Home Mustafa Nano Politika shqiptare po kap fundin

Politika shqiptare po kap fundin

811
0

kuvendi4Në Mapon e  para ca ditësve raportohej/interpretohej në mënyrë interesante ajo që po ndodh në Lezhë. Thuhej pak a shumë kështu: „Në PS duan që në Kuvend, në vend të ministres Mimi Kodheli që e ka lënë vendin e deputetes së Lezhës, të vijë Arben Ndoka, që në listën shumemërore të deputetëve është i treti. Para tij ish një grua, Merjeme Delishi, dhe ish kjo që mori mandatin e deputetes. Por papritur zonja Delishi dha dorëheqjen me motivacionin se është e sëmurë. I erdhi radha Arben Ndokës? Jo, pasi KQZ-së i duhet t’i bindet më së pari detyrimit ligjor të kuotave të caktuara të përfaqësimit të grave të Kuvend. Dhe kështu, vendin e Merjeme Delishit do duhet ta zërë se s’bën një grua tjetër e listës. Ajo është Mirela Neli. Është e teta në listë, por është e vetmja grua. E prandaj, KQZ-ja do t’ia japë asaj mandatin e dorëzuar prej Delishit. Pas kësaj, pritet një dorëheqje tjetër, këtë herë e Nelit, e duke qenë se nuk ka më gra në listë, radha i vjen Arben Ndokës.“

Ne e dimë, tanimë, që kjo ka ndodhur. Procedurat institucionale e parlamentare ende nuk janë mbyllur, por dimë që edhe Delishi ka dhënë dorëheqjen, edhe Neli ka bërë me dije se mandatin nuk do ta marrë. Që të dyja kanë thënë se „janë të sëmura“. Kështu që deputet do jetë Arben Ndoka. Ashtu siç do të jetë dhe Bujar Derveni për qarkun Durrës, në vend të deputetes Silvana Maksuti, e cila dha dorëheqjen pasi i zuri vendin ministrit Lefter Koka.

Deputetet e PD-së ngritën zërin dje në mbrojtje të grave, dhe i mëshuan idesë se e gjitha kjo po ndodh ngaqë në vend të deputeteve gra duan të sjellin burra mafiozë. Mund të mos jetë pa gjë ky pretendim. Por ju kujtohet se si filloi kjo histori? Ka filluar andej nga shtatori 2013, dhe i pari që dha dorëheqjen, në të njëjtat rrethana, ka qenë Vasil Bici i PD-së. Në vend të tij erdhi Mëhill Fufi. Ky i fundit mbahet si i fortë në atë zonë, dhe PS-ja, pas kësaj, po tenton t’i përgjigjet me të fortin e vet, Arben Ndokën. Dhe kështu, situata në terren balancohet përsa i takon kontrollit e dominimit fizik të territorit. Janë jek e jek. Një i fortë kundër një të forti (të kuptohemi, „i fortë“ është thjesht një eufemizëm). E kur nuk është punë të fortësh, është punë lekësh, dmth bëhet çmos të futen në Kuvend burra që kanë harxhuar shumë lekë gjatë fushatës, e këto lekë duhet t’i nxjerrin në ca rrugë që veç deputetlliku t’i mban të hapura.

E shikoni se ku kemi arritur? Dhe këtë e quajmë politikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here