Home Kulture “Manifesti i Hitlerit” ndalohet nga kodi penal

“Manifesti i Hitlerit” ndalohet nga kodi penal

893
0
Ermir Nika, drejtori i Botimeve në MTKRS

Drejtorit të botimeve pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ermir Nikës, i bie telefoni pa fund. Të gjithë duan të dinë se cili është botuesi apo se çfarë do të ndodhë me librin, ndërkohë që ai ka dalë nëpër librari. Bëhet fjalë për “Mein Kampf”, një nga librat më të përfolur në historinë e botimeve, kudo në botë e që tashmë gjendet edhe në libraritë shqiptare, sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Belina H”. “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përgjigjet vetëm për librat artistikë apo albanologjikë, ndërsa “Mein Kampf” është një traktat i mirëfilltë politik. Është e vërtetë që tek ne është e garantuar liria e shtypit dhe ky është një botim privat, por botuesin e këtij libri e kap neni 265 i Kodit Penal të Shqipërisë”, thotë Nika, i cili është konsultuar me juristët e Ministrisë në lidhje me këtë rast. Sipas tij, jo shumë kohë më parë, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Çeki dhe botuesi është penalizuar me heqje lirie. Pavarësisht se sipas tij botimi i këtij libri e tejkalon kompetencën e tij, si drejtor i botimeve ai është interesuar për shtëpinë botuese apo botuesin e këtij libri. “Mua nuk më figuron asnjë shtëpi botuese me këtë emër. Me shumë gjasë është një shtypshkronjë dhe pas saj fshihet dikush tjetër”, thotë Nika, duke iu bashkuar të gjithë atyre që thonë se bëhet fjalë për një shtëpi botuese “fantazmë”. Ndërsa citon nenin përkatës në Kodin Penal, drejtori i botimeve në MTKRS thotë se, pavarësisht çdo të ndodhë me këtë libër, ai do të hapë patjetër debatin se çfarë duhet të bëhet me këta libra, nëse ka ardhur koha që ata të botohen, apo jo. Libri ka vetëm 2-3 ditë që ka dalë në treg dhe tashmë debatet kanë filluar të ndizen. Qysh para se të botohej ky libër, diskutohej mundësia e botimit të tij dhe ngrihej pyetja se si do reagohej ndaj tij. Janë të shumtë ata që e prisnin dhe që nuk përbënte ndonjë problem ky libër, madje shprehen se “askujt nuk i vjen e keqja nga librat”, por ndërkohë ka edhe nga ata që e shohin botimin e “Mein Kampf” si të parakohshëm dhe se lexuesi ynë nuk është ende gati për ta pritur atë.
Botuesi: Ja pse e solla në shqip librin e Hitlerit
Beqir Haluli flet për botimin e librit nga “Belina H”
“Për ne nuk përbën asnjë problem, më i rrezikshëm është Enveri e Stalini”

 

 

 

Botuesi i librit të Hitlerit, Beqir Haluli

Botuesi i librit të Hitlerit, Beqir Haluli
“Është një libër krejt i parrezikshëm”. Kështu thotë botuesi i “Mein Kampf”, Beqir Haluli, i cili pa dashur ka ngjallur një debat të jashtëzakonshëm duke botuar traktatin politik të Hitlerit. Botimi i këtij libri ka ngjallur jo pak reagime, pro e kundër. Kush mendon se ka ardhur koha të botohet ky libër, një tjetër kujton Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe nenin që parashikon nga gjoba deri në dënim me 10 vjet heqje lirie për ata që “nxisin urrejtjen racore…”. “Mein Kampf” është një traktat politik, që sipas botuesit nuk përbën asnjë rrezik për një vend si Shqipëria, e cila ka 20 vjet në demokraci dhe ka botuar gjithfarë libra diktatorësh.
Botimi i librit të Hitlerit po bën mjaft bujë, nuk ju duket pak e guximshme?
Nuk e kam parë me këtë sy, unë kam menduar se nuk ka asnjë pengesë për ta botuar këtë libër dhe e botova. Kam rreth 2-3 vjet që merrem me të. Nuk është çështje guximi, sot mësova që dikush tjetër po interesohet të botojë këtë libër. Sigurisht që mund të jetë një variant tjetër, pasi i gjithë manuali i Hitlerit nuk mund të përmblidhet në një libër 500-faqësh. Por përmbajtja është ajo.
E kishit menduar se ky botim nuk do kalonte në heshtje?
Kisha një parandjenjë se ky libër do të ngjallte debate. Madje, edhe sot kam parë mendime pro dhe kundër. Ka shumë që mendojnë se një botim i tillë është më se normal. Pas 20 vjetësh demokraci, ky libër nuk përbën ndonjë problem. Sot kam hyrë për kuriozitet në një librari dhe kam parë që aty nuk mungojnë librat e Enverit, Stalinit, Musolinit, vetëm ky mungonte dhe le t’i bëjë shoqëri.
Ndër komentet që bëhen për librin, thuhet se ai mund të jetë edhe i “rrezikshëm”, të nxisë “urrejtjen racore”…
Për ne është më i rrezikshëm Enveri e Stalini, sepse varet edhe nga libri që i boton. Libri është botuar në të gjitha vendet e botës, vetëm në Gjermani përbën ende problem, për shkak të organizatave neonaziste. Por edhe aty, me sa kam dëgjuar, po përgatitet një libër me shënime të Hitlerit. Nuk e kuptoj se përse po bën kaq shumë zhurmë ky libër. Ky libër nuk përbën rrezik për shqiptarët, të cilët ndryshe nga Hitleri që e shfarosi popullin hebre, i ka mbrojtur si askush tjetër ata.
Ç’ju shtyu ta botonit?
Hitleri ishte një nga ata njerëz që shkatërroi jo vetëm gjithë botën, por edhe vendin e tij, Gjermaninë. Është mirë që të rinjtë ta dinë këtë. Por kam frikë se kur ta lexoni këtë libër, nuk është do të jetë ashtu siç e prisnit. Unë jam një dashamirës i librit. Kam probleme fizike dhe botimin e librit e kam më shumë si pasion, sesa një aktivitet fitimprurës. Por ju garantoj që është një libër i mërzitshëm.
Kush e ka shqipëruar librin?
Libri është përkthyer nga Kushtrim Gjosti. Nuk është ndonjë përkthyes i njohur, por mua m’u duk se nuk ishte një botim i keq.
Do ju vijë keq nëse do të merren masa ndaj këtij libri, ta heqin nga qarkullimi?
Po të bindem se kam gabuar, atëherë nuk do të më vijë keq. Por nuk shoh asnjë pengesë dhe nuk di se ku mund të bazohen për të më ndaluar librin. Tashmë unë pres si do të pritet libri nga analistët apo njerëzit e letrave. E përsëris, për ne është krejt i parrezikshëm.
Lufta e Hitlerit në shqip
Për 1500 lekë, në 528 faqe vjen në shqip “Lufta ime” (“Mein Kampf”) i Adolf Hitlerit, një libër me një histori të gjatë botimesh pas shpine, ndalimesh, djegiesh, ribotimesh… Ai është një nga librat më të debatuar, kundërshtuar, kritikuar, por edhe më të njohur të shekullit XX. Hitleri nisi ta shkruante librin në verën e vitit 1924, ndërsa kryente një dënim me burg për përpjekjen e dështuar të rrëzimit të qeverisë. Fillimisht kishte planifikuar të shkruante një autobiografi, por ambicia iu rrit dhe vendosi të shkruajë një libër të ashpër e tendencioz, duke i ndryshuar edhe titullin e stërgjatë “Katër vjet e gjysmë luftë kundër gënjeshtrave, marrëzisë dhe poshtërisë” në “Beteja ime”. Hitleri kishte interes kryesisht në kultivimin e mitit të tij si shpëtimtar i popullit gjerman. Gjatë gjithë librit ka shkruar për rolin e gjeniut të destinuar për të udhëhequr një popull të madh, edhe pse ky popull nuk mund ta vlerësonte qysh më herët.
Reagimet për botimin e librit
“Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe ‘Mein Kampf’ i Adolf Hitlerit?”. Kjo është një nga 25 pyetjet që gazetari dhe opinionisti Mustafa Nano u drejtonte të intervistuarve të tij në rubrikën “25 pyetje nga Mustafa Nano” në revistën “Mapo”. “Çuditërisht, kjo është e vetmja pyetje, ku të gjithë të intervistuarit janë përgjigjur thuajse njëlloj”, thotë Nano. Me ndonjë përjashtim të vogël, të gjithë ishin dakord që libri aq i përfolur, manifesti i Adolf Hitlerit, të përkthehej në shqip, madje është tepër i vonuar. Sipas tyre, askujt nuk i vjen e keqja nga librat, përkundrazi, fshehja dhe censurimi i tyre është edhe më i rëndë. Ja si i janë përgjigjur kësaj pyetjeje disa prej të intervistuarve:
Fatos Baxhaku:
Sigurisht. Unë jam i mendimit që në shqip të përkthehet sa më shumë që të mundemi.
Rudina Seseri:
Mua më është dashur ta lexoj “Mein Kampf” për lëndë të ndryshme në universitet. Më bën çudi që nuk është përkthyer ende.
Adrian Klosi:
Sot asgjë nuk mund të ndalohet. Por nëse Kushtetuta e ndalon përhapjen e literaturës fashiste (besoj po, kështu mund të interpretohet neni 9, pika 2), ai përkthim nuk mund të botohet.
Behar Gjoka:
Pa mëdyshje që duhet përkthyer, madje nuk arrij ta kuptoj vonesën e këtyre viteve. Botës nuk i vjen e keqja nga librat, por nga mosdija se çfarë ngjet në këtë rruzullim, që më shumë sesa gjithkund e gjejmë të materializuar nëpër libra.
Mirela Kumbaro:
Pse jo? Njohja e botës që vjen prej përkthimit është e dobishme për njerëzimin, edhe kur na zbulon ide të dënueshme.
Censurimi i ideve të këqija i mistifikon ato dhe me kalimin e kohës ka rrezik të prodhojë efektin e kundërt. Unë besoj te shoqëritë e hapura që lejojnë qarkullimin e ideve, të cilin e shoqërojnë me shpjegimin e duhur në përputhje me idetë demokratike, rol që në radhë të parë e kryejnë në mënyrë të ndërgjegjshme shkolla dhe mediat.
Ardian Marashi:
Jo. Hitleri nuk lexohet për zbavitje, por për imitim. Ai që dëshiron ta lexojë për kulturë, normalisht e ka kulturën e nevojshme dhe mund të lexojë çfarë t’i pëlqejë në gjermanisht, anglisht, frëngjisht e italisht. Ta nxjerrësh në librari “Mein Kampf”, është njëlloj si ta varësh çiften e mbushur në gozhdën e dhomës ku rrinë fëmijët e t’u thuash këtyre: “Merreni, është juaja, bëni ç’të doni me të, se unë po iki në një dasmë.”
Mimoza Ahmeti:
Unë jam e hapur për të ditur gjithçka që fara njerëzore ka kryer ose interpretuar.
Arben Kumbaro:
Nuk do ta pengoja. Por përpara saj, në mënyrë që kjo gjë të mos keqkuptohej, në shqip duheshin përkthyer shumë gjëra të tjera, pasuri e kulturës njerëzore. Kultura shqiptare ka një bosh të madh në këtë drejtim…
Ledi Shamku Shkreli:
Botimi në kohën e sotme besoj se nuk paraqet problem. Qarkullojnë edhe libra më të “rrezikshëm” se ai. Ndikimi i një libri mbi njerëzit ka karakter kohor. Sot jetojmë në të tjera kohë.
Visar Zhiti:
Gjersa kemi dhe kolanën e veprave të diktatorit tonë, një vepër tjetër paraprijëse do të shpjegonte për të interesuarit paranojat e ideologjive që duan të sundojnë.
Arjan Leka:
Mosbotimi, sidomos përhapja e brendisë së librit me oralitet, përkrah idoltarinë ndaj veprës dhe autorit. Nuk mund të sillemi si kisha gjatë reformacionit, të lëshojmë “imprimatur” për libra.
Diana Çuli:
Jo, nuk do të isha. Ka një kufi moral në përhapjen e së keqes, të ligësisë dhe të tmerrit, që pikërisht në këtë rast janë krejt pa kufi.
Zija Çela:
Ndoshta jemi të vonuar. Kush njeh të padrejtën e kampit të kundërshtarit, e njeh edhe më mirë të drejtën e kampit të vet.
Milva Ikonomi:
Personalisht nuk kam asnjë ndjesi. Nuk mendoj që censura e botimeve është një gjë e mirë. Por dyshoj se edhe me përkthimin e tij ky libër do të këtë influencë te publiku shqiptar.
Lorenc Bejko:
Pa asnjë dyshim që po! Është një dokument historik që as nuk mund të injorohet dhe as nuk duhet të injorohet. E keqja nuk mund të evitohet duke e mbajtur të fshehur, përkundrazi. Monstruozitetet duhen njohur dhe kuptuar. Na ndihmojnë të indinjohemi. Të indinjohesh është një arritje jo e vogël drejt largimit nga e keqja. Të paktën më pëlqen të besoj se është kështu.
Shtëpia botuese, thuajse e panjohur
“Mein Kampf” (Lufta ime) është botuar nga shtëpia botuese “Belina H” dhe përkthyer nga Kushtrim Gjosti. Nga informacionet e mbledhura rreth kësaj shtëpie botuese duket qartazi se ajo nuk është ndër më të njohurat, madje titujt e botuar prej saj janë shumë të paktë. Ndër titujt që figurojnë janë “Fati i Shqipërisë”, “Ne, Hakmarrja për Drejtësi” dhe…” (libër i Orik dhe Laert Shytit) dhe libri me kujtime i Veli Llakajt. Ndërkohë që emri i Kushtrim Gjostit nuk figuron në asnjë përkthim tjetër, të paktën tek ata për të cilët është folur deri më sot.
Petrit Ymeri: Të ndërhyjnë institucionet
“Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve apo Prokuroria duhet të ndërhyjnë në të tilla raste”, thotë kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. Sipas tij, tashmë shtypi dhe botimet janë të lira dhe gjithkush mund të botojë ç’të dojë, megjithatë duhet bërë shumë kujdes me materialet që botohen, aq më tepër kur bëhet fjalë për libra, të cilët në shumë vende janë të ndaluar. Ndonëse në krye të SHBSH-së, Ymeri nuk është në dijeni të ekzistencës së një shtëpie me emrin “Belina H”, ashtu si dhe shumë botues të tjerë të pyetur.

Luan Pengili: Një rast, që nuk ka ndodhur më parë
“Ne mund të mësojmë nga eksperienca e të tjerëve. Janë disa gjëra që janë shpallur botërisht. Ky është një rast që nuk ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë dhe me të vërtetë nuk di ç’të them”, thotë një nga botuesit e rëndësishëm shqiptarë, Luan Pengili, drejtues i “OMSCA-1”. Botimi i “Mein Kampf” ka ngjallur habi mes botuesish, të cilët deri më tani nuk kanë guxuar të zgjasin dorën dhe ta sjellin atë në shqip.
Pirro Misha: Të kontrollohen të drejtat e autorit
Përballë një shtëpie botuese periferike dhe një përkthyesi tërësisht të panjohur, për publicistin Pirro Misha, botimi në shqip i traktatit politik që shkaktoi një nga luftërat më të përgjakshme të historisë së njerëzimit duhet parë në aspektin e të drejtave të autorit dhe në kaosin që ekziston në tregun shqiptar të librit. I shprehur për mediat, Misha thotë se një vit më parë, në shqip është publikuar “Protokolli i Pleqve të Sionit”, libri që nxit antisemitizmin dhe botime të ngjashme, të cilat tentojnë të hyjnë nëpër shkolla.
Kodi: Gjoba deri 10 vjet heqje lirie
Ndonëse liria e shtypit dhe e botimeve është e garantuar në Shqipëri dhe askund nuk thuhet se çfarë duhet apo nuk duhet botuar, në Kodin Penal të republikës së Shqipërinë ekzistojnë dy nene, ku ata kundër botimit të “Mein Kampf” mund të mbështeten:
Neni 265 – Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve. Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 266 – Thirrja për urrejtje nacionale
Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here