Home Kosova Kosove, arrihet marreveshja qeverisese. Isa Mustafa Kryeminister

Kosove, arrihet marreveshja qeverisese. Isa Mustafa Kryeminister

821
0

isa-mustafa-thaci

Qeveria e re e Kosovës do të udhëhiqet nga Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili dje vendosi të braktisë koalicionin e bllokut të opozitës me AAK-në e Haradinajt, Nismën e Fatmir Limajt, dhe Vetëvendosjen e Albin Kurtit, duke lidhur marrëveshje me PDK-në e Hashim Thaçit. Në këtë mënyrë, sipas marrëveshjes Mustafa merr postin e Kryeministrit, ndërkohë që nuk është bërë ende publik se çfarë detyre do të marrë Hashim Thaçi, aktualisht kryeministër në detyrë. Edhe pse sipas mediave të Kosovës, thuhet se Thaçi do të synojë postin e Presidentit në vitin 2006, kohë kur i përfundon mandati presidentes aktuale, Atifete Jahjaga.

Me këtë marrëveshje i jepet fund ngërçit politik disa mujor në Kosovë që pas zgjedhjeve të parakohshme të 8 Qershorit, dhe i hapet rrugë ndërtimit të institucioneve të reja.

Por si u arrit në këtë marrëveshje?
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka treguar këtë mëngjes disa detaje të marrëveshjes së arritur mbrëmjen e së mërkurës me Partinë Demokratike të Kosovës. Ishte fillimisht zyra e shtypit të Presidencës e cila bëri publik lajmin e arritjes së marrëveshjes gjatë një takimi që dy liderët politikë zhvilluan me Presidenten Atifete Jahjaga, si dhe me praninë e ambasadores së SHBA-ve Tracey Ann Jacobson.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa shkruan se qeveria do të drejtohet nga LDK dhe se ndarja e përgjegjësive në të gjitha nivelet do të jete e barabartë. Në këtë njoftim Mustafa, nuk lë pas falënderimet për partnerët e koalicionit paszgjedhor, Ramush Haradinajn e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurtin e Vetëvendosjes, dhe Fatmir Limajn e Nismës….duke veçuar si argument kryesor të mosvazhdimit të këtij koalicioni vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi nga posti i kryeparlamentarit. Marrëveshja e bllokut VLAN ishte: Haradinaj kryeministër, Mustafa kryeparlamentar.

Edhe gjatë ditës së djeshme Isa Mustafa, pas një mbledhje që zhvilloi LDK, deklaroi për mediat, se partia që ai drejton është e hapur për të biseduar me të gjitha forcat politike, por se në qeverisjen e re, do të udhëheqë LDK.

Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj njoftoi prishjen e marrëveshjes paszgjedhore të bllokut Vetëvendosje-LDK-AAK-Nisma, duke fajësuar për këtë partinë e Isa Mustafës, për prishje të njënashme të marrëveshjes.

Zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë tashmë i hap rrugë formimit të institucioneve qeverisëse të Kosovës.

Shkrimi i plote i Isa Mustafes ne Facebook

Qytetarë të nderuar,
Mbrëmë, pas një diskutimi të gjatë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ka ardhur vendi u morëm vesh në parim me z. Hashim Thaçi, kryetar I PDK-së që të bëjmë marrëveshje të koalicionit për qeverisjen e ardhshme të vendit. Qeveria do të drejtohet nga LDK dhe ndarja e përgjegjësive në të gjitha nivelet do të jete e barabartë. Biseda u zhvillua me prezencën e presidentes së vendit dhe ambasadores së SHBA.

Ky takim u bë, pas pajtimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që të negocohet me të gjithë spektrin politik shqiptar dhe të komunitetit pakicë për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe po ashtu pas shumë deklaratave të AAK-së për koalicionin paszgjedhor.

I falënderoj partnerët e koalicionit paszgjedhor, z. Haradinaj, z. Kurti dhe sidomos z. Limaj për përpjekjet e përbashkëta që bëmë për të krijuar kushte për një qeverisje krejtësisht tjetër të vendit që ishte synim i shumicës prej nesh, por për fat të keq realizimin e këtij synimi e bëri të pamundur Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kriteret e përcaktuara për mandatimin e qeverisë por edhe mungesa e gatishmërisë për të reflektuar karshi rrethanave të reja të krijuara.
Me përkushtimin më të madh do të angazhohem që të realizojmë synimet për një qeverisje të mirë të vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor dhe për partneritet evropian.

Në ditët në vijim do të punojmë në përcaktimin e marrëveshjes,që përfshinë agjendën qeverisëse, programin qeverisës, strukturën qeverisëse dhe ndarjen e përgjegjësive, të cilat do të miratohen në organet e LDK-së.

Njoftimi zyrtar i Presidencës: U arrit marrëveshja!
“Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.” thuhet në komunikatën për shtyp të Presidencës së Kosovës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here