Media të ndryshme serbe vazhdojnë të promovojnë nga ana turistike vendin tonë në publikun përkatës duke kontribuar haptazi në rrëzimin e miteve dhe paragjykimeve të së shkuarës. “Rrëzoni paragjykimet, vizitojeni Shqipërinë” shkruan agjencia serbe ‘Telegraf’.
Këto media, duke cituar oferta të agjencive të ndryshme turistike serbe, deklarojnë gjithashtu se Shqipëria, dikur një nga vendet më të izoluara në Europë, vitet e fundit është një nga vendet më të hapura për turistët. Gjithashtu, sipas këtyre të fundit, nga vendi ynë qytetarët serb kthehen gjithmonë këndshëm të suprizuar.
Telegraf nga ana e saj citon dhe një ofertë të “superodmor.rs”, ku një turne turistike prej katër ditësh, enkas për qytetarët serb, është quajtur “Skënderbe”. Sipas kësaj oferte turistët serb fillimisht zbarkojnë në portin e Durrësit dhe më pas për ta parashikohen etapa e vende të tjera në Shqipërisë, si për shembull një natë buzë liqenit të Ohrit.
Ky rast, me precedent të pakët, është konfirmimi i orvatjeve të vazhdueshme të mediave në rajon për të rrëzuar paragjykimet me baza etnike dhe fetare. Duke dhënë kështu një kontribut tjetër në ndërtimin e raporteve dhe bashkëjetesës në harmoni me vendeve të Ballkanit.