Makina e një efektivi të sektorit të antidrogës në komisariatin nr 2 shpërtheu rreth orës 03: 45 minuta të së dielës ndërsa ishte e parkuar para godinës së këtij komisariati. Nga të dhënat e para mësohet se efektivi i policisë punonte në turnin e tretë dhe kishte parkuar makinën e tij para godinës së komisariatit, në zonën e 21 dhjetorit.
Shpërthimi i mjetit me targa gjermane OF HA 502 ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar nga të gjithë banorët, ndërsa sot në mëngjes pranë vendit të ngjarjes dukeshin copëzat e shkatërrura të makinës si dhe dokumentet të cilat ishin shpërndarë në trotuar. Nga shpërthimi nuk raportohen të ketë pasur të lënduar vetëm dëme materiale.
HETIMET
Pista kryesore e hetimit është ajo për shkak të detyrës. Nga të dhënat e para mësohet se sasia e tritolit është vendosur poshtë motorit të makinës. Ndërsa shpërthimi ka shkaktuar dhe një gropë në asfaltin e rrugës, pikërsisht në vendin ku ishte parkuar makina. Nga dokumentet e gjetura në trotuar, duket se makina ka qenë në pronësi të një shtetasi gjerman, Mishel Roney dhe mjeti hyri në Shqipëri në 2005. Ekspertë të sektorit të krimeve të rënda kanë nisur hetimin e ngjarjeve, ndërsa po merret në pyetje vetë efektivi i policisë.