Aktorja e njohur me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, mbërriti dje në Shqipëri, kësaj here për t’u ndjerë tërësisht shqiptare. E shoqëruar nga disa producentë dhe grupe xhirimi të disa televizioneve amerikane, Eliza Dushku tha para mediave shqiptare se do të promovojë imazhin e Shqipërisë. Ajo nuk e fshehu edhe një kërkesë të saj për të marrë shtetësinë shqiptare, të cilën e tregoi edhe përpara fotografëve.
Ajo u prit sot në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Aktorja e mirënjohur u shpreh se do të udhëtojë në qytetet më të bukura shqiptare, si dhe veçanërisht në Korçë, nga është origjina e saj, një qytet që ajo nuk ka qenë asnjëherë në jetën e saj. “Po bashkëpunojmë me producentë nga “Lonely Planet” apo “Travel Channel”, sepse duam të përgatisim diçka që të tregojë se sa e mahnitshme është Shqipëria.
Gjithashtu, s’kam pasur kurrë mundësi të shkoj në Korçë, nga e cila është babai im”, tha Dushku dhe më pas ajo firmosi kërkesën për të pasur pasaportë shqiptare, duke qenë kështu edhe zyrtarisht një shtetase shqiptare. Mësohet se pjesë e këtij prodhimi do të jenë edhe shqiptarët e tjerë të famshëm, Inva Mula e aktori Blerim Destani. E pyetur nëse ky udhëtim do ta frymëzojë të bëjë një tjetër tatuazh me simbolet shqiptare, Eliza është përgjigjur duke thënë se tatuazhet nuk ia pëlqen i dashuri. “Dua shumë, por i dashuri im nuk është se i pëlqen, megjithatë nuk i dihet”.
Ndërkaq, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Tabaku, tha se Eliza Dushku do të takohet sot me kryebashkiakun Lulzim Basha dhe se do të promovojë vlerat socialkulturore të Shqipërisë në një udhëtim prej 10 ditësh në Shqipëri. “Aktorja Eliza Dushku do të takohet me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, do të vizitojë disa nga qendrat tregtare të Tiranës e më pas do të ketë një udhëtim turistik në Durrës, Berat, Korçë, Krujë e Vlorë, për të bërë një promovim sa më të mirë të Shqipërisë”, tha Tabaku.