Një javë pasi pedofili i arrestuar Ardian Prenjasi pranoi autorësinë e vrasjes së Julian Celës, ende asnjë gjurmë për gjetjen e trupit të 11-vjecarit.
Hetimet mbeten të hapura, ndërsa operacioni i kërkimit për gjetjen e trupit të Julianit vazhdon në landfillin e sharrës.
Në prani të ushtarëve dhe familjarëve kërkimet vazhdojnë me shpresën se mund të bien në gjurmët e trupit, ku shpresat mbeten të pakta për aq kohë sa dhe dëshmitë e pedofilit kanë qenë kontradiktore.
Pas gjetjes së një batanieje me ngjyrë të kuqerremtë dhe një mbetje kockore e cila pasi u analizua doli një kockë shtazore, grupi i hetuesve është duke pritur rezultatin e ekzaminimeve të bëra në banesën e Prenjasit për të rënë në ndonjë gjurmë gjaku apo të ADN-s së Julianit.
Banesa në rrugën Bujar Kaloshi në zonën e Laprakës është ende në sekuestron e policisë ndërsa burime nga organi i akuzës thanë për A1Report se ditën e sotme pritet të merren në pyetje disa prej personave në hetim për të dhënë dhe njëherë deponimet e tyre.