Prokuroria e Tiranës nis procedimin penal ndaj gjyqtarit të gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku, i cili ka liruar nga burgu “të fortin” e Shijakut, Ilir Xhakja. Procedimi penal ka nisur sot pas inspektimit që Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri në gjykatën e qytetin bregdetar duke sekuestruar dosjen në ngarkim të autorit të vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.

Në një njoftim të prokurorisë theksohet se regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë për faktin se pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës në daten 19.11.2010, Prokuroria e Durrësit ka dorëzuar në gjykatë dosjen për shtetasin, Ilir Xhakja, i akuzuar për veprat penale të vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim të shtetasit Qerim Maloku dhe mbajtjes pa leje të armeve luftarake.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës kërkoi deklarimin fajtor të shtetasit Ilir Xhakja dhe dënimin e tij me 24 vjet burgim. Këtë kërkesë prokuroria e ka paraqitur në të gjitha shkallët e gjykimit të shtetasit Ilir Xhakja, si dhe në Gjykatën e Lartë ku çështja u rikthye sërish në Gjykatën e shkallës së parë për moskompetencë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e shpalli vendimin e saj për këtë çështje më 9 shkurt të 2011, duke e deklaruar të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për vrasje dhe duke e pushuar çështjen ndaj tij.

Në seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës e apeloi vendimin megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar.

Pas arrestimit të të dyshuarit Ilir Xhakja për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende te shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, që prej datës së shpalljes se vendimit.