Nga data 1 mars do të nisë një ulje e re e tarifave me shumicë të telefonisë celulare, që do të vazhdojë për katër vjet, duke synuar të çojë tarifat drejt kostos efektive.
Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ulja e tarifave me shumicë do t’ju krijojë operatorëve hapësirën për të konkurruar me tarifa më të ulëta për thirrjet midis rrjeteve të ndryshme. Për operatorët më të mëdhenj, AMC dhe Vodafone, tarifa, nga 10.5 lekë/minuta, do të kalojë, nga data 1 mars, në 8.85 lekë/minuta. Për kompaninë Eagle Mobile, nga 12.92 lekë/minuta, që është aktualisht, do të bëhet 10.89 lekë/minuta, ndërsa për kompaninë Plus, nga 19.9 lekë/ minuta, do të bëhet 15.93 lekë/ minuta. Gjithashtu ulje do të ketë edhe për SMS-të. Për AMC dhe Vodafone, tarifa e terminimit barazohet me tarifën mesatare në vendet e BE-së në vitin 2009, të publikuar në Raportin e 15-të KE, prej 6.7 cent, duke përdorur kursin mesatar të këmbimit prej 132.06 lekë/euro për vitin 2009.
AKEP ka vendosur, gjithashtu, t’u kërkojë operatorëve celularë të ulin tarifat me shumicë edhe për mesazhet e shkruara, të cilat sot janë shumë më të larta se kostot.