Home Sport Xhudo, Majlinda Kelmendi shpallet kampione Europe

Xhudo, Majlinda Kelmendi shpallet kampione Europe

1387
0

majlinda-kelmendi-xhudoXhudistja kosovare Majlinda Kelmendi u kurorëzua pasditen e djeshme kampione e Europës për të rritura, që po mbahet në Montpelje të Francës. Me logon e Federatës Botërore të Xhudos, Kelmendi fitoi medaljen e artë, pasi mposhti në finalen e peshës -52 kg kundërshtaren ruse Natalia Kuziutina. Ky është suksesi i radhës për sportisten pejane pas medaljes së artë të vitit të kaluar në kampionatin botëror të zhvilluar në Rio. Realisht Kelmendi ka qenë në superformë këtë vit, pasi ka fituar medaljen e artë edhe në dy turnetë e mëparshëm, në Samsun të Turqisë dhe në Paris, duke vazhduar kësisoj dominimin e saj absolut në xhudon botërore.

Rruga drejt titullit kampion nisi me kualifikimin me short në turin e dytë, ku eliminoi rumunen Aleksandra Florian me shumë lehtësi. Në duelin e saj të dytë, xhudistja kosovare triumfoi sërish, kësaj here ndaj armenes Zhana Stankeviç, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale. Në këtë fazë interesante u tregua superiore kundër gjermanes Marin Kraeh, për ta finalizuar në mënyrën më të mirë të mundshme Europianin me fitoren ndaj ruses, Kuziutina. Më herët, po nën logon e Federatës Botërore, u eliminuan dy xhudistët e tjerë nga Kosova, Akil Gjakova për meshkuj në -66 kg dhe Distria Krasniqi në peshën -48 kg. Triumfi i Kelmendit është përshëndetur edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Në një postim në “Facebook”, Thaçi shkruante: “Majlinda, kampione e Europës, për herë të parë në histori të Republikës së Kosovës. Lajmi më i mirë që dëgjova për ditëlindjen time. Urime Majlinda! Urime Driton! Urime ekipi i Kosovës!”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here