Kryetari i komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi është plagosur, pasi makina e tij ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:10 në qendër të qytetit të Vlorës, ne bulevardin ‘Ismail Qemali’ në afërsi të poliklinikes, ku një sasi eksplozivi “ka hedhur në erë” automjetin e kryekomunarit Berberi.
Kalimtarët kanë nxituar për të nxjerrë nga automjeti gjysmë i shkatërruar kryetarin e Komunës Qendër që aktualisht ndodhet në urgjencën e spitalit të Vlorës.
Gazetari i “News24”, Enrik Mehmeti bëri të ditur nga vendi i ngjarjes, se kryetari i komunës Qendër është dërguar menjëherë në spitalin rajonal te qytetit. Drejtori i spitalit të Vlorës bëri të ditur se gjendja shëndetësore e zotit Berberi është përgjithësisht e mirë, ndërsa mjekët kanë konstatuar dëmtim muskulit kryesor në pjesën e pasme te trupi, kryesisht në fundshpinë.
“Është dëmtuar në pjesën e pasme të muskulit kryesor. Kirurgët janë në salën e operacionit dhe po punojnë për stabilizimin e gjendjes. Gjendja e tij e përgjithshme është e mirë”- u shpreh drejtori i spitalit në një komunikim telefonik në “News24”.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, në automjetin tip fuoristradë “Benz ML”, janë dëmtuar edhe dy makina të tjera, që ndodheshin aty pranë në momentin e ngjarjes. Fuqia e shpërthimit ka qenë e madhe sa ka postuar disa metra automjetin në ecje të kryekomunarit duke dëmtuar dhe 2 automjete të tjera.
Ekspertë të policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur autorët e vendosjes së lëndës eksplozive në makinën e kreut të komunës Qendër.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur me eksploziv të telekomanduar, por ende nuk dihet sasia e vendosur. Po kështu rreth ngjarjes nuk ka ende asnjë autor të dyshuar. Policia ka ngritur postoblloqe në kërkim të autorëve të kësaj ngjarjeje.
Ngjarja me kryekomunarin e ngjashme me atë gjykatësit vlonjat Skerdilajd Konomi që humbi jetën gjatë një shpërthimi me eksploziv të telekomanduar automjetin e tij.
RREFIMI I DESHMITARIT
Një prej dëshmitarëve të ngjarjes tregon për “News24” se pas shpërthimit, makina është përplasur me mjetet që ishin të parkuara në anë të rrugës.
“Në fytyrë nuk i dukeshin plagë, ai mundohej të lëvizte, më pas erdhi autoambulanca. Kanë bërë të mundur nxjerrjen nga makina. Makina pas shpërthimit u përplas. Ai mundohej i shokuar të lëvizte. Jam i rrëngjethur, po më dridhet mishi. Ngjarja shkaktoi panik, ishte një zhurmë shumë e madhe.”- u shpreh dëshmitari.
DEPUTETE TE PD-së DREJT VLORES
Një grup deputetësh të Partisë Demokratike janë nisur drejt Vlorës, për të vizituar kryekomunarin Fredo Berberi.