Home Politike Prifti deshmon ne Gjykaten e Larte kunder Metes

Prifti deshmon ne Gjykaten e Larte kunder Metes

916
1

“Vendosa ta përgjoj për të dokumentuar veprimet”

Ish-ministri: Ndërhyrjet e Metës për të shkelur ligjin u bënë shumë stresante.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Energjetikës, Dritan Prifti, dëshmoi dje në gjyqin kundër Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Për më tepër se katër orë, Prifti, “strumbullari” i këtij gjykimi, rrëfeu për prishjen e marrëdhënieve me ish-eprorin e tij në parti dhe qeveri, Ilir Meta, deri te vendimi për ta regjistruar atë në një video

Kreu i LSI, Ilir Meta

që e publikoi më pas në emisionin “Fiks Fare”. Sipas Priftit, ai e kishte kryer video-regjistrimin e fshehtë për të provuar se Meta i kërkonte të ndërhynte  për favore të jashtëligjshme kur ishte ministër i Ekonomisë. Prifti mohoi kategorikisht të kishte ndërhyrë në video me qëllim manipulimin e saj. I veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe me vija, në orën 10:14 të ditës së djeshme, Prifti u betua para Kolegjit Penal se do të tregonte vetëm të vërtetën. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Adrian Dvorani, i pohoi dëshmitarit Prifti se duhet të dëshmonte për efekt të gjykimit dhe jo për opinionet e tij në publik. Pas këtij momenti, duke mbajtur një stilolaps të zi ndër gishta dhe duke hedhur sytë në disa fletë ku gjendeshin shënime me shkrimin e tij, Prifti vijoi dëshminë para gjykatës.
DËSHMIA
Prokurori: Shpjegoni marrëdhëniet me Metën gjatë kohës që keni punuar dhe rrethanat që ju shtynë për ta regjistruar.
Prifti: Kjo është një pyetje që do të donte kohë, pasi është një marrëdhënie 12-vjeçare që unë kam pasur me Metën. Ndaj do të duhej shumë kohë, por do të përgjigjem shkurt. Me Ilir Metën kam pasur një marrëdhënie të gjatë, por

Pamje nga videoja Meta-Prifti

shpeshherë problematike. Që në fillim, në vitet 1999-2000, ka qenë një marrëdhënie e ngushtë, por edhe me probleme. Unë jam përpjekur që të jem korrekt, mbështetës. Ai ka qenë në pozita më të larta se unë politikisht. Unë kam qenë vartësi i tij. Të afrohemi në vinin 2009, kur LSI vendosi të bënte koalicion me PD. Ne vendosëm të hynim në koalicion. Vendimi nuk ishte i lehtë. Kam qenë i pari nga deputetët e Kuvendit që ishte pro aleancës. Këtu filloi një lloj xhelozie nga Meta. Unë mora protagonizmin, pasi Berisha vendosi të isha unë negociatori për koalicionin. Fillimisht, në muajt e parë si ministër i METE-s, me Metën kam pasur marrëdhënie normale. Por në janar të vitit 2010 marrëdhënia ndryshoi, Meta filloi të bënte kërkesa që duhet të plotësoheshin prej meje. Kërkesat kishin të bënin me punësimin e personave të ndryshëm në Ministri apo dikastere që vareshin nga Ministria. Kërkesa për të ndihmuar persona apo subjekte për licenca, koncesione, tenderë, ankande.
Disa prej tyre ishin normale, por disa jo normale dhe jo brenda ligjit. Unë kam zbatuar vetëm ato që ishin brenda ligjit. Për rastet që nuk kisha mundësi t’i zgjidhja, Meta fillimisht bënte kritika, thoshte pakënaqësi dhe më pas filloi me kërcënime dhe metoda të tjera si shpërndarje thashethemesh për personin tim dhe për largimin tim nga detyra. Në shkurt 2010 unë mësoj për një kërkese të z. Meta për largimin tim nga detyra. Mësoj nga Kryeministri që Meta donte vendin tim dhe unë të shkoja diku tjetër. Pikërisht këtë muaj, disa njerëz më kanë kërcënuar ose të zbatoja urdhrat, ose do ikja nga detyra. Jam përballur me Metën. Ai ka pranuar me të qeshur. I kam thënë edhe emrat e kërcënuesve dhe ai më tha që “s`ka asgjë të keqe që të vij unë në atë ministri dhe ti të shkosh i Jashtëm. Ti s’i bën dot. Unë i bëj vetë”. Por Ministria e Jashtme ishte zgjedhja e tij. Megjithatë, i diskutuam gjërat dhe ramë dakord që kjo bisedë do të hapej me sinqeritet muajt në vazhdim. Për çdo kërkesë që nuk ishte brenda ligjit që çmoja normale, e kisha bërë zakon që informoja edhe Kryeministrin. Më pati këshilluar t’i zgjidhnim gjërat vetë. Një moment Berisha më tha që do fliste me Metën. Por pashë që nuk u zgjidh asgjë. Meta është një person fals.
Gjykata: Nuk i interesojnë opinionet tuaja gjykatës. Mos jepni epitete, pasi kjo nuk ju lejohet.
Prifti: Do të përpiqem të zbatoj porositë tuaja, po për të sqaruar pse shkova te regjistrimi me duhet të them disa gjera mbi personalitetin e tij.
Gjykata: Gjuha shqipe ju ofron fjalë që ta tregoni situatë rreth personit. Nuk lejohet t’i referoheni karakterit të tij.
Avokatët: Dëshmitari po flet gjatë, të dilet në temë.
Prifti: Nga shkurti 2010 deri në fund të punës sime në Ministri nuk mbaj mend ndonjë takim ku Meta të mos më ketë kërkuar favore për tenderë, koncesione etj. Pra u kthye në një marrëdhënie kërkesash. Në një rast, që Meta donte të ndërhyja në një ankand, kam qenë i sëmurë dhe zoti Meta ka ardhur në shtëpi, më ka hequr jorganin. U bë shumë stresante. Në këto kushte vendosa që unë të kem një provë. Prandaj u bë regjistrimi. Pas një telefonate që më bëri, ku më tha se “do vij në zyrë të të takoj”, vendosa ta regjistroj për ta pasur si provë të takimeve të mia, që të dëshmonte marrëdhëniet e mia me të.
Prokurori: Ju kujtohet data e regjistrimit?
Prifti: E bëra në fillim marsit të vitit 2010, rreth orës 12:00-13:00 të drekës. Në telefon Meta më tha që do ikte jashtë. Kështu më tha: “Po vij direkt se do të iki në aeroport”.
Prokurori: Ai do të ikte jashtë shtetit?
Prifti: Po.
Prokurori: Çfarë është regjistruar?
Prifti: Ajo bisedë është bërë publike në Top Channel. Unë nuk i jam rikthyer. Janë trajtuar disa çështje; e para çështja për punësimin e një personi. Ishte dhe punësimi i një tjetri. Ai i kishte radhitur gjërat në një bllok që mbante në dorë. U diskutua edhe për një ankand tek Albpetroli, u diskutua edhe për një koncesion të Gostimës, për të cilin konkurronin dy kompani. Kemi diskutuar edhe për KESH-in, për zëvendësimin e drejtuesit aktual me një tjetër.
Prokurori: Bazuar në këtë regjistrim ne kemi ngritur akuzë për koncesionin dhe çështjen e naftës bruto. Na tregoni detaje për këto dy çështje.
Prifi: Për ankandin e naftës petroliun, z. Meta më kujtoi atë që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës për mikun e tij, Bekim Halilaj. Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren dhe kërkonte shtyrjen. Unë i thashë që do ta bëj. Ai më tha: “Mbaroje, pse nuk e bën?”. Për koncesionin duhet të fitonte një bashkim kompanish “Vëllezërit Tola”. Meta më tha “mbaroje shpejt”. Unë e dija që ishte në Gjykatën e Apelit. Meta më tha: “Ka mbaruar gjyqi, por mbaroje”. Mori në telefon Agim Rrapajn dhe nëpërmjet telefonit të tij (Metës) fola me të. Ai më tha që kishte mbaruar procesi. I thashë të më sillte vendimin e gjykatës, pastaj do ta rimblidhja unë komisionin. Në një moment Meta tha që “ky Gimi ka për ty 7 për qind”. Me tha dhe që janë 700 mijë euro që jepen për këtë gjë.
Prokurori: Këto ndërhyrje ishin në funksion të detyrës së Metës, apo të kundërligjshme?
Prifti: Ishin të kundërligjshme, pasi aty kishte dhe përfitim për mua. Nuk di që për një ministër të jepet një 7 përqindësh në rast përmbushjeje detyrimi.
Prokurori: Po në lidhje me ankandin e shitjes së naftës bruto, a patët ofertë?
Prifti: Për ankandin e naftës në zyrën time nuk ka pasur ofertë. Por kjo bisedë është bërë dhjetëra here. Më janë ofruar një milion dollarë për t’i ndarë mes meje dhe Metës. Biseda është bërë njëherë në Ministrinë e Jashtme, njëherë në një drekë te Rogner-i.
Prokurori: Për ç’ankand bëhej fjalë? Cila ishte sasia e naftës dhe përfitimi?
Prifti: Kjo bisedë është bërë për 30 mijë tonë naftë që do shiste Albpetroli me një tender të hapur.
Prokurori: Dëgjohet në regjistrim që bëhet një kërkesë. Meta ju ka kërkuar të anulohet ky. A mund të na sqaroni përse bëhet kërkesa?
Prifti: Ai kërkoi ta anulojë ankandin. Ky ishte një ankand ku do merrnin pjesë 20 kompani. Kam idenë se zoti Halilaj, që ishte firme e re dhe nuk e kishte bërë këtë aktivitet më parë. Për shkak të konkurrencës ai nuk mund të fitonte. Por z.Meta kishte plan që Halilaj të bënte marrëveshje me ARMO-n për rafinerinë. Në këtë rast Halilaj do kishte përparësi. Në Shqipëri, në atë periudhë, por edhe tani, besoj unë, ka qenë i vështirë eksporti i naftës bruto, sepse nuk ka kapacitete. Pra Meta kërkoi anulimin se kompania e Halilajt nuk e kishte arritur marrëveshjen me ARMO-n dhe nuk kishte siguri.
Prokurori: A ka bërë ankesë kompania “Halilaj Holding Group”?
Prifti: Kompania “Halilaj Holdin Group” ka bërë kërkesë për anulimin e ankandit kur ata shkuan në ankand dhe panë që s’kishte asnjë konkurrent tjetër, pra dhe kërkuan që ankandi të anulohej duke qenë se s’kishte konkurrencë.
Prokurori: Nga e njihje Bekim Halilajn?
Prifti: Mbaj mend që ma ka prezantuar Ilir Meta.
Pokurori: A keni diskutuar me Bekim Halilajn?
Prifti: Edhe mundet të kem diskutuar.
Prokurori: I keni kërkuar atij të investojë në Shqipëri?
Prifti: Jo.
Prokurori: A keni pasur takime në rrethana të shpeshta dhe nëse po, ku?
Prifti: Me zotin Halilaj kam pasur disa takime, p.sh. në zyrën time, në zyrën e Metës, në hotel “Rogner”, në një lokal afër shtëpisë sime. Pra kryesisht këto kanë qenë vendet. Në disa raste kam qenë vetëm, në disa raste me Metën. Në disa raste në Ministrinë e Jashtme. Dy herë për drekë në Rogner që të tre bashkë.
Prokurori: Cila ka qenë natyra e bisedave?
Prifti: Bisedat kanë qenë gjithmonë për ankandin e naftës në Albpetrol. Kur zhvillohet dhe si, pra në të gjitha rastet për bizneset e tij. Pra, për hir të së vërtetës, nuk e kam frenuar në biznesin e tij. I kam thënë merr pjesë në ankand. Nëse i ke dokumentet të gjitha, atëherë ok. Kam pasur si shqetësim të madh se Albpetrol ishte në atë kohë në gjendje shumë të keqe. Pritej të bëhej reformë, flitej për largimin e rreth 1500 punëtorëve. Pra isha i interesuar për ankandin i naftës të shkonte mirë.
Prokurori: Po shtetasin Pajtim Sula e njihni?
Prifti: Pajtim Sulaj ishte nëndrejtor i Albpetrolit. Posti i tij ishte si rrjedhojë e marrëveshjes PD-LSI, por ai është emëruar atje edhe për shkak të aftësive të tij si profesionist.
Prokurori: Cili ka qenë pozicioni i tij?
Prifti: Sulaj ka qenë kryetar i Komisionit të Ankandeve.
Prokurori: A keni biseduar me Sulajn?
Prifti: Mbaj mend që me zotin Sulaj kam folur. Nuk e di nëse kam folur për këtë ankand apo jo, apo për diçka tjetër. Por e kam pyetur nëse “Halilaj Holding Group” kishte shanse të fitonte. Më tha se nuk ka asnjë shans që Halilaj të fitonte. I kam thënë zoti Sulaj fol me zotin Meta dhe thuaji që s’kemi mundësi ta favorizojmë.
Prokurori: A njiheshin së bashku Sulaj dhe Halilaj?
Prifti: Po.
Prokurori: Në kohën që po zhvilloheshin procedurat ju keni ndërmjetësuar që këta dy persona të njiheshin?
Prifti: Jo, ata njiheshin vetë.
Prokuroria: A ju ka dërguar ndonjëherë SMS Bekim Halilaj?
Prifti: Z.Halilaj ka dërguar shumë SMS dhe për këtë ankand edhe për të tjerë.
Prokurori: Kujtoni ndonjë SMS?
Prifti: Zoti Halilaj madje më ka bërë forward edhe tekstin e plotë të një mesazhi që ia ka dërguar Pajtim Sulaj. A ta them përmbajtjen?
Gjykata: Po.
Prifti: Teksti është: “I dashur vëllai im, unë dhe ai që ti e di u përpoqëm me të gjitha mënyrat. Por krahu tjetër ka punuar me shumë kujdes me qëllim për të diskretituar shefin dhe për të ma rrasur mua. Telefonin s’ta kam hapur dhe ti e di pse. Të fala”.
Prokurori: Ç’lidhje ka Agim Rrapaj me koncesionin në Shushicë?
Prifti: Unë Agim Rrapajn e kam takuar me një person tjetër, me Fatmir Merkajn, i cili është mik i Metës. I kam takuar disa herë së bashku. Takime për punë të ndryshme. Zoti Rrapaj pretendonte se kishte lidhje me qeverinë japoneze dhe se mund të përfitonte fonde, grante etj. Nuk di që Rrapaj kishte interes tek “Vëllezërit Tola”, por dija që Merkaj kishte 20 për qind në këto koncesione. Dija dhe që djali i Rrapajt punonte si drejtues apo si administrator aty.
Prokurori: A keni bërë ndërhyrje në video?
Prifti: Jo! Prerazi jo, as më ma shkuar në mendje.
Prokurori: Me çfarë e keni bërë regjistrimin?
Prifti: Regjistrimin e bëra me një orë të vogël, ngjyrë metalixato. Kjo orë ka bërë regjistrimin e videos dhe të zërit.
Prokurori: Sa kohë kaloi nga regjistrimi derisa e hodhët në laptop?
Prifti: Kjo pjesë më kujtohet shumë mirë, pasi e kisha laptopin në zyrë. Sa mbaroi filmimi, futa fishat dhe e hodha në laptop.
Prokurori: E nderuar gjykatë, skam pyetje të tjera për dëshmitarin.
Avokatët: A po heton Prokuroria e Përgjithshme për ju? Nëse po, për çfarë?

Avokatët e Metës, dje pas gjyqit

A është e njëjtë me akuzën për të cilën Kuvendi ka kërkuar heqjen e imunitetit tuaj?
Prifti: Prokuroria ka kërkuar të bëjë një hetim për disa dyshime ndaj meje, por nuk ka asnjë akuzë zyrtare.
Avokatët: A keni një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë?
Prifti: Jo.
Avokatët: Keni bërë disa video. Me çfarë mjeti i keni bërë?
Prifti: Regjistrimi është bërë me kamerën orë tavoline.
Avokati: Ku e keni gjetur?
Prifti: Ma ka dhënë një shok.
Avokatët: A është ajo ora e dorëzuar në Prokurori?
Prifti: Po.
Avokatët: Në aktin e ekspertimit datë 31.10.2011 rezulton se aty nuk gjendet biseda Meta-Prifti. Si është e mundur që është fshirë?
Prifti: Unë nuk kam kompetencë shkencore për të dhënë përgjigje. Unë deklaroj me përgjegjësi të plotë se regjistrimin e kam bërë me atë orë. Se ç’ka brenda, ta gjejnë ekspertët tuaj.
Avokatët: A keni një orë të ngjashme për të dorëzuar?
Prifti: Unë kam disa ora në shtëpi, disa prej të cilave bëjnë regjistrime, por nuk kam tjetër për të dorëzuar.
Avokatët: Pse nuk ndodhet regjistrimi në orë?
Prifti: Me atë orë janë bërë disa regjistrime. Për shkak të memories, duhet të jetë bërë fshirja nga regjistrimet që janë bërë mbrapa.
Avokatët: Nëse janë bërë filmime të tjera, si shpjegohet që nuk janë fshirë të gjitha të tjerat? Ç’program keni përdorur?
Prifti: Me atë orë janë bërë edhe regjistrime të tjera. Unë nuk e kam lexuar raportin e ekspertëve. Janë bërë edhe video të tjera që ekspertët nuk i kanë nxjerrë. Unë them që ka ndodhur prej memories së kufizuar të orës.
Avokati: Cilat i keni çuar Top-Channel-it?
Prifti: Në TCH kam çuar dy usb.
Avokatët: Keni qenë i pranishëm kur është punuar me to?
Prifti: Jo. Ia kam dhënë Filip Çakulit.
Avokatët? A keni çuar orën, apo lap-top-in në TCH?
Prifti: Jo.
Avokatët: Keni ndërhyrë për përpunimin e zërit?
Prifti: Unë nuk kam ndërhyrë kurrë. S’kam pasur ndërhyrje as në zë e as në figurë.
Avokatët: Sipas akteve të ekspertimit, ka ndërhyrje. Si e shpjegoni?
Prifti: Nuk kam shpjegim veç faktit që unë nuk kam ndërhyrë.
Avokatët: Keni ndërhyrë për përmirësimin e dëgjueshmërisë së videos?
Prifti: Asnjë lloj ndërhyrjeje derisa ishte në zotërimin tim. Unë kam dorëzuar në Prokurori edhe një usb. Jam përpjekur të përmirësoj zërin e videos. Në Prokurori kam dorëzuar edhe dy versione të tjera me zë të pastruar, por këto krahas origjinalit me prapashtesën.
Avokatët: Pse nuk e çuat videon në Prokurori?
Prifti: Pas regjistrimit të videos kam shkuar t’ia çoj Kryeministrit Berisha. I thashë çfarë kishte brenda. Berisha nuk e pranoi këtë video. Sigurisht që ai duhet të ketë diskutuar me Metën. Pasi unë e pashë reagimin e Metës pas kësaj dite dhe pata idenë se ai e kishte marrë vesh. Duke pasur parasysh lidhjet e Metës, e kam diskutuar edhe me familjen dhe për shkak të sigurisë sime dhe të familjes sime vendosa ta publikoja në një kohë tjetër.
Avokatët: A e dini që duhet të denonconit direkt?
Prifti: Motivi i vonesës: nuk gjeta mbështetje te Kryeministri dhe nuk e mendova veten aq të fortë sa të përballesha me Kryeministrin dhe me zv.kryeministrin. Si dhe kisha frikë për jetën, se çfarë do të ndodhte. Në kohën që e publikova mendova se rreziku ishte më i vogël.
Avokatët: Filmimin e bëtë për hobi, e kishit porosi, apo për ndonjë çështje tjetër?
Prifti: E bëra që të dokumentoja kërkesat e tij të jashtëligjshme ndaj meje. Edhe për të parë nëse drejtësia do t’i quante kriminale.
Avokatët: Ju flisni për drejtësi, por e mbajtët 10 muaj videon, pastaj e çuat në një televizion dhe së fundi bëtë atë që duhej bërë në fillim, ta çonit në prokurori.
Prifti: Materialin e kam bërë unë publik. Një ditë më parë, apo një ditë më pas, unë e kam bërë detyrën time qytetare të denoncimit.
Avokatët: A e njihni A. Xhillarin?
Prifti: E njoh. Kam marrëdhënie njohjeje me të. Kaq.
Avokatët: Cili është raporti i METE-s me Albpetrolin?
Prifti: Albpetrol ka kapital 100 për qind shtetëror dhe METE është pronarja e tij. Në çdo marrëdhënie, Ministria mbikëqyr, monitoron, ndihmon.
Avokatët: A ka përfituar në ndonjë rast A. Xhillari?
(Nuk lejohet pyetja nga gjykata, pas kundërshtimit të prokurorit.)
Avokatët: A ka fituar Xhillari ndonjë tender te METE?
Prifti: Mete nuk bënte tender. Zotëria ka fituar një ankand të naftës bruto në Albpetrol. Unë e di se ku do të dalë mbrojtja, por lërini të pyesin.
Avokatët: Marrëveshjen e datës 2.10.2010 e ka fituar “Tea constuction”?
(Ndërhyn gjykata për saktësinë e pyetjes. Avokatët: Tek “Tea construction” është bashkëpronare gruaja e dëshmitarit. Prifti kërkon të reagojë në drejtim të avokatëve duke thënë që “kjo është akuzë”. Ndërpritet nga gjykata. Vijon dëshmia.)
Gjykata: Kur bëheshin bisedat mes teje, Metës dhe Halilajt, a ishte shpallur fituesi?
Prifti: Me sa kujtoj, jo. Duhet të ketë qenë para ankandit, pasi ai kërkonte ta anulonte.
Avokatët: Ju thoni se Halilaj bënte përpjekje të lidhte marrëveshje me ARMO-n. Dini që firma që e fitoi tenderin të ketë pasur marrëveshje me ARMO-n apo Albpetrolin?
Prifti: Jo.
Avokatët: Pse përfaqësuesit e “Halilaj Holding Group” kanë qenë dy herë tek Albpetrol?
Prifti: Ankandi është anuluar për shkak të një peticioni të punonjësve të ARMO-s, të cilët kishin mbetur pa punë. Sindikata e tyre kishte bërë protestë. Është bërë një takim me sindikalistët. Unë si ministër udhëzova Albpetrolin që të vendoste kushte rigoroze financiare për fituesit dhe që naftën Albpetrol t’ia kalonte ARMO-s.
Avokatët: Në ç’fazë e gjetët koncesionin “Vellezërit Tola”?
Prifti: Kur jam informuar, ajo ishte në proces gjyqësor.
Avokatët: Kur mësuat që ishte mbaruar gjyqi?
Prifti: Nga videoja e mësova nga Meta. Pastaj bëmë edhe ne kërkimet tona, me anë të shkresave zyrtare në gjykatë si dhe vende të tjera.
Avokatët: Më 5 janar 2010, në një memo ju sqaroni Durim Krajën që “gjyqi është fituar, të vazhdojë koncesioni”. Është një shënim i juaji mbi memon.
Prifti: Nuk e njoh memon. Nuk e mbaj fare. Jo gjithmonë firmat thonë të vërtetën. Mbase kam bërë, por një verifikim e ka nxjerrë që gjyqi nuk kishte përfunduar.
Avokatët: Na sqaroni arsyen e shifrave 7 dhe 700?
Prifti: Meta më ofroi mua që të merrja pjesën e përqindjes. Unë, si ministër i linjës, duhet të vendosja që këto të fillonin.
Avokatët: Çfarë ishte 7 për qind?
Prifti: Më ofroi 7 për qind të aksioneve.
Avokati: A i keni dëgjuar mirë shifrat që pretendoni?
Prifti: Unë them që e kam dëgjuar mirë, por e kanë dëgjuar edhe 3 milionë shqiptarë. (Ndërhyn gjykata duke i ndërprerë fjalë).
I kam dëgjuar mirë.
Avokatët: Kemi pasur mjet për forcimin e dëgjimit?
Prifti: Jo.
Avokatët: A keni shkruar një letër në vitin 2002 drejtuar Kuvendit, ku e informoni për gjendjen tuaj shëndetësore dhe ndërhyrjen?
Prifti: Meqë e thoni ju, ashtu duhet të jetë.
Avokatët: Të njëjtën letër ia keni dërguar dhe Komisionit të Mandateve?
Prifti: Mbase.
Avokatët: A mund të mbani mend se çfarë përmbante ajo letër në lidhje me efektet që mund të kishte sëmundja mbi ju?
Prokuroria: Kundërshtojmë pyetjen, pasi nuk ka lidhje me objektin e gjykimit.
Avokatët: Kërkojmë të verifikojmë nëse e ka dëgjuar me të vërtetë shifrën gjatë bisedës. Këtë problem kemi.
Gjykata: Shmangni pyetje të tilla.
Avokatët: Ju pretendoni se videoja është fshirë për shkak të videove të tjera të filmuara në të njëjtën kohë. Është konstatuat se në memorien e orës ka dhjetëra e qindra fotografi me lule. Kush i ka bërë këto foto?
Prifti: S’e kam idenë. Unë s’kam bërë foto.
Avokatët: Kush i ka futur këto foto?
Prifti: Unë nuk kam bërë dhe nuk kam futur asnjë foto me lule.
Avokatët: Videoja që është transmetuar më datë 11.01.201 në emisionin “Fiks Fare”, a mund të na thoni se në çfarë date e keni depozituar atë pranë këtij televizioni?
Prifti: Nuk e mbaj mend fiks, por mund t’ju them që e kam dërguar disa javë përpara.
Avokatët: Me çfarë e keni çuar atë video?
Prifti: Me 1 ose 2 USB që më janë dhënë nga emisioni “Fiks Fare”.
Avokatët: Përveç USB-ve, mos e keni çuar dhe me CD?
Prifti: Mbase.
Avokatët: A e keni bërë ju deklarimin e pasurisë në mënyrë të rregullt?
Prokuroria: Kundërshtohet pyetja.
Gjykata: Avokat, ndryshoni pyetjen.
Avokatët: A keni ju dijeni që në laptopin tuaj mund të ketë pasur ndërhyrje dhe është një File me emrin “Fiks Fare” dhe “Filipi”?
Prifti: Çfarë nënkuptoni ju me ndërhyrje?
Avokatët: Si është bërë transferimi i videos?
Prifti: Jua thashë, me 1 ose 2 USB, të cilat i kam përdorur për të hedhur të dhënat. Ora dhe laptopi nuk kanë qenë në përdorim të asnjë personi tjetër përveç meje. Shkarkimet i kam bërë në shtëpinë time, kështu që askush nuk ka parë dhe prekur as orën, as kompjuterin.
Avokatët: Nga akt-ekspertimi rezulton që në kompjuterin tuaj është gjetur një program që shërben për bërjen e filmave të animuar. A mund të na thoni se për çfarë e përdornit atë?
Prokuroria: Pyetja nuk është e saktë, pasi akt-ekspertiza tregon që programi është fshirë në vitin 2008 dhe nuk është objekt gjykimi.
Gjykata: Dëshmitar, përgjigjuni pyetjes.
Prifti: Unë këtë pjesë e kam dëgjuar vetëm nga mediat. As kam regjistruar, as kam blerë ndonjë program të tillë. Ndoshta ai mund të ketë qenë i regjistruar në kompjuter që në fillim. Mbas regjistrimit, menjëherë e kam shkarkuar në laptop brenda disa sekondave dhe kjo gjë është e verifikueshme, pasi në kompjuter ruhet dhe ora e data e shkarkimit. Është e pamundur që mund të bëhet një ndërhyrje në video vetëm brenda pak sekondash, pasi siç ju thashë, menjëherë e kam shkarkuar videon në kompjuter. Unë nuk di të ketë njeri aftësi të ndërhyjë për 3 sekonda.
Avokatët: Kur është bërë transkriptimi i videos, a keni qenë ju prezent në ambientet e televizionit “Top Channel”?
Prifti: Jo, nuk kam qenë.
Avokatët: Ekspertët kanë dalë në konkluzionin se në fushën zanore ka mundësi të larta për ndërhyrje…
Prifti: Unë nuk kam bërë kurrë asnjë ndërhyrje. Kam dorëzuar videon origjinale.
Avokatët: Nga ekspertiza rezulton se në datë 01.02.2011 ka ndërhyrje në laptopin tuaj, ndërkohë që në datë 13.01.2011 ai është dorëzuar në prokurori. A keni ju dijeni për këtë fakt?
Prifti: S’kam asnjë dijeni dhe s’e kam fare idenë.
Avokatët: Në shpjegimet e dhëna ju keni deklaruar se që në fillim të qeverisjes keni pasur kontradikta me Ilir Metën. Si është e mundur atëherë që ai t’ju kërkojë ju favore?
(Kundërshton prokuroria: Këtë pyetja do donim t’ia bënim të pandehurit pasi ai mund të përgjigjet. Gjykata: Dëshmitar, përgjigjjuni pyetjes.)
Prifti: Unë e përmenda dhe më parë. Në fillim marrëdhëniet ishin normale, ndërkohë në muajt shkurt-mars nisën të acaroheshin. Kjo erdhi për shkak të kërkesave të shumta për favore të jashtëligjshme që vinin nga ana e Metës dhe që unë nuk mund t’i zbatoja.
Avokatët: Kërkojmë kundërshtimin e dëshmisë, sepse dëshmitari në deklarimet e dhëna përpara Prokurorisë thotë që ka bërë ndërhyrje për të rregulluar zërin.
Prifti: Nuk shoh asnjë kundërshtim. Sot thashë të njëjtën gjë që kam thënë dhe përpara organit të akuzës. Unë dorëzova videon origjinale dhe dy kopje të saj, tek të cilat isha munduar të pastroja cilësinë e zërit. Të njëjtën gjë thashë dhe këtu.
Avokatët: Kërkojmë kundërshtimin e dëshmisë pasi gjithashtu Dritan Prifti thotë që ka çuar vetëm 2 USB, ndërkohë që në ambientet e Top Channel, prokuroria ka gjetur vetëm një CD.
Një tjetër kundërshtim është dhe fakti se ku e ka zhvilluar Dritan Prifti bisedën për 700 mijë eurot me Ilir Metën. Pasi në Prokurori thotë që e ka bërë në momentin kur ishte duke u larguar nga zyra, ndërsa tani thotë që e ka bërë gjatë bisedës.
Prifti: 700 mijë eurot janë përmendur dhe gjatë bisedës dhe në kohën kur isha duke e përcjellë Ilir Metën.
Avokatët: Ju e thoni këtë gjë duke përdorur fjalën “me sa më kujtohet”. Si është realisht?
Prifti: Edhe “me sa më kujtohet” edhe “më kujtohet” kanë të njëjtin kuptim.
Avokatët: Kërkojmë nga gjykata që dëshmia e dhënë në Prokurori nga Dritan Prifti të mos merret si provë.
Gjykata: Zoti avokat, ju kundërshtuat dëshminë e dhënë në Prokurori, por sipas ligjit, mund të rrëzohet dëshmia e dhënë në seancë. Ajo që është dhënë në Prokurori nuk ndryshon.
Avokatët: Faleminderit. Nuk kemi më pyetje.

 

Prokuroria, 22 dëshmitarë
Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur në gjykatën e Lartë një listë të gjatë dëshmitarësh të cilët do ti thërrasë në procesin mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Katër dëshmitarët e parë u morën dje në pyetje ndërkohë që procesi do të vazhdojë edhe me 17 dëshmitarë të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.

Deshmia, Pajtim Sulaj: Ish-ministri anuloi ankandin për 10 minuta
Nëndrejtori i Albpetrol: Prifti tha është mik i LSI. Meta: “Zbato ligjin”

TIRANE – Nëndrejtori i Albpetrol, Pajtim Sulaj, dëshmoi dje para Kolegjit Penal në Gjykatën e Lartë se ankandi i datës 10 mars për naftën bruto ishte anuluar 10 minuta para zhvillimit, me urdhër të ish-ministrit Prifti. 
Prokurori: Kur keni filluar punë në Albpetrol sh.a?
Sulaj: Kam filluar në nëntor, 2009. Veç pozicionit të nëndrejtorit, kam qenë dhe kryetar i vlerësimit të afateve.
Prokurori: Janë zhvilluar shumë ankande?
Sulaj: Deri sot janë bërë disa.
Prokurori: Cila procedurë është ndjekur për në mars 2010?
Sulaj: Kur mbaroi kontrata me ARMO-n do të bëhej ankand. Rreth 20 shkurtit patëm ofertën e parë. U caktua si datë 1 marsi. U njoftuam të gjitha kompanitë nëpërmjet uebsajtit tonë. Pastaj më 10 mars ankandi u anulua, 10 minuta para zhvillimit nga ana e ministrit përkatës. Pastaj ankandi tjetër u bë nga korriku.
Prokurori: A ka marrë pjesë shoqëria “Hoding Halilaj”?
Sulaj: Erdhi një zonjë që solli dosjen më 10 mars. Ankandi ishte i hapur. Ne nuk dinim se kush do të vinte.
Prokurori: Pse u bë shtojca e datës 26 shkurt?
(Dëshmitari sqaron se shkak ishte pjesëmarrja e dy firmave të huaja)
Prokurori: A keni folur me METE-n në lidhje me anulimin e ankandit?
Sulaj: Kam folur me një këshilltar të Ministrisë dhe më tha që kështu e kishin gjykuar.
Prokurori: E njihni Bekim Halilajn?
Sulaj: E njoha këtu në Gjykatë.
Prokurori: A ka marre pjesë në ankande të tjera “Halilaj Holding Group”?
Sulaj: Ka marrë pjesë në korrik 2010. Nuk ka fituar.
Prokurori: A keni folur me Metën në lidhje me ankandin?
Sulaj: Ilir Metën e kam takuar në fushatë, në vitin 2009.
Prokurori: I keni dërguar sms Halilajt?
Sulaj: Nuk mbaj mend.
Prokurori-Gjykatës: Kërkojmë kundërshtim të dëshmisë. Në prokurori më 2 mars 2011 dëshmitari ka deklaruar: “Më pyeti Prifti për Halilajn. Më tha që Halilaj është mik i LSI-së. Për këtë i thashë Metës dhe ai me tha “zbato ligjin”.
Sulaj: Në ankandin e korrikut, Prifti më tha “ai është miku jonë”. Unë kontaktova Metën dhe ai më tha “zbato ligjin”.
Gjykata: Vendosim të administrohet në dosje procesverbali i deklarimit të dëshmitarit.
Avokatët: Kush e ka fituar ankandin e korrikut?
Sulaj: E ka fituar “Tea-construction”.
Avokatët: Ka marrëveshje me ARMO-n?
Sulaj: Marrëveshje ka. Është bërë në shkurt.
Avokatët: A keni pasur ndikim nga Ilir Meta për Dritan Priftin?
Sulaj: Nuk kam pasur nga asnjëri.
Avokatët: A shikoni lidhje mes marrëveshjes së shkurtit 2010 Albpetrol, ARMO, “Tea-construction” dhe rezultatit të korrikut 2010?
Sulaj: Këtë nuk mund ta them.

Mahmutaj, anëtar i komisionit
“Anulimi i ankandit, për interes publik”
TIRANE – Sipas dëshmisë së Artur Mahmutajt, në gjykimin ndaj ish-zv.kryeministrit Meta në Gjykatën e Lartë, ankandi i 10 marsit 2010 për naftën bruto të Albpetrol ishte anuluar për “interes publik”.
Prokurori: Ç’pozicion keni në Albpetrol?
Mahmutaj: Jam anëtar i komisionit të shitjeve.
Prokurori: Ç’procedura janë ndjekur nga ju në vitin 2010?
Mahmutaj: Albpetrol ia kalonte AMRO-s, por më vonë, me leje të ministrit, do të bëhej me ankand. Më 26 shkurt erdhën dy kompani të huaja. U mblodh komisioni, pasi nuk prisnim kompani të huaja. Ndaj e shtymë nga data 1 në datën 10. Në datën 10 u anulua sërish për “interes publik”. Nëse nafta dilte jashtë shtetit do të ngelnin pa punë 1500 punonjës të rafinerisë, ndaj nafta duhet të shkonte tek ARMO.
Prokurori: A u ankua “Halilaj Holding” për shtyrjen?
Mahmutaj: Më 26 shkurt, ne i njoftuam kompanitë. Duket të ketë marrë dijeni edhe “Halilaj”. Në datën 1 është paraqitur një grua. Ajo tha se u anulua, pasi ishte e vetmja.
Avokatët: Veprimi i 1 marsit 2010 ishte ankand apo shitje?
Mahmutaj: Ai i datës 1 ishte me ligjin e ankandeve. Ndërsa ai i korrikut u bë me një ndryshim ligji nga Kuvendi, ku Ministria e linjës mund të përcaktonte udhëzimin për shitjen.
Avokatët: A keni njohuri për lidhjen ARMO-Tea construction-Albpetorl?
Mahmutaj: Jo.

Biznesmeni: S‘kam ofruar asgjë jashtë ligjit, Priftit i kam qenë në shtëpi, 
“Prifti i dha ankandin e naftës bruto gruas së tij”.
Bekim Halilaj: E shoqja e ministrit, 30% aksionere.

Biznesmeni Bashkim Halilaj

Biznesmeni Bekim Halilaj, i përmendur në dëshminë e Dritan Priftit, mohoi dje kategorikisht të ishte favorizuar nga ish-zv.kryeministi Ilir Meta, për të fituar ankandin e 30 mijë tonëve naftë bruto të Albpetrol-it, në mars të vitit 2010.  I thirrur si dëshmitar në gjykimin e ish-zv.krye-ministrit Ilir Meta, për akuzën e “korrupsionit”, biznesmeni Halilaj tha para gjykatës se “ankandi ishte një farsë”. Dëshmitari Halilaj u shpreh se pas disa herësh të anuluara të ankandit, ai ishte tërhequr dhe kjo prej faktit se, sipas tij, ankandi ishte fituar nga një kompani, ku 30 për qind të aksioneve i kishte bashkëshortja e ish-ministrit Prifti. Njëkohësisht, dëshmitari hodhi poshtë edhe pretendimin se ai i kishte ofruar ish-zv.kryeministrit 1 milion dollarë në këmbim të fitimit të ankandit.

 

DËSHMIA
Prokuroria: Cili ka qenë aktiviteti juaj në lidhje me hidrokarburet?
Halilaj: Prej 16-17 vjetësh bëj import-eksport në të gjithë Ballkanin.
Prokuri: Ku konsiston aktiviteti juaj, vetëm në tregtim, apo edhe në prodhim?
Halilaj: Jam marrë vetëm me tregtim.
Prokuroria: A keni marrë pjesë në ankandin e naftës bruto të Albpetrol-it në shkurt 2010?
Halilaj: Jo, s’ka pasur ankand.
Prokurori: A jeni përfshirë në një ankand të Albpetrol-it në periudhën shkurt-mars 2010? Nëse po, ç’veprime keni ndërmarrë?
Halilaj: Duke përfituar prej faktit se isha shqiptar që jetoja jashtë vendit, unë erdha në Shqipëri për investim. Njihesha me Dritan Priftin. Kemi biseduar gjatë dhe më ka thënë se si ishte më mirë për të përmirësuar derivatet? I dhashë dy mendime. M’u kërkua t’i paraqisja një kërkesë Ministrisë. Me erdhi njoftimi për ankand më 1 shkurt. U paraqitëm. Ishim vetëm ne. Na thanë që ankandi ishte anuluar. Shkaku ishte një shtojcë e bërë më 26 shkurt. Për këtë bëra ankesë. Na njoftuan për në datën 10 mars. Shkuam. Ishim sërish vetëm ne. Na thanë sërish që u anulua. Duke u nisur nga kjo, iu drejtova ministrit dhe ai nuk më dha shpjegime. Më pas mora vesh se ankandi ishte një farsë.
Më vonë mora vesh që ishte nënshkrua një marrëveshje sipas së cilës ajo naftë do t’i shkonte Albpetrolit-Tea Construction- ARMO dhe ne ishin thjeshtë për të plotësuar numrin. Unë erdha në Shqipëri për të investuar me ftesë të Dritan Priftit.
Prokurori: Njohja juaj me Ilir Metën?
Halili: E njihja si politikan dhe si zv.kryeministër.
Prokurori: A i keni kërkuar ndihmë Metës për ankandin?
Halili: Në asnjë mënyrë, nuk kam folur. Unë njihja vetëm ministrin. I jam ankuar vetëm një herë në rrugë, në qershor 2010, tek Rogneri, pasi jetoja aty. I thashë që kam probleme me ministrin tënd.
Prokurori: Keni folur me Metën në telefon?
Halili: Nuk me kujtohet, por për punën e ankandit nuk kam folur.
Prokurori: Po me Priftin?
Halili: Kam folur vazhdimisht. I kam shkuar edhe në shtëpi. Dy-tre herë në ditë flisja me të. Ju tregoj edhe detaje në doni, se ku e ka shtëpinë.
Prokurori: A ka pasur kompania juaj bashkëpunim me ARMO-n?
Halilaj: Bashkëpunim asnjëherë. Kam kontaktuar një herë me Rrezart Taçin për ambiente me qira, por nuk ramë dakord.
Prokurori: A i keni kërkuar ndihmë Metës apo Priftit për ARMO-n?
Halilaj: Jo. ARMO është firmë private dhe nuk kisha si t’i kërkoja ndihmë atyre. Unë kam komunikuar vetë me Taçin.
Prokurori: A ishte në dijeni Meta për ankandin?
Halilaj: Unë nuk e di. Kur e takova i thashë problemin.
Prokurori: A jeni takuar ndonjëherë të tre bashkë?
Halilaj: Nuk e mbaj mend. Për punën e ankandit jo.
Prokurori: E njihni Pajtim Sulën?
Halilaj: E njoha në Gjykatë, kur erdhëm seancën e kaluar.
Prokurori: Po në telefon, keni kontaktuar me të?
Halilaj: Po, e kam pyetur se pse u anulua ankandi.
Prokurori: Dritan Prifti në dëshminë e tij para gjykatës na tregoi një sms të sjellë te ti nga Pajtim Sula dhe që më pas ju ia kishit “forvvard”-uar Priftit?
Halilaj: Sms-të që i kam çuar Priftit i kam shkruar vetë. Këtë nuk e mbaj mend.
Prokurori: Nuk kemi më pyetje.
Avokatët: Sa herë jeni paraqitur për ankandin tek Albapetrol.
Halilaj: Unë personalisht, asnjëherë, por përfaqësuesit e mi katër herë.
Avokatët: A e dini kush e fitoi ankandin?
Halilaj: Ankandin e fitoi “Tea construction”, ku 30 për qind të aksioneve i ka gruaja e ish-ministrit Prifti. Ndaj, unë u tërhoqa. Në shkurt 2010,  ishte fituar ankandi. Ankandet e tjera ishin për të shkuar ne aty. Kam dokumente mbi përqindjen e gruas së ish-ministrit te “Tea-constuction”. (Dëshmitari tregon disa akte në drejtim të gjykatës)
Prokurori: Sa lekë i janë paguar ARMO-s nga “Tea-Construction”?
Halilaj: 5 milionë dollarë.
Avokatët: A keni ndikuar ju tek Ilir Meta që të ishit fitues i këtij ankandi, duke i premtuar atij 1 milion dollarë?
Halilaj: Asnjëherë. Nuk kisha pse t’ia kërkoja Ilir Metës një gjë të tillë.

Avokatët: Dokumentet që faktojnë akuzat ndaj Priftit

Faksimilet

Pas përfundimit të seancës së djeshme në Gjykatën e Lartë, avokatët e Ilir Metës kanë publikuar disa dokumente në të cilat bazohen thëniet e dëshmitarëve. Një prej dokumenteve është një ekstrakt i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në të cilën ka të dhëna për kompaninë “Fortis”, ku shtetasja Meri Prifti, gruaja e Dritan Priftit, zotëronte 30.5 për qind të aksioneve. Një tjetër faksimile tregon praninë e Vangjel Hysit, dajës së Dritan Priftit në një prej kompanive. Faksimilja tjetër është një kontratë e përbashkët e nënshkruar nga kompania “Tea Construction” sh.a (kompani ku bënte pjesë gruaja e Dritan Priftit), dhe kompanisë ARMO dhe kompanisë “Albpetrol”, kontratë që është lidhur për pjesëmarrjen në ankandin për shitjen e naftës bruto. Mes faksimileve ndodhet edhe një njoftim fituesi i kompanisë “Albpetrol”, drejtuar për kompaninë “Tea Construction” dhe “Petrol” (ku bënte pjesë edhe gruaja e Dritan Priftit, Meri Prifti). “Ju njoftojmë se oferta e paraqitur nga ju në datën 23 gusht 2010 në procedurën e shitjes së produktit hidrokarbur (naftës bruto) me çmim ofertues brent 1.8+1 dollar, është pranuar dhe është shpallur fituese e shitjes”, thuhet në njoftim.

1 COMMENT

  1. dritan prifti-mir qe akuzon ilir meten por me thenjet e deri tanishmet ai qeka vet hajduti te shohim me si do rrjedhin ngjarjet me vone esht heret me dhene mendim te shohim deshmitaret.qenken te dy te zhyer kaq per sonte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here