Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dispozitave për ndryshimin e kombësisë nuk ka lidhje me regjistrimin e popullsisë, pra me censusin.
Dy ditë pasi verdiktit të Kushtetueses drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile Armand Teliti ka sqaruar se të dhënat e censusit nuk janë pjesë e të dhënave të regjistrimit të gjendjes civile dhe se vendimi përcakton heqjen e elementit të kombësisë në certifikatat personale.
Ditën e premte gjykata vendosi me 6 vota pro dhe dy kundër për të rrëzuar dispozitën e ligjit të gjendjes civile të miratuar në vitin 2009 që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë. Duke i cilësuar dispozitat si të jashtëligjshme, Kushtetuesja ka kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit kombësi.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzon automatikisht vetëdeklarimin e kombësisë së shtetasve e, për pasojë, dhe përpjekjet për ndryshimin e saj, fenomen shumë i përhapur në qytetet Sarandë, Korçë, Përmet dhe Shkodër.