Home Artur Zheji Lodra të vonuara me aeroplanë

Lodra të vonuara me aeroplanë

167
0

artur-zheji3Lodrat janë tregues që diçka e bukur dhe e pastër fëminore ka mbetur e parritur apo e pamplakur në qenien tonë. Dhe kjo është vërtet e bukur, madje ngazëlluese në rrafshin psikologjik të fjalës. Mirëpo kjo lodërti, sado çlodhëse dhe argëtuese për masën e gjerë, që në të vërtetë e demitizon në mënyrë të shëndetshme politikën, duket paksa e përsëritur në Kuvendin e Shqipërisë.

Pandehma me aeroplanë të bardhë apo të ngjyrave të ndryshme, na u duk sikur u ngritën në ca flotilje të pareshtura patrullimi këto ditë. Ose nga aeroportet e fantazisë, ose nga aeroportet strategjike elektoraliste me qëllim mbajtjen ndezur me çdo kusht klimën e tensionit politik, ose nga aeroportet e gjysmë të vërtetave, ku të dyja palët janë ndoshta të implikuara, askush nuk e di se sa dhe se si.

Një gjë është e vërtetë, në seancën plenare të së enjtes, (çdo të enjte kuvendore ka një ‘fushë-betejë’ përleshjesh verbale mos o Zot!), këtë të enjte pra, shumëkush priste të shihte një shpalosje spektakolare provash, foto apo info të tjera, të dukshme, të prekshme dhe të papërgënjeshtrueshme, të cilat do të gozhdonin Shumicën, ose së paku përgjegjësit e një trafiku droge të stilit kolumbian.

U deklarua edhe për një aeroplan të bardhë, me datën dhe oraret e tij të përpikta të fluturimit. Mirëpo më parë u fol nga të tjerë, për ish-aeroportin ushtarak të ish Mig-ëve sovjetikë të Gjadrit, pastaj një sms inteligjente vinte gishtin tek aeroporti i Divjakës, dikush tjetër për një aeroport në Gjirokastër e kështu me radhë.

Mbas Kuvendit, që u mbyll fatmirësisht me humor, me zukatje mushkonjash të paqena dhe aero-spërkatës të ngritur apo të pangritur në fluturim, humori i zi vijoi edhe në studion e Opinionit të Fevziut, ku dhe përsiatjet morën sërish krahë në debat dhe në kontinentin e madh dhe të shumëpopulluar të fb.

Dikush foli për teknikalitete inxhinierike të aeroplanëve sportivë, dikush tjetër për skenarë pa subjekt, ndërsa të ishe mirëfilli serioz, dukej gjithsesi e pamundur. Ndërkohë që tema ishte dhe është rreptësisht serioze, sepse të gjithë e dimë dhe ‘askush nuk e provon dot’, që Shqipëria ka qenë dhe është një vend i rëndësishëm tranziti i drogave të rënda, kokainë dhe heroinë, që vijnë nga Lindja e varfër drejt Perëndimit të pasur.

Dhe është fakt që përveç kanabisit të padëmshëm të prodhimit vendas, drogëra të tjera ose nuk janë kapur fare ose janë bllokuar fare pak në territorin shqiptar, pasiqë dihet, linjat e kalimit të tyre janë fare të sigurta dhe ka patur jo pak raste ku janë hedhur hipoteza se janë shoqëruar nga vetë reparte të Policisë së Shtetit. E pra, krejt të pamundura për t’u kapur, pasi ‘kapësit’ ishin në rolin shumë më fitimprurës të shoqëruesit të mallit të ndaluar.

Sepse dihet, e vetmja mënyrë për t’i kapur, nëse ka realisht një vullnet të tillë, është shpërblimi ekstra, përllogaritur në përqindje mbi vlerën e sekuestruar, për ata policë apo forca të ‘inteligjencës’ që do të merrnin në sy një rrezik të tillë.

Mirëpo në fund të fundit këto janë refleksione që nuk të çojnë asgjëkundi, sepse një revolucion i tillë kaq radikal anti-drogë nuk duket ende në sfond, qoftë edhe në fillesat e veta. Kjo dhe është arsyeja e mirëfilltë, sepse në betejën e avionëve në Kuvend apo në studiot tv mbizotëron ose humori, ose bllofi, ose gjysmë të vërtetat. Shija që mbetet është si shija mbas një shfaqjeje filmi, kur luhet krejt vërtetësisht dhe me dramaticitet të plotë, veçse një skenar imagjinar. Megjithatë është ngushëllues fakti që duke u nisur nga debatet, nuk e dimë nëse duke u nisur edhe nga prova të paraqitura nga pala akuzuese, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi publikisht çeljen e një hetimi. Personalisht uroj që të jetë një hetim serioz, ndonëse mbetem paragjykues për rezultatet e pritshme.

Dhe mund të themi, si në rrëfenja, që kaloi kështu edhe një javë tjetër e Pranverës së vitit 2014.

E cila i gjeti dhe i la të pasurit, të pasur dhe të varfërit, të varfër. Njësoj si një javë më parë, gjë që premton se edhe javën tjetër kështu do të ndodhë.

Ndërkohë jetojmë me frikën se këto lojërat e rrezikshme deklarative, ku pasojnë kërcënime për protesta, për trazira dhe destabilizime kombëtare, për të cilat shquhemi si një Atdhe i talentuar i rrëmujës dhe i mungesës së përhershme të ekuilibrit, mund të plasin jo thjesht ca shashka, por edhe ca kallëpe adrenaline, me shpërthime më të hidhura dhe vrastare se vetë mister tritoli.

Fatmirësisht, siç dhe thashë në krye të këtij shkrimi, demitizimi i politikës është në një pikë të mirë dhe të arrirë, falë betejave parlamentare kaq të plleshme në fjalë dhe pa karrige të thyera. Deri më tash.

Falë Zotit.

Mapo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here