrestuar Ilir Xhakja, i akuzuari si autori i vrasjes së shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj. Arrestimi i tij u krye 2 orë pas mesnatës së të enjtes. Vrasja ndodhi rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme, në fshatin Katund të komunës Sukth. Shefi i komisariatit të Shijakut po kryente kontrolle rutinë ndaj makinave të dyshimta, kur edhe ndaloi makinën e Ilir Xhakjas, i cili ka qëlluar nga brenda makinës duke e lënë të vdekur kryekomisar Tahiraj. Në ngjarje mbeti e plagosur edhe një grua.
Shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj ishte 49 vjeç me origjinë nga Kernaja e Tropojës dhe baba i 3 fëmijëve, 2 vajza dhe një djalë. Në ngjarje u plagos dhe Elena Ndoja 67 vjeç nga Katundi i Ri, e cila ishte kalimtare. Dy orë pas vrasjes policia publikoi emrat e të dyshuarve si autorë Ilir Xhakja dhe Ledio Krasniqi, nipi i Ilirit.
Forcat e policisë kanë arrestuar rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, (14 shtator) autorin e vrasjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj Ilir Xhakja. Xhakja u arrestua në Shënavlash të Durrësit ku dhe ishte fshehur. Forcat të shumta të policisë kishin rrethuar zonën dhe Xhakja në pamundësi për t’u larguar është vetëdorëzuar bashkë me armën e krimit. Në kërkim Ledio Krasniqi, nipi i Ilirit.
Në orët e mbrëmjes së të enjtes, ministri i Brendshëm Flamur Noka bëri një vizitë ngushëllimi në familjen e Kryekomisarit të vrarë pasditën e djeshme Adem Tahiraj. Ministri Noka përcolli ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrit. “Rënia në detyrë e Ademit është një humbje e pazëvendësueshme për bashkëshorten, familjen dhe të afërmit. Policia e Shtetit humbi një kuadër të çmuar, dhe autorët e krimit do të përgjigjen para drejtësisë”- tha ministri Noka.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku tha në një deklaratë për shtyp se policia po vazhdon punën intensive për kapjen e autorëve të cilët janë të identifikuar. Sipas policisë, të dy autorët janë banues në Katund të Sukthit. Totraku sqaron të gjitha veprat penale të shtetasit Ilir Xhakja, ku ndër to thuhet: Në vitin 2002 është dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, ndërsa në vitin 2007 kur është arrestuar, u dënua vëtëm për armëmbajtje pa leje.
Ilir Xhakja, njëri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj, në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentjan Gjoka e Petrit Lyti. Më 15.5.2002. ka filluar procedimi penal për vrasje në territorin e komunës Katund i Ri Durrës. Në vitin 1995 është dënuar me 1 vit për plagosje të shtetasit Dashamir Lame. Një vit më vonë (1996) është dënuar me 6 muaj burg për kanosje serioze për jetën në dëm të Ylli Malokut. Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e rënda e ka dënuar 21 vjet burg në mungesë për vrasje në bashkëpunim ndaj Qerim Malokut. Arrestimi është bërë më 6.7.2007.