Home Aktualitet Permbytje ne gjithe Shqiperine, 3 viktima

Permbytje ne gjithe Shqiperine, 3 viktima

670
0

Shënohen tre viktimat e para nga rrjeshjet e dendura të shiut që përfshinë mbrëmë disa qytete në vend. Në qytetin e Laçit babë e bijë humbën jetën kur rrjedha e shirave nxorri nga rruga makinën me të cilën ata udhëtonin, duke e përmbysur atë në një kanal. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së martes, moment kur reshjet e shiut vijonin prej disa orësh në qytetin e Laçit.

Forcat e policisë nxorrën nga automjeti trupin e pajetë të 64-vjeçarit Gjon Kola, por rrjedha e ujit kishte marrë vajzen e tij Dorontina Kola. 23-vjeçarja u gjend mëngjesin e sotëm pas kërkimeve gjatë gjithë natës, në Sanxhak të laçit rreth 2 kilometra nga vendi ku u përmbys automjeti. Kola ishte drejtor i gjimnazit “Shtjefën Gjecovi”, ndërsa vajze mësuese në shkollën numër 5 të qytetit të Laçit.

permbytje

Ndërsa në rrethin e Kurbinit u shemb ura në fshatin Skuraj dhe si pasojë dy te rinj rane në rrjedhën e ujit, ku njeri prej tyre humbi jeten. Liman Balloku 22 vjeç ishte duke udhëtuar me motor së bashku me Guri Ndrecën në momentin kur u shemb ura. Të dy kanë rënë në ujë, por Liman Balloku ende nuk është gjendur, ndërsa Ndreca ka arritur të shpëtojë.

Pas disa orësh rreshje intensive shiu qytete të ndryshme të vendit janë përfshirë nga përmbytjet, e veçanërisht veriu i vendit, ndërsa situatë e jashtëzakonshme paraqitet në qytetin e Lezhës e Shkodrës. Stuhitë e fuqishme të shiut dhe rreshjet e dendura gjatë pasdites së të martës paralizuan vendin duke ndërprerë energjinë elektrike në disa qytete duke bërë të pamundur funksionimin e hidrovorëve për thithjen e ujërave.

Ndërsa në kryeqytet Lumi i Lanës ka dalë nga shtrati dhe rrugët janë bërë të pakalueshme, në qytetin e Lezhës është dashur ndërhyrja e ushtrisë për t’i ardhur në ndihmë të përmbyturve. Rreshjet e dendura dhe intensive rritën në mënyrë të menjëhershme nivelin e ujit ne Lezhë, duke bllokuar rrugët hyrëse të qytetit dhe ato të Shëngjinit.

Në Lezhë forca të ushtrisë, specialistë të OSHEE po punojnë për të mos lejuar përmbytjen e nënstacionit elektrik, ndërsa stakimi i energjsë në të ka qenë i detyrueshëm për të shmangur ndonjë shpërthim të mundshëm nga përmbytjet. Përvec shpëtimit në terren të familjeve që rrezikohen, forcat janë përqendruar në krijimin e kushteve për të garantuar siguri në nënstacionin e Lezhës e për të rikthyer energjinë elektrike. Kjo do t’i jepte mundësinë vënies në punë të hidrovor për të thithur ujërat.

Situata e permbytjeve gjate dites se Marte, dt. 18 Nentor

Ushtria në Lezhë ne ndihmë të familjeve të mbytura
Drejt Lezhës janë nisur mbi 80 trupa, mbi 10 mijë thasë rërë, ekskavatorë, zjarrfikës, fadroma, pompa uji e të tjera, për t’u ardhur në ndihmë banorëve që janë përmbytur si rezultat i reshjeve. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura ndodhen në Lezhë për të ndjekur nga afër këtë situatë të jashtëzakonshme. Ndërhyra fillestare do të jetë në nënstacionin elektrik dhe më tej do të vendosen thasët me rërë për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset.

Tahiri urdheron mbledhjen e Shtabeve te Emergjencave ne te gjitha qarqet. FNSH E RENEA ne gadishmeri
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas situatës kritike urdhëroi mbledhjen e Shtabeve të Emergjencave në të gjitha qarqet dhe marrjen e situatës në dorë.

Gjithashtu, janë ngritur në gadishmëri repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA në Tiranë, Shkodër e Fier. Sipas Ministrisë së Brendshme po vlerësohet situata në vend për të ndërhyrë dhe për të dhënë ndihmën ndaj personave në rrezik. Sallat e emergjencave 129 gjithashtu janë në gadishmëri me shërbim të shtuar.

Panariti ne terren, flet per A1 REPORT: Situata kritike, do e perballojme
Vetë Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti ndodhet në terren në qytetin e Lezhës, i cili në një lidhje telefonike për A1 REPORT tha se situata paraqitet mjaft e rëndë për shkak se është shkëputur energjia elektrike e për pasojë është ndërprerë puna e disa hidrovorëve. Ministri tha se do të kaloje natën ne qytetin e Lezhës, ku sëbashku me Bordin e Kullimit do të jenë në terren për të kthyer energjinë në qytet, por veçanërisht në hidrovore, për të bërë të mundur thithjen e ujit. Ai foli për një situatë të jashtëzakonshme kur tha se vetëm në 3-4 ore kanë rënë 99 milimetër shi. Lidhja e plote telefonike e ministrit Panariti per A1 REPORT

Tushaj dhe deputetet e LSI ne terren, shpetohet nje familje qe rrezikoi mbytjen
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli dhe Çela së bashku me kryetarin e Bashkisë së qytetit të Lezhës, Viktor Tushaj, vazhdojnë inspektimin në gjithë zonat e përmbytura duke marrë masat për sigurimin e jetëve të njerëzve. Një familje në lagjen “Kodër Mulliri”, e cila rrezikonte jetën nga përmbytjet është evakkuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrëfikëse dhe kanë mundur të shpëtohen.

Situate e jashtezakonshme, por ka angazhim maksimal
Ora 22: 54 Kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj në një lidhje telefonike për A1 REPORT tha se ka një angazhim maksimal për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e rreshjeve të dendura të shiut.

“Ditën e sotme kanë rënë reshje në intensitetit shumë të lartë, mbi 120 centimetër shi. Kjo ka bërë që nënstacioni elektrik të mbulohet me ujë, mbi 70 centimetër. Dhe kjo ka bërë që të ndërpritet energjia në hidrovorë. Në këto momente shiu vazhdon jo me atë intensitet të lartë por ka një angazhim maksimal. Në këto 10 vitet e fundit nuk mbahet mend të ketë rënë një shi me intensitet kaq të madh”, deklaroi Tushaj për A1 REPORT.

Ja zonat me problematike, shpetuam nje familje qe rrezikonte jeten
Ora 22:45 Në një lidhje telefonike për A1 REPORT deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli i cili ndodhet në terren për t’i ardhur në ndihmë familjeve të përmbytyra tregoi se zonat më problematike janë në ishull Shëngjin, Barbulli si dhe lagjja Kodër-Mulliri mes komunës Kolsh dhe Lezhë. Kadeli tha se po bëhet ç’është e mundur për të kthyer energjinë në nënstacionin elektrik e për të furnizuar me rrymë hidrovorët e Talës e Shëngjinit.

“Situata vazhdon të paraqitet shumë problematike. Reshjet e shiut bënë të mundur të përmbytet nënstacioni i Lezhës dhe të ndërpritet energjia elektrike për hidrovorët të Talës dhe të Shëngjinit të cilët janë jashtë pune çka kanë sjellë dëme të mëdha. Qyteti vazhdon të jetë i përmbysur në gjysmën e tij sidomos në zonën e jugut. Ishte dhe një familje në rrezik për jetën, por me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses u arrit të shpëtohet. Masat që po merren tani janë të mbrohet nënstacioni në mënyrë që të rikthehet energjia dhe të mundohet tharja e ujërave. Ky është një problem i vazhdueshëm për Lezhën. Janë shpërndarë njerëzit në të gjithë vendin për të shpëtuar të përmbyturit”, tha Kadeli për A1 REPORT.

Ministria e Brendshme: Ja situata e permbytjeve ne te gjithe vendin

Situata në të gjithë vendin paraqitet si më poshtë:

QARKU LEZHË
Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet por me intesuitet të ulët.
Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujrave. Në nënstacion niveli i ujrave është rreth 0,80 m.

Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë paisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.

Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratësa dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.

Në komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.

Në qytetin e Rëshenit për shkak të daljes së ujrave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujrat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.

Në bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit.

Njësia nr.1: Në rrugët “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujrave nga shtrati i Lanës.

Njësia nr.2: Rruga “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” kanë përmbytje dhe ujrat janë futur në disa banesa.

Njësia nr.3: Në “Kodrën e Priftit”, në “Rrugën e Kokonozve”, rruga “Bardhyl”, rruga “Qemal Stafa” ka probleme nga dalja e ujrave sipërfaqësore.

Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.

Njësia nr.5: Në rrugën “Sami Frashëri”, rrugën “Komuna e Parisit” dhe rrugën “Medar Shtylla” ka dalje të ujrave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.

Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjja “Shaban Bardhoshi” sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.

Njësia nr.9: Rruga “Don Bosko” ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.

Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.

OSHEE: Stakimi i nenstacionit ne Lezhe i domosdoshem, per te shmangur shperthimin. Punonjesit ne gadishmeri
Ora 20:50 Gjatë orëve të mbrëmjes ka reaguar edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku sqaron se energjia në Nënstacionin e Lezhës ishte e domosdoshme të stakohej për të shmangur shpërthimin nga përmbytja.

Grupet e spcialistëve të OSHEE janë në gadishmëri në Lezhë në pritje të uljes së nivelit të ujit për të riaktivizuar furnizimin normal me energji elektrike.

“Niveli i ujit në nënstacion është ngritur mbi nivelin e lejuar, dhe për rrjedhojë stakimi ka qenë i domosdoshëm për të parandaluar një shpërthim të mundshëm. Kjo situatë në nënstacion krijohet edhe për shkak të kolektorëve të bllokuar nga ndërtimet pa leje, si dhe shkatërrimi i kanaleve kulluese”, theksohet në njoftimin zyrtar të OSHEE.

Në ndihmë të punonjësve të OSHEE-së në terren kanë shkuar edhe forcat zjarrfikese për të mbajtur nën nivel ujin në nënstacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here