GJIROKASTËR- ‘Shpërthen’ Lazarati. Duket se pas superoperacionit të drogës, policia e vuri nën kontroll fshatin rebel, por situata e krijuar mesditën e sotme atje tregon krejt të kundërtën. Banorët e Lazaratit mësohet se kanë qëlluar sot me gurë policinë dhe grupin e xhirimit të News 24.
Gjithçka nisi pas një proteste të gjimnazistëve dhe banorëve në qendër të qytetit, të cilët protestuan pasi nuk duan që në fshat të patrullojë policia. Edhe grupi i xhirimit të News 24, së bashku me gazetaren Eri Muço kishin shkuar në fshat pikërisht për të filmuar këtë protestë, që ishte paralajmëruar si paqësore.
Por duket se situata është tensionuar dhe banorët kanë nisur të qëllojnë mbi policinë. Mësohet se dy prej efektivëve janë plagosur, njëri në fytyrë dhe tjetri në krahë. Banorët kanë qëlluar me gurë dhe vezë mjetet e policisë, duke thyer xhamat e tyre.
Gazetarja e News 24 rrëfen e tronditur se nga sulmi i banorëve ajo është plagosur në shpatull.
“Unë jam qëlluar me gurë nga banorët në pjesën e shpatullës. Jam në një makinë të blinduar të policisë që më ka marrë gjatë rrugës pasi po vrapoja për t’i shpëtuar sulmit. Erdhëm të filmonim një protestë të nxënësve, por nuk shkuam dot në qendër të fshatit pasi u sulmuam. Protesta ishte kundër efektivëve të policisë, kundër pranisë së tyre në fshat. Teksa po përpiqeshim të hynim në pjesën sipërme të fshatit pamë që situata ishte agravuar. Janë sulmuar edhe 3 policë. Të rinjtë që kanë qëlluar drejt nesh ishin të maskuar”, rrëfen gazetarja e News 24.
Më tej ajo rrëfen se nga makina e policisë sheh përforcime nga policia e Gjirokastrës, FNSH dhe mjete të blinduara që po mësyjnë drejt fshatit.
NORMALIZOHET SITUATA NË LAZARAT
Ora 15:27- Pas disa orësh tensioni, është normalizuar situata në Komunën Lazarat në Gjirokastër. Bëhet e ditur se në fshat ndodhet zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato.
3 POLICËT E PLAGOSUR NË SPITALIN E GJIROKASTRËS
Ora 14:42– Gazetarja Eri Baço rrëfen se policët e plagosur janë transportuar drejt spitalit të Gjirokastrës, ndërsa vetë ajo ndodhet në gjendje më të mirë pas sulmit. Po sipas burimeve të saj, situata është qetësuar disi edhe në brendësi të fshatit, pas shtimit të forcave të policisë.
DASHO ALIKO: NUK NDODHEM NË LAZARAT, NUK KAM INFORMACIONE
Ora 14:38- Kryekomunari i Lazaratit, Dasho Aliko në një komunikim telefonik me News 24, ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion për situatën dhe se nuk ndodhet në fshat. “Nuk ndodhem fare në Lazarat dhe nuk kam asnjë informacion”, thotë ai.