Demokratët do të protestojnë sot në orën 12:00 para godinës së Kryeministrisë, kundër rrënimit që sipas tyre Edi Rama po i bën ekonomisë shqiptare. Demokratët premtojnë se do të bëjnë të pamundurën në Parlament për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, por ftojnë qytetarët në protesta popullore për të mos lejuar që qeveria ta çojë vendin në krizë. PD-ja vijoi edhe dje tryezën e radhës, për të diskutuar mbi temën “Ku po shkon ekonomia shqiptare?”, me përfaqësues të shtresave në nevojë, si pensionistët dhe organizata OJF që ndihmojnë këto shtresa.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi se ndër efektet e paketës së re fiskale, do të jetë rritja e çmimeve të artikujve të shportës, si dhe rritja e çmimeve të një sërë shërbimesh, si reflektim i rritjes së çmimit të karburantit. “Ky buxhet dhe kjo paketë fiskale do t’i varfërojnë më shumë shqiptarët”, – tha ai.
Sipas Bashës, “buxheti mund të quhet projektbuxheti i vetë konsumit apo i gostisë qeveritare. Ai rrit konsumin e qeveritarëve. Investimet nga buxheti ulen me 80 mln USD, ndonëse taksat rriten dhe borxhi rritet. Edhe ato para që shënohen për investime jopublike, përdoren për të rritur konsumin parazitar të qeverisë. Nuk rriten pagat, as pensionet. Ata që jetojnë me paga dhe pensione duhet të paguajnë më shumë taksa. Pra pensionistët duhet të shtrëngojnë rripin. Buxheti nuk ka asnjë fjalë për minatorët. Shërbimi shëndetësor, shëndetësia ka një rritje me të ulët. Në këtë buxhet rritet pa kufi niveli i sigurimeve shëndetësore. Për arsimin ka premtuar dyfishim të buxhetit, në këtë buxhet ka një rritje prej 4%, ndërsa ulet ndjeshëm financimi për universitetet. Për shtresat në nevojë buxheti nuk garanton as detyrimet që mbulon sot. Nuk siguron as shtresat e tjera në nevojë. Për të përndjekurit për të cilët u bënë premtime, në fakt në këtë buxhet gjithë premtimet janë katandisur në 1.3 miliardë lekë. Buxheti nuk mbështet aspak punësimin e shqiptarëve, por ndihmon me gjithë fuqinë varfërimin e tyre. Taksat e rritura dhe investimet e ulura po përgatisin krizën dhe shkurtimin e vendeve të punës. Fermerëve, përveç taksës së naftës, duhanit, u rriten edhe kontributet e sigurimeve shëndetësore etj.”, – tha Basha.