Qirinj të ndezur, lule dhe dedikime janë vendosur mbrëmjen e së dielës nga shumë qytetarë në kryeqytet në nder të dy turistëve çekë të vrarë një ditë më parë në Prekal të Shkodrës. Qytetarët kanë shprehur ngushëllimet e tyre. Nuk kanë munguar edhe lotët nga turist të huaj që vizitojnë kryeqytetin, ndoshta edhe çekë.
“Falënderoj të gjithë qytetarët për këtë xhest”- është shprehur përfaqësuesja e Ambasadës Çeke në Tiranë.
“Homazh i heshtur për humbjen e jetës së dy turistëve. Është një shprehje ngushëllimi për familjarët e qytetarisë shqiptare, një tregues civilizimi që qindra qytetarë janë këtu sot për të ndezur qirinj në emër të jetës dhe kundër barbarisë. Ky është ndëshkimi moral që një shoqëri i jep një autori të një krimi. Njerëzit janë sot këtu për të dëshmuar që jo të gjithë identifikohen me krimin kjo është një kryengritje nga kësaj barbarie.”- u shpreh gazetari Mentor Kikia.