Dialogu ekonomik dhe financiar midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë u zhvilluan në Bruksel më 23 maj. Konkluzionet e përbashkëta përfshijnë rekomandime për Shqipërinë që të vazhdojë të ndjekë rregullimet fiskale, të vazhdojë me përpjekjet për të mobilizuar të ardhurat publike, të përfundojë planin e veprimit për zgjidhjen e kredive të këqija dhe nxitja e përdorimit të monedhës kombëtare.
Sektori real
Produkti u rrit me 3.9% në terma realë në tremujorin e parë të vitit 2017, nga 3.4% rritje vjetore në vitin 2016. Rritja e PBB ishte relativisht me bazë të gjerë në tremujorin e parë, por përfitoi veçanërisht nga një ecuri e fortë e eksporteve. Eksportet e mallrave vazhduan rimëkëmbjen që kishte filluar në tremujorin e mëparshëm duke u rritur me 27.8% në terma vjetore ndërsa eksportet e shërbimeve patën rritje më të moderuar në 8.3%. Në përgjithësi, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 12.4% krahasuar me rritjen prej 5.0% për importet. Si rezultat, kontributi pozitiv i sektorit të jashtëm ndaj rritjes së PBB u përforcua në tremujorin e parë.
Konsumi i ekonomive shtëpiake u ngadalësua në një normë relativisht modeste rritjeje prej 1.9% në terma vjetore. Rritja e konsumit të qeverisë, nga ana tjetër, u rrit në 7.8%, që pjesërisht pasqyron rritjen prej 10% të pagave në pjesën më të madhe të sektorit publik. Struktura e kapitalit fiks është forcuar në 10.9% të rritjes ekonomike me bazë vjetore, e cila në masën më të madhe pasqyron investimet e huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjetik në projektet e ndërtimit TAP-it dhe hidrocentralit të Statkraft / Devoll.
Të dhënat në dispozicion sugjerojnë një ngadalësim të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë, ndoshta duke reflektuar situatën politike dhe kushtet e pafavorshme të motit.
Tregu i punës
Punësimi për grupmoshat 15-64 vjeç u rrit me 2.8% në terma vjetore për tremujorin e parë të vitit 2017, nga 5.5% në tremujorin e katërt të vitit 2016. Me një forcë të pandryshuar të punës, norma e papunësisë u ul me 2.3 pp në 14.6%. Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore mbeti në 65.9%. Papunësia tek të rinjtë është ende shumë e lartë edhe pse ka shënuar rënie nga viti 2015. Në tremujorin e parë të vitit 2017, shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-29 ishte 26.6%, duke rënë me 3.8 pp në terma vjetore. Sipas të dhënave administrative, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 11.7% në terma vjetorë në tremujorin e parë, ndërsa punësimi në sektorin publik dhe në bujqësi u ul me 0.4% dhe 0.9% respektivisht.
Sektori i jashtëm
Defiçiti i llogarisë korrente u ngushtua me 19.8% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit 2017. Kjo ishte rezultat i tepricave të rritura në mënyrë të konsiderueshme për transportin, udhëtimet dhe shërbimet e tjera në bilancin e shërbimeve. Defiçiti tregtar shumë i lartë për mallrat mbeti pothuajse i pandryshuar. Riatdhesimi i shtuar i të ardhurave nga investimet, e shtynë bilancin primar të të ardhurave në defiçit nga një sufiçit një vit më parë. Sufiçiti i madh në të ardhurat dytësore (kryesisht remitancat e punëtorëve) mbeti i qëndrueshëm. Në dymbëdhjetë muaj deri në mars 2017, defiçiti i llogarisë korente korrespondonte me 8.9% të PBB-së, nga 9.6% për vitin kalendarik 2016.
Ecuria pozitive në tregtinë e jashtme duket se ka vazhduar në tremujorin e dytë. Të dhënat mujore mbi tregtinë e jashtme të mallrave nga Instituti Kombëtar i Statistikave tregojnë se defiçiti tregtar u ul me 16.5% në terma vjetorë në muajin prill dhe me 2.2% në muajin maj.
Investimet e huaja direkte neto u rritën me 17.6% me bazë vjetore në tremujorin e parë kur mbuluan 97% të defiçitit të llogarisë korrente në të njëjtën periudhë. Borxhi i jashtëm bruto u rrit me 1.2% gjatë tremujorit të pare, në 8 miliardë euro që korrespondon me 71.5% të PBB-së. Borxhi afatgjatë përbën rreth 80% të borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë. Rezervat valutore u ulën me 6.2% gjatë pesë muajve të parë të vitit në 2.7 miliardë euro.
Zhvillimet monetare
Çmimet për shumicën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit ranë në muajt prill dhe maj, duke përfshirë ushqimet dhe energjinë. Kjo duket të jetë rezultat i prodhimit më të lartë bujqësor vendas, një monedhë e vlerësuar dhe një rënie në çmimin ndërkombëtar të naftës. Rritja nga viti në vit e indeksit të çmimeve të konsumit pësoi rënie nga mesatarja prej 2.4% në tremujorin e parë në 2.0% në muajin maj. Edhe pse inflacioni është 1.3 pp më e lartë se në muajin maj të vitit 2016, ka pak dëshmi se rritja e aktivitetit ekonomik ka krijuar presione rritëse mbi çmimet.
Banka e Shqipërisë mbajti qëndrimin e saj akomodues të politikës monetare në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të datës 3 maj dhe 5 korrik. Norma bazë (norma repo) është në rekordin më të ulët historik prej 1.25%. Normat e interesit për depozitat njëditore dhe për aktivitetin kreditues njëditor është respektivisht në raportet 0.25% dhe 2.25%. Banka Qendrore gjykon se nuk do të duhet të zvogëlojë intensitetin e stimulit monetar përpara tremujorit të parë të vitit 2018. Ajo ende pret që inflacioni të jetë mesatarisht 2.3% në vitin 2017 dhe të rritet drejt objektivit të tij prej 3% gjatë vitit 2018.
Monedha vendase u vlerësua me 2.7% ndaj euros gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017. Në terma vjetorë, Leku u vlerësua me 3.6% kundrejt euros në fund të muajit qershor. Vlerësimi është në përputhje me rritjen e flukseve hyrëse të kapitalit në formën e investimeve direkte, investimeve të portofolit dhe flukseve hyrëse të regjistruara si gabime në bilancin e pagesave.
Sektori financiar
Duke përfshirë efektin edhe të kredive të fshira, rritja totale e kredisë ariti vlera negative në tremujorin e dytë (-1.2% me bazë vjetore në muajin maj) pas rritjes shumë të ngadaltë në tremujorin e parë. Rritja e kredisë për ekonomitë familjare dhe bizneset u shmangën fort. Ndërkohë që kreditë për ekonomitë familjare u përshpejtuan me një normë rritjeje prej 3.8%, kreditë për sektorin jofinanciar u ngadalësuan në -4.1%. Përveç reduktimeve, kjo po reflekton gjithashtu një shtrëngim të standardeve të kredisë për kreditë ndaj ndërmarrjeve të mëdha. Norma mesatare e interesit për të gjitha maturitetet për individët dhe bizneset për kreditë e reja në lekë ka ndryshuar pak në 7.3% në muajin maj ( me-0.1 pp në terma vjetore).
Ribalancimi gradual në drejtim të kredive në lekë vazhduan ndërmjet sektorëve. Pjesa e kredive në valutë të huaj ndaj totalit të kredisë për ekonominë u ul në 51.5% në muajin maj, nga 55.3% një vit më parë. Pjesa e depozitave në valutë të huaj ka rënë nga 50.6% në 49.2% për të njëjtën periudhë 12-mujore.
Norma e kredive me probleme vazhdoi trendin rënës në muajt e fundit. Ajo regjistroi vlerën 15.9% në muajin Maj, nga 21.4% që regjistronte ne muajin Tetor të vitit të kaluar.
Sektori bankar në tërësi është e mirë kapitalizuar me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.8% në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, duke u rritur me 0.1 pp dhe mbi minimumin rregullator prej 12%.
Zhvillimet fiskale
Të ardhurat e përgjithshme u rritën me 7.3% në terma vjetore në pesë muajt e parë të vitit 2017. Kjo është dukshëm më e madhe se planifikimi i rritjes së të ardhurave për periudhën (0.8%), por afërsisht me planifikimin vjetor të rritjes së të ardhurave (7.7%). Pas rritjes së pagave në sektorin publik, shpenzimet totale u rritën me 16.4% në pesë muajt e parë, e cila është në përputhje me buxhetimin e rritjes së shpenzimeve për periudhën. Rritja e shpenzimeve të buxhetuara për vitin 2017 është 8.4%. Ekzekutimi i buxhetit për periudhën janar-maj rezultoi me një tepricë në bilancin cash të qeverisë që korrespondon me 0.4% të PBB-së së vlerësuar për vitin e kaluar, i cili krahasohet me defiçitin e synuar prej 2.0% të PBB-së për gjithë vitin.
Norma e TVSH-së në sektorin e turizmit u ul nga 20% në 6%. Ministria e Financave pret një humbje neto të të ardhurave prej më pak se 0.1% të PBB-së nga kjo masë.
Borxhi publik (duke përfshirë garancitë) u rrit me 2.4% gjatë tremujorit të parë dhe arriti në 68.4% në raport me PBB e pritshme për vitin 2017, nga 72.0% në fund të vitit 2016.