Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan për sulmet terroriste të së martës në Stamboll.
“Jam shumë i tronditur dhe i revoltuar nga sulmet terroriste në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, ku humbën jetën dhjetëra persona e shumë të tjerë u lënduan. Me ndjenjë të thellë trishtimi e hidhërimi, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjarëve të viktimave, popullit mik turk, Juve dhe qeverisë suaj, si dhe të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë”, thekson Nishani.
“I dënoj me forcën më të madhe këto akte të urryera terroriste që përgjakën muajin e shenjtë të Ramazanit dhe synojnë të trembin e destabilizojnë Turqinë mike, si dhe ju siguroj se në këto momente të vështira e kritike, unë dhe populli shqiptar jemi pranë jush, pranë familjarëve të viktimave dhe popullit mik turk. Zoti ju dhëntë qetësi, kurajë e forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike”, lexohet në mesazhin e kreut të shtetit shqiptar drejtuar Presidentit të Turqisë.