Zyrtari i KQZ: Do të vendosen prioritet dhe procedurat nëpër të cilën kalon një proces zgjedhor. Kutitë i nënshtrohen detyrimit ligjor.
Me dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë nga puna për përgatitjen e zgjedhjeve dhe ku përfshihet djegia e kutive të votimit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për gazetën “Shekulli”, anëtari i KQZ, Klement Zguri.
Ai sjell në vëmendje se ligji thotë që KQZ pasi përfundon i gjithë procesi dhe i ankimimit, është neni 178 pika 6, hap kutitë e materialeve zgjedhore. Sipas tij, ky nen e ka të fiksuar, procesverbalet dhe çfarë duhet që të shkojnë në arshivën e shtetit. Ndërsa, vijoi zyrtari i lartë i KQZ, fletët e votimit dhe kundërfletët digjen në mbikëqyrjen e tyre.
“Pra, tani është ideja që në të gjithë kohë për të mos u futur në konfliktin që ishte ndërmjet partive politike, ne qëndruam, nuk ndërhymë. Me daljen e dekretit ne jemi të detyruar të vihemi në lëvizje, se ne nuk mund të pranojmë që të rrezikohen zgjedhjet për shkakun tonë se ne nuk bëjmë dot punët”, -deklaroi Zguri.
Kjo do të thotë që, sqaroi anëtari i institucionit të administrimit të zgjedhjeve, me daljen e dekretit të Presidentit, KQZ do të vendosë prioritetet e veta, sipas procedurave dhe afateve që kalon procesi zgjedhor, ku në vëmendje patjetër janë edhe infrastruktura, logjistika, ku kutitë e votimit janë një nga këto elementet.
“KQZ do të vendosë prioritetet e veta dhe nisur nga afatet dhe procedurat nëpër të cilën kalon një proces zgjedhor. Kjo do të thotë që, edhe kutitë e votimit do t’i nënshtrohen detyrimit ligjor”, -shpjegoi procedurën Klement Zguri. Më tej, ai thekson se kohën e djegies së fletëve të votimit e vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për sa i përket problemit mbi kutitë e fletëve të votimit që mban peng zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, Zguri thotë se është një konflikt që nuk është i përkthyer në ligj. “Kjo është situata e politikës në Shqipëri. Unë jam një institucion që eci përmes ligjit dhe veprimet e mia i bazoj në ligj. Nesër në rast se më rrezikohet procesi qoftë edhe për shkak se nuk janë gati kutitë, apo logjistika në përgjithësi, kush e mban përgjegjësinë konflikti apo institucioni?”, -vlerëson anëtari i KQZ.
I pyetur mbi propozimin e PS që fletët të mos digjen, por të blihen kuti të tjera, Zguri thotë se nuk i referohet as çfarë thotë PS dhe as çfarë PD, por çfarë ligji kërkon. “Në rast se ata bien dakord, janë problemet e tyre, por gjithsesi duhet t’i kthejnë në ligj, në akt normativ. Ne në momentin që flasim kemi Kodin Zgjedhor përpara dhe i referohemi atij. Nuk jam unë KQZ, është vendimi i KQZ që do ta vlerësojë. Por, është thjesht kujdesi që ne nuk mund të rrezikojmë procesin e ardhshëm”, vlerëson ai.
Anëtari i institucionit të administrimit të zgjedhjeve theksoi se konflikti nuk është ligjor dhe po të ishte mund të kishin ndërhyrë kur kërkonte njëra palë që të digjen. Sipas tij, KQZ priti të gjithë këtë kohë dhe për të mos ndërhyrë në mes në një debat publik. “Gjithsesi ka një fund, nuk mund të shkojmë pambarim kështu. Në rast se ata nuk konkludojnë, nuk merren vesh, ne jemi të detyruar ta çojmë në këtë pikë”,- deklaroi Klement Zguri.
Me daljen e dekretit të Presidentit, KQZ do të vendosë prioritetet e veta, sipas procedurave dhe afateve që kalon procesi zgjedhor, ku në vëmendje patjetër janë edhe infrastruktura, logjistika, ku kutitë e votimit janë një nga këto elementet. Kjo do të thotë që, edhe kutitë e votimit do t’i nënshtrohen detyrimit ligjor”
Kodi Zgjedhor/ Neni 178 Ruajtja e dokumentacionit
5. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
6. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Anëtari i KQZ: Kërkesa për referendum, s’ka referencë ligjore
Anëtari i institucionit të administrimit të zgjedhjeve komentoi dje kërkesën e disa qytetarëve për referendum popullor për hapjen e kutive, duke e vlerësuar si jokorrekte. Në prononcimin e tij, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vlerësoi se në atë kërkesë nuk ka asnjë referencë ligjore.
“Nuk ka asnjë referencë ligjore. Ndërkohë që, po të shohësh termat brenda saj përmenden kriza politike, kriza ekonomike që janë të ulura këmbëkryq në familjet e shqiptarëve, madje ka terma edhe shumë të rëndë që situate mund të përkeqësohet dhe të dalë edhe jashtë kontrollit. Janë elementë të cilët nuk janë në fokus të punës së KQZ”, -deklaroi Klement Zguri.